Kërko

Lutja e Taizé-së Lutja e Taizé-së 

Takim miqësie ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve në Taizé

Në të tretin vit radhazi, të rinjtë e krishterë dhe myslimanë u mblodhën në Taizé të Francës, për një takim në emër të dialogut ndërfetar: takimi mbahet nga e enjtja 22 deri të dielën 25 gusht.

R.SH. - Vatikan

Kryesisht, do të diskutohet mbi rëndësinë dhe origjinalitetin e Dokumentit të Vëllazërimit Njerëzor për paqen botërore dhe bashkëjetesën ndërmjet feve, nënshkruar nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azharit, Ahmad Al-Tayyeb, më 4 shkurt, në Abu Dabi. Teksti do të paraqitet nga një hoxhë i Parisit, Mohamed-Soyir Bajrafil dhe nga një meshtar i Lionit, atë Christian Delorme, përgjegjës për dialogun ndërfetar në dioqezën e tij.

Tema e dytë e takimit, mikpritja

Do të vijohet me debate e shkëmbime përvojash. Tema e dytë e takimit do të jetë mikpritja: ky debat do të udhëhiqet nga një hoxhë i periferive të Parisit, Mohamed Bachir Ould Sass, dhe nga atë Christophe Roucou, ish-drejtor i shërbimit kombëtar për marrëdhëniet ndërfetare, organizëm i Konferencës Ipeshkvnore Franceze.

Dy seminare do t’u kushtohen përvojave të dialogut dhe miqësisë në rajone të ndryshme të botës: në Evropë, por edhe, për shembull, në Liban, Senegal e Bangladesh. Pikërisht në Bejrut, në marsin e këtij viti, mbi 1600 të rinj të moshës nga 18 deri në 35 vjeç, ardhur nga Libani, nga e gjithë zona e Lindjes së Mesme dhe nga vende të tjera, morën pjesë në një Takim ekumenik ndërkombëtar, organizuar nga bashkësia e Taizé-së, nga Kishat e Libanit dhe nga Këshilli i Kishave në Lindjen e Mesme.

Frère Alois: duhet më shumë dialog dhe vëllazërim

Në përfundim të takimit islamo-kristian të vitit 2018 në Taizé, duke iu drejtuar të rinjve, eprori, frère Alois, u ndal në rëndësinë e tij, duke nënvizuar se “përjetimi i kësaj përvoje vëllazërimi, duke qenë njëkohësisht, të vetëdijshëm për dallimet, ishte shenjë e vërtetë shprese. Besoj se në botën e sotme janë thelbësore raste si ky, që synojnë një promovim më të madh të dialogut dhe të vëllazërimit. Përballë frikës dhe dhunës, që shpesh duket sikur mbizotërojnë, është gjithmonë mirë të vendosim të besojmë në marrëdhëniet tona me të tjerët”.

22 gusht 2019, 10:40