Kërko

4.jpg

Shugurohen dy ipeshkvij në Kinë, me Mandat Papnor

Dy ditë pas shugurimit të ipeshkvit të Jining/Wulanchabu, sot në Kinë, u shugurua ipeshkëv edhe Stephen Xu Hongwei, i dioqezës së Hanzhong, në veri-perëndim të vendit.

R.SH. - Vatikan

Marrëveshja e Përkohshme ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës Popullore të Kinës, nënshkruar në Pekin, më 22 Shtator 2018, po jep frytet e para. Sot, me Mandat Papnor, imzot Stefano Xu Hongwei u shugurua ipeshkëv ndihmës i Hanzhong. Gjithçka u zhvillua në një atmosferë solemne dhe të përzemërt, në prani të të gjithë ipeshkvijve të provincës së Shaanxi.

Të hënën, sërish me Mandat Papnor, një tjetër ipeshkëv, imzot Antonio Yao Shun u shugurua në Jining/Wulanchabu, në Mongoli. Pikërisht për këtë rast të parë, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, theksoi: “Mund të konfirmoj se Shkëlqesia e Tij, imzot Antonio Yao Shun, shuguruar ipeshkëv i Jining/Wulanchabu, në Mongolinë e Brendshme (Kinë), ka marrë Mandatin Papnor, siç pohoi edhe vetë ipeshkvi gjatë ceremonisë së shugurimit, më 26 gusht 2019”.

Në dioqezën e tij jetojnë rreth 70 mijë katolikë. Në meshën e shugurimit ishin të pranishëm qindra meshtarë e rregulltarë, si edhe disa ipeshkvij. Aktualisht, sipas Marrëveshjes së Përkohshme Vatikan-Kinë, të gjithë ipeshkvijtë katolikë kinezë janë në bashkim të plotë më Papën.

“Misericordes sicut Pater” (I mëshirshëm si Ati Qiellor) është motoja ipeshkvnore e zgjedhur nga imzot Yao Shun. Janë të njëjtat fjalë me ato të Jubileut të Mëshirës, dëshiruar nga Papa Françesku. Ipeshkvi i ri, 54 vjeçar, është formuar në Seminarin Kombëtar të Pekinit. Pastaj, është specializuar në liturgji jashtë vendit, në SHBA-të dhe Filipine. Pas kthimit në Kinë, ka dhënë lëndën e Liturgjisë në Seminarin Kombëtar të Pekinit, ku ka qenë edhe drejtues shpirtëror. Ka kryer disa detyra në Komitetin Liturgjik Kombëtar. Më vonë, në vitin 2010, u kthye në dioqezën e Jining për të ndihmuar paraardhësin e tij, imzot Giovanni Liu Shigong, i cili vdiq në vitin 2017, në moshën 90-vjeçare. Emri i tij si ipeshkëv i ardhshëm i Jining u propozua nga përfaqësues të dioqezës, udhëhequr nga ipeshkvi Meng Qinglu. Pas vlerësimit nga Vatikani, ipeshkvi i ri mori Mandatin Papnor dhe emërimin nga ana e Atit të Shenjtë.

28 gusht 2019, 12:57