Kardinali Carlo Maria Martini Kardinali Carlo Maria Martini 

Shtatë vjet më parë vdiste kardinali Martini: fjala e tij, gjithnjë e gjallë!

Shtatë vjet më parë vdiste kardinali Carlo Maria Martini: në Gallarate kremtohet një Meshë pranë Aloisianum.

R. SH. - Vatikan

Pas kremtimit të djeshëm në katedralen e Milanos, ku kryeipeshkvi Delpini kujtoi parardhësit e vdekur, sot, në Gallarate, u kremtua Mesha në Aloisianum, në përvjetorin e shtatë të vdekjes së kardinalit Carlo Maria Martini, që ndërroi jetë më 31 gusht 2012.

Meshën e kryesoi  mëkëmbësi i përgjithshëm i dioqezës së Milanos, imzot Franco Agnesi. Ndërsa përmes një videoje u ndoqën  disa dëshmi për orët e fundit të Kardinalit Martini, për funeralin në Duomon e Milanos dhe për forcën e rrallë shpirtërore, me të cilën i bëri ballë sëmundjes, deri në çastin e fundit jezuiti, teologu, biblisti, kryeipeshkvi i Milanos nga 1980 deri më 2002. I mbylli sytë për dritën e kësaj bote më 31 gusht 2012, në Gallarate, ku kishte kaluar vitet e fundit të jetës, pas kthimit nga Toka Shenjte. Dje, në Katedralen e kryeqendrës lombarde, kryipeshkvi Mario Delpini kremtoi një Meshë solemne për kujtim të paraardhësve të tij të vdekur, posaçërisht për kardinajtë Alfredo Ildefonso Schuster, Giovanni Colombo, Dionigi Tettamanzi dhe vetë Martini.

Trashëgimia e kardinalit Martini

Kardinali Martini la pas një pasuri të vërtetë veprash, duke nisur nga ato teologjike, pa harruar edhe poetiket. E ndër to gjejmë një mori fjalësh ari, me vlerë për të gjitha kohët.

Shkruan:

Për lëshimin e njeriut në dorë të Zotit:

“T’ia dorëzojmë Zotit jetën tonë nuk do të thotë ta lëshojmë në mënyrë abstrakte në duart e Tij, gati si të donim të largoheshim nga kjo botë. Do të thotë t’ia dorëzojmë, që të na bëjë të aftë për t’i shërbyer vëllezërve. Pa harruar se Zotit nuk i interesojnë vetëm njerëzit e ndershëm!”.

 Politika e dëmshme:

“Niveli i alarmit prek kulmin, kur tatëpjeta etike e politikës nuk arrin as të perceptohet më si e dëmshme”.

Koha është flori

“Koha është flori - thotë një falë e urtë - duhet të luajmë këmbë e duar që të mund ta shfrytëzojmë me fund. Fjala e urtë latine përkon me “carpe diem” – kape në fluturim çastin kalimtar!

‘Sa e bukur është rinia,

ç’e do, ikën si stuhia!

Zgjatet aq, sa zgjatet dita,

nesër s’dihet si del drita!’

Pa harruar se ka një mori mënyrash për ta mbushur kohën e për të krijuar iluzionin se jemi zotëruesit e saj!”.

31 gusht 2019, 15:59