Kërko

Të krishterë në Irak Të krishterë në Irak 

Sinodi kaldeas. Kard. Sako: laikët, shembull feje e pasuri për Kishën

Kontributi i çmuar i laikëve në jetën e Kishës, urgjenca e kultivimit të traditave, kthimi i familjeve të shpërngulura nga Shteti Islamik: këto janë disa nga pikat, ku u përqendrua Sinodi i ipeshkvijve kaldeas, mbajtur ndërmjet 3 dhe 13 gushtit në Bagdad të Irakut. Intervista jonë me kardinalin Louis Raphael Sako.

R.SH. - Vatikan

Të krishterët, brenda dhe jashtë Irakut, duhet të mbajnë gjallë “identitetin e tyre kaldeas”, historinë e tyre plot me “vlera”, “respekt”, “bashkim ndërmjet anëtarëve të familjes” dhe “anëtarëve të Kishës”. Ata duhet të kthehen në shtëpitë e braktisura, për shkak të Shtetit Islamik. Kjo është këshilla e Patriarkut të Babilonisë së Kaldeasve, kardinalit Louis Raphael Sako, në një intervistë për Vatican News, në përfundim të Sinodit të ipeshkvijve kaldeas. Kardinali kujton edhe rëndësinë e pjesëmarrjes së laikëve, të cilët ndoqën për dy ditë Sinodin, më 6 e 7 gusht. Gjatë tij u njoftua për një konferencë të laikëve në vitin 2022, paraprirë nga një takim rinor në pranverën e vitit të ardhshëm. Por të dëgjojmë Patriarkun e Babilonisë së Kaldeasve, që dëshiron me gjithë shpirt kthimin e të krishterëve në tokat e tyre:

         Kur njerëzit largohen, dalëngadalë harrojnë gjuhën, traditën e madje, edhe marrëdhëniet me tokën amë. Prandaj, ne kemi ngulur këmbë që çdo i krishterë kaldeas ta ruajë identitetin, veçanërisht fëmijët, që në shkollën ku shkojnë, nuk e flasin më gjuhën. E duhen ruajtur edhe vlerat, traditat e Lindjes, sidomos ato familjare, respekti, komunikimi ndërmjet anëtarëve të familjes e, edhe ndërmjet anëtarëve të Kishës. Tek ne, është pak më ndryshe se në Perëndim, ku ka individualizëm më të madh. I kemi inkurajuar të shpërngulurit të kthehen në shtëpitë e në fshatrat e tyre, sepse nëse kjo nuk ndodh, do të vijnë të tjerë e do t’ua marrin shtëpitë e pronat. Tani, gjendja është përmirësuar: i kemi riparuar shtëpitë e edhe infrastrukturat – ujin, elektricitetin, rrugët.

Prej vitesh, ju kërkoni njohjen e të krishterëve në nivel kombëtar, për t’u garantuar atyre të ardhmen. Në ç’pikë jeni në këtë drejtim?

Disa janë të vetëdijshëm për këtë, por ka ndryshuar mendësia, kultura e sotme është sektare. Ka një Islam fundamentalist, që dëshiron të islamizojë gjithçka. E pastaj, ka edhe korrupsion: ka nga ata, që flasin për shtet mysliman, janë më të korruptuarit, që vjedhin para dhe bëjnë gjëra të këqija. Kam thënë dikur se ata, që mbahen si të devotshëm e fetarë, ndoshta s’kanë fe aspak: feja është justifikimi për të realizuar ambiciet e tyre, prandaj flasin për të. Por edhe njerëzit “normalë” kanë filluar të reagojnë fuqishëm.

Për herë të parë, në Sinodin e ipeshkvijve kaldeas, morën pjesë edhe laikë. Gjithashtu, u njoftua për një konferencë të laikëve në vitin 2022. Pse u duhet dhënë rëndësi laikëve, sipas jush?

Para së gjithash, besimtarët laikë janë anëtarë të Kishës, janë ndihmë e madhe për të. Sot, disa prej tyre studiojnë shkenca kishtare dhe kanë një karizëm personale, duan të dinë çfarë bën Kisha, kanë ide, propozime… Ne, klerikët, nuk dimë gjithçka dhe nuk jemi të përsosur; por së bashku, së bashku mund të bëjmë diçka të bukur. Duke pasur parasysh gjendjen tonë në Irak, me të krishterët që vuajnë dhe persekutohen për besimin e tyre, laikët janë dhuratë e shkëlqyer për gjithë Kishën dhe mund të jenë shembull për të krishterët perëndimorë, që ta rishikojnë impenjimin e tyre fetar në jetën e përditshme. Këta njerëz jetojnë një gjendje tepër të ndërlikuar.

14 gusht 2019, 13:30