Kërko

 Të ngjiturit e Marisë në Qiell Të ngjiturit e Marisë në Qiell 

Të Ngjiturit e Zojës në Qiell i paraprin ngjalljes së korpit

Solemniteti i nesërm i Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, kremton fundin e jetës së saj tokësore. Maria, siç na e kujton dogma e shpallur nga Piu XII, e fundmja në rendin kronologjik shpallur nga Kisha, u pranua në qiell me korp e shpirt, duke i paraprirë ngjalljes së korpit tonë, në fundin e kohëve.

R. SH. - Vatikan

Është dogma më e vonë e doktrinës katolike që, ashtu si dhe të tjerat, nuk e imponon besimin, por e hamendëson dhe e kodifikon një devocion të rrënjosur prej kohe. Flitet për Ngjitjen e Virgjërës, solemnitet i kremtuar  më 15 gusht, ndoshta për kujtim të kushtimit të një kishe të lashtë mariane, në Jeruzalem. E kjo e përkryen devocionin ndaj Zojës: nga Të Zënët pa Mëkat, tek Nëna Virgjër e deri  tek ngjitja në qiell, pranë Krishtit, ku ishte paracaktuar të rrinte, që në zanafillë.

Ngjitje, përgjumje apo kalim?

Përdoren tri terma, për ngjarjen, që po kremtojmë. “Të ngjiturit” është terma dogmatike, që  përdor Kisha kur flet për  fundin e jetës tokësore të Marisë, ndërsa Përgjumja apo fjetja, është tipike për traditën bizantine. Gjithsesi, në të dyja rastet, nënvizohet kalimi nga një përmasë trupore, në një tjetër, qiellore, prandaj mund të flitet edhe për shtegtim. Më i çuditshmi që bëri ndonjë njeri, pas Krishtit, ndërmjet jetës e vdekjes. Më i ëndërruari. Me ëndrrën e përjetshme të amshimit. Tradita liturgjike siro-perëndimore flet për kalimin e Nënës së Hyjit, me ftesën për t’u gëzuar. Ftesë që i drejtohet gjithë krijimit. Nuk është mort! Nuk mbahet zi! Nuk është rast për të qarë, për t’u dëshpëruar!  Në pikturat, që e paraqesin këtë çast, duke vënë dukje ndryshimin ndërmjet vdekjes tokësore - e vdekjes së Marisë, Zoja paraqitet si e Posalindur, foshnjë në fasha! Figura simbolizon shpirtin e Vashës-Nënë, që i dorëzohet engjëjve, për t’ia mbartur korpin në qiell.

Historia e solemnitetit

Solemniteti ka zanafillë të paqartë lindore. Në traditën bizantine është festa e fundit e vitit liturgjik,  i cili nis me lindjen e Virgjërës,  për të nënvizuar edhe një herë qendërsinë e rolit të Marisë në historinë e Shëlbimit;  vendoset në muajin gusht, pak para kohës së vjeljeve, në çastet kur pemët janë të ngarkuara me fryte. E, si të gjitha festat, paraprihet nga 15 ditë agjërimi. Sipas hamendjes më të besueshme, që në shekullin VI, në Jeruzalem kremtohej një festë mariane. E pikërisht në Gjetseman, ku besohej se Maria i kishte kaluar ditët e fundit të jetës. Gjatë kësaj feste besimtarët i luteshin Marisë për t’i shpëtuar nga sëmundjet e korpit e të shpirtit. Kulti u përhap falë perandorit Maurici, por vetëm nën sundimin e Andronikut II i gjithë gushti nisi t’i kushtohej Marisë. Në perëndim festa mori hov të ri nën papninë e Sergjit I, që nisi ta kremtonte me një procesion madhështor, deri në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe.

Domethënia e Festës

Korpi i Marisë,  që pati pranuar e pati bërë të lindej në jetën e tij njerëzore Birin e Zotit, nuk mund të vdiste, nuk kishte sesi të kalbej! Prandaj Virgjëra ngjitet në qiell me korp e me shpirt. Në traditën bizantine, në varrosjen e Marisë mblidhen Engjëj e Shenjtorë, të drejtë e patriarkë, profetë e apostuj, duke krijuar një paralelizëm të ndjeshëm  me varrosjen e Jezusit: atje ishte Nikodemi, që kujdesej për varrosjen, ndërsa, këtu, sipas traditës, gjejmë Shën Gjonin Apostull, të cilit Zoti vetë ia pati besuar Nënën e vet, ndërsa jepte shpirt i mbërthyer mbi kryq! Maria, simbol i njerëzimit të rilindur, pritet në qiell si nuse, pranë Krishtit. Barku i saj virgjëror, që lindi Fjalën e mishëruar, krahasohet me qiellin, që tani i hap portat në festë, për ta pritur Nënën e Zotit.

Paraqitja ikonografike

Në figuret klasike, që paraqesin solemnitetin e të Ngjiturit të Zojës në Qiell, apo Dremitjen a Përgjumjen e saj, e shikojmë Marinë në qendër, të përgjumur, mbi  një shtrat mortor, që është njëkohësisht edhe altar i krishterë. Rreth saj, si gjithnjë, apostujt, ndërmjet të cilëve spikasin Pjetri e Pali, njëri mënjanë e tjetri në tjetrën, si të ishin bashi e kiçi i një anijeje,  skafi i së cilës paraqitet në vijë horizontale, i përbërë nga trupi i Marisë,  i cili takon vijën vertikale të Korpit të Krishtit, që është në qiell, mbi të, duke e pritur. Dy linjat mund të takohen, sepse Zoti, në mirësinë e tij të pamabaruar e ngjall dhe e shpëton njeriun. Takimi i këtyre dy linjave, është jeta, shkrirja e Krijuesit me krijesën. Anija simbolizon shtegtimin e Marisë nga kjo botë, drejt qiellit dhe hyrjen, që për të është e drejtpërdrejtë, në lumninë e Zotit. Por simbolizon edhe shtegtimin e Kishës drejt shëlbimit e shenjtërimit!

14 gusht 2019, 14:23