Kërko

Vatican News
 vetrate Chiesa vetrate Chiesa 

Shenjtorët e javës 4 -11 gusht

Fjala e Zotit e kësaj së diele na kujton edhe një herë se jeta jonë nuk varët nga ajo që posedojmë, nga ajo pasuri që kemi. Prandaj, të lirohemi prej sigurive mashtruese që lidhen sidomos me grumbullimin e të mirave materiale, që kanë të bëjnë me posedimin e të mirave tokësore, e t’i kërkojmë “gjërat që janë lart”, na porosit shën Pali Apostull.

R.SH. - Vatikan

E Diel 4 gusht, Kisha katolike kremton tё Dielёn e 18-tё gjatё vitit kishtar, gjithnjё mё 4 gusht,bie përkujtimi i famullitarit të shenjtë të Arsit, shën Gjon Maria Vianejt, pajtor i klerit.  

Në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele, Jezusi tregon shëmbëlltyrën e pasanikut budalla, të dënuar për lakmi të të mirave, e na fton të pasurohemi para Zotit. Ndër nevojat e domosdoshme që njeriu ka gjithmonë është kërkimi i sigurisë, kërkimi i një themeli të qëndrueshëm në jetë. Ungjilli i kësaj së diele e tregon se ky themel e kjo siguri gjendet në fe, e jo në synimin e grumbullimin e pasurive materiale. Pra, Fjala e Zotit e liturgjisë së kësaj së diele na ofron një reflektim mbi vlerën e jetës së njeriut në raport me pasuritë

Të hёnёn më 5 gusht, bie përkujtimi i kushtimit të Bazilikës romake të Zojës së Madhe, i shën Emidit, dhe i shën Osvaldit. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi është Mesia, që Zoti e ka dërguar në popullin e vet, është shërbëtori i Hyjit që shkon drejt vdekjes për të plotësuar misionin e tij të shëlbimit.

Të martёn mё 6 gusht më gusht, Kisha katolike kremton festën e Shndërrimit të Jezu Krishtit Zot. Liturgjia e ditёs na paraqet Jezu Krishtin tё rrethuar nga Moisiu e Elia, qё duket si mbret-mesi, profet-shërbëtor, biri i njeriut. Me zërin e vet, Hyji njeh Birin Jezus para apostujve, duke i përgatitur kështu të kapërcejnë me fe shkandullin e Mundimeve në Kryq.

Të mёrkurёn më 7 gusht,  kalendari kishtar përkujton shën Sikstin II, papë me shokë, të gjithë martirë, shën Donatin e shën Gaetanin nga Tiene, themelues i Teatinëve. Liturgjia e kësaj së diele na kujton përmasën e pritjes së Zotit si pjesë përbërëse e themelore të jetës së krishterë. Fjala e Zotit na ndihmon ta kuptojmë domethënien e plotë që ka pritja e takimit më të rëndësishëm të jetës sonë: takimi me Krishtin, Dhëndrin e njerëzimit.

Tё enjtёn mё 8 gusht, kalendari kishtar përkujton edhe festën e shën Domenikut, meshtar. Liturgjia e ditёs na kujton se predikimi e lutja karakterizojnë stilin e Jezusit. Kush ka fe, kush ka besim në të dhe ndjek gjurmët e tij, nuk mund të pushtohet nga frika, as në momente e situata të vështira, madje as edhe në ato të pamundura të jetës. Besimi në Zoti është mbështetje e mburojë për njeriun që shpreson në Të.

Të premten më 9 gusht, kalendari kishtar përkujton shën Terezën Benedikta e Kryqit (Edith Stein), virgjër e martire, shpallur nga Papa Gjon Pali II bashkëpajtore e Evropës, më 1 tetor të vitit 1999. Figurë e jashtëzakonshme, Shën Tereza Benedikta e Kryqit ishte rregulltare karmelitane, filozofe e thellë dhe shkrimtare e shkëlqyer.

Të shtunёn më 10 gusht, përkujtohet Shën Lorenci, diakon e martir.  Liturgjia e ditёs na kujton se Zoti e do njeriun që dhuron me gëzim. Shpirti i Zotit sjell lirinë e vërtetë, atë liri që arrihet me mundim në kërkimin e së vërtetës mbi veten tonë e mbi jetën tonë personale, një liri që nuk përjashton ligjet e detyrimet, të cilat burojnë nga përgjigjja, që duhet t’i japim Zotit.

Të dielën e ardhshme më 11 gusht, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën 19-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 11 gusht, kalendari pёrkujton shën Kjarën e Asizit, virgjër, dhe shën Suzanën. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi është në qëndër të gjithçkaje dhe na kërkon ta vemë mbi gjithçka: mbi prindërit, mbi bijtë e edhe mbi jetën tonë. Vetëm kështu nxënësi bëhet i denjë për Jezusin. Është një kërkesë që s’të lë në paqe, sepse i ngjet shpatës, që pret çdo lidhje.

04 gusht 2019, 17:06