Të meditojmë me Ungjillin e festës së Zojës së Madhe
R.SH. - Vatikan
Ungjilli sipas Lukës na kujton rëndësinë e shën Marisë, përmes fjalëve të Elizabetës, që Zoja shkon ta takojë, ndërsa ishte shtatzënë. E ndërsa i biri i Elizabetës e njohu Jezusin e lëvizi në bark, shën Maria galdon: “Punë të mëdha bëri për mua i Gjithpushtetshmi”. Është himni i Marisë, ai “Magnificat” i mrekullueshëm, që ka jehuar e jehon në shekujt e historisë së njerëzimit:
“39 Në ato ditë Maria u nis me nxitim për krahinën malore, në një qytet të Judesë. 40 Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë e përshëndeti Elizabetën. 41 Tashti, posa Elizabeta e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharorin e saj. Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt, 42 dhe brohoriti me zë të lartë: ‘Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! 43 Dhe nga e pata fatin të vijë tek unë Nëna e Zotit tim?! 44 Ja se, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja, prej hareje, kërceu në kraharorin tim. 45 E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!’
46 Atëherë Maria tha: ‘Shpirti im e madhëron Zotin, 47 shpirti im me hare i brohoriti Hyjit, Shëlbuesit tim, 48 sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lume, 49 sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithpushtetshëm - i shenjtë është Emri i tij!...” (Lk 1,39-49).
Të lutemi së bashku:
Na e bëj këtë dhuratë o Atë,
të të lëvdojmë me fjalët e Marisë,
me shprehjen e gëzimit
të sa e sa burrave e grave
që besuan e shpresuan në Ty.
Po o Zot, Ti je vërtet i madh
në dashurinë tënde të pamasë,
që nuk njeh kufi:
në Marinë, Ti na jep
një shenjë shprese të sigurt
që secili të kundrojë
në lavdinë e saj
plotësinë dhe begatinë
për të cilat është caktuar.
Përmes saj,
vashës së re të Nazaretit,
Ti realizove mrekullinë
e mishërimit të Birit tënd.
Asaj ia besove
si fëmijë për t’u rritur
e për t’u përgatitur për jetën,
i ushqyer me dashurinë e nënës.
E ajo i qëndroi pranë
deri në fund, deri në Kalvar,
deri në vdekjen mbi kryq.
Prandaj mori pjesë,
me korp e me shpirt, në ringjalljen e Tij.
Prandaj nuk e njohu
korruptimin e kalbjen e varrit,
por u shndërrua
fill pas vdekjes
për të ndarë krah të Birit
gëzimin e amshimit.