Kërko

Vatican News
Dera e ngushtë - Ungjilli i së dielës XXI të vitit kishtar Dera e ngushtë - Ungjilli i së dielës XXI të vitit kishtar 

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XXI të vitit kishtar

Ungjilli i së dielës XXI të vitit kishtar është marrë nga kapitulli 13 i Lukës e na tregon rrugën për nga hyhet në Mbretërinë e Zotit. Nganjëherë, ajo është plot vështirësi e pengesa, na duket më e ngushta e më e tatëpjeta, por duhet të pranojmë se plani i Hyjit është i pashqyrtueshëm e, me besim, të ecim përpara.

R.SH. - Vatikan

23 Një njeri e pyeti: ‘Zotëri, a janë pak ata që shëlbohen?’. Ai u tha: 24 ‘Mundohuni të hyni nëpër derë të ngushtë, sepse unë po ju them: shumë do të kërkojnë të hyjnë, por nuk do të munden. 25 Kur i zoti i shtëpisë do të çohet e do ta mbyllë derën, ju, po mbetët përjashta, do të filloni të trokitni në derë e të thoni: ‘Zotëri, na e hap derën!’ e ai do t’ju përgjigjet: ‘S’di nga jeni’. 26 Atëherë do të vijoni të thoni: ‘Po ne hëngrëm dhe pimë me ty dhe ti mësove ndër sheshet tona’. 27 Por ai do të përgjigjet: ‘Unë nuk di nga jeni…’. 29 E do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu e nga jugu, dhe do të ulen në tryezë në Mbretërinë e Hyjit” (Lk 13,23-27.29).

Të lutemi së bashku

E njohim mirë mesazhin Tënd,

kemi marrë pjesë vazhdimisht në katekizëm,

kemi ardhur çdo të diel

për të kremtuar Eukaristinë…

E pse tani, o Jezus, thua

se as që na njeh ndopak?

 

I kemi marrë të gjitha Sakramentet

që shënojnë udhën e dishepujve të Tu

e deklarojmë publikisht se jemi ndjekësit e Tu

e jemi në vijën e parë të frontit, kur është puna

për të mbrojtur vlerat e krishtera…

E pse, tani, o Jezus, deklaron

se nuk na e di as emrin

e as nga vijmë?

Pse nuk hapet porta Jote

e pse s’na lë të hyjmë në sallën e gostisë?

Pse na poshtëron kështu, duke na dhënë vendet e fundit

e duke i lënë të kalojnë para nesh të gjithë ata

që i kemi konsideruar gjithnjë

larg prej Teje, larg nga shëlbimi,

që s’ia kanë idenë e Ungjillit e humbaviten nëpër udhë të tjera?

 

Atëherë, hyrja në Mbretërinë Tënde nuk është

një shëtitje e lehtë, me këmbët që shkojnë vetë teposhtë,

një shteg i siguruar

me etiketat, që i kemi ngjitur vetes,

me parrullat, që kemi shpallur andej e këndej,

me traditat e ndjekura pikë për pikë.

Hyrja në Mbretërinë Tënde parashikon

kalimin nga një derë e ngushtë,

kalim i vështirë e, nganjëherë, i dhimbshëm

nëpër të cilin ecin vetëm ata,

që janë gati të përballojnë, për hir të dashurisë,

çdo lloj flijimi.

24 gusht 2019, 12:03