Vatican News
 Të Ngjiturit e Marisë në Qiell Të Ngjiturit e Marisë në Qiell 

Romë: Pesëmbëdhjetë ditëshi i Zojës së Ngjitur në qiell, në Bazilikën e Shën Marisë, në Via Lata

Kremtimi i Zojës së Ngjitur në qiell, tradicional për Kishat katolike dhe lindore të ritit bizantin, iu përshtat traditës sonë liturgjike perëndimore prej më se dyzet vjetësh, “parë si praktikë devocioni me vlerë të madhe ekumenike”.

R. SH. - Vatikan

Në bazilikën madhështore romake të Shën Marisë, në Rrugën Lata, vijon këto ditë gushti, kremtimi i Pesëmbëdhjetë ditëshit të Zojës së Ngjitur në Qiell, praktikë  devocioni, në përgatitje  të Solemnitetit, më 15 gusht. Gjatë këtyre pesëmbëdhjetë ditëve, besimtarët agjërojnë e këndojnë oficen lindore, të quajtur Paraclisis, përbërë nga himne e lutje, për të nxjerrë hirin e ngushëllimit e të guximit.

Pas Zojës së Ngjitur në qiell, udhë e mëshirës

E kjo atmosferë na fton të gjithëve të lutemi. Madje ta thithim me të dyja mushkëritë traditën mariane bizantine e atë katolike. Kjo është përvoja shpirtërore e pesëmbëdhjetë ditëshit  të Zojës së Ngjitur në Qiell, periudhë që na përgatit shpirtërisht për 15 gushtin, kulm i verës e kulm i jetës së Nënës së Krishtit e cila, si e mbajti në prehër të Birin e vdekur, si e pa, pastaj, të gjallë, u ngjit me korp e shpirt atje, ku Ai mbretëron në të djathtën e Atit. Ishte data 15 gusht kur, sipas liturgjisë bizantine, Zoja e Bekuar fjeti e u mbart nga engjëjt në qiell. Në Romë 15-ditëshi përgatitor nisi më 1 gusht, posaçërisht në Kishën e Shën Marisë në rrugën Lata. Po përgatitje për këtë festë të madhe të fundverës, bëhen në të gjitha kishat katolike.

Pak histori

Pesëmbëdhjetëditëshi përgatitor i festës së Zojës të Ngjitur në qiell, mund të themi se nisi para vitit njëmijë, në liturgjinë kostandinopoliane-bizantine, pikërisht për ta kremtuar këtë solemnitet që zu fill qysh në shekullin VI, në Jeruzalem e pastaj u përhap nga perandori Maurizio në të gjithë Perandorinë, duke u bërë solemniteti i Zojës së Ngjitur në Qiell. Të gjithë besimtarët e Kishave lindore: koptët, egjiptianët, etiopët, sirët, maronitët, kaldenjtë, armenët, grekët, të gjithë e jetojnë si festë të madhe.

Festa e festave: Pashkët e Marisë

Është festa e festave të Marisë: festa shenjte, festa hyjnore. Ka një mori titujsh, pra. Prandaj lindorët përgatiten shumë më tepër se perëndimorët. Agjërojnë e luten fort. Në ritin bizantin quhet “kreshma e vogël e Nënës Zotit”, për t’u përgatitur, kështu, për datën 15 gusht, për Pashkët e Marisë.

Kremtim i festës së Marisë, duke marrë frymë me të dyja mushkëritë

 Në fillim të shekullit IX, kur nisi të vërë në jetë reformën e pafundme liturgjike, Kisha bizantine kompozoi edhe një kanun, që u bë popullor. Është i ashtuquajturi kanun i “Paraclisis”, kompozuar nga murgu Teosteriku, lutje drejtuar Nënës së Zotit për ngushëllim, për ndihmë, për prani në të mira e të vështira. Por ka edhe himne të tjera, si ai i shekullit XIII, kompozuar nga Teodori II Ducas Lascaris. Këto dy kompozime gërshetohen në kremtimin e përnatshëm. Po ne, çfarë bëjmë? Mendësia jonë perëndimore para Zojës së Ngjitur në Qiell është tepër laiciste e nuk na kujton se duhet të përgatitemi edhe ne, 15 ditë, për këtë festë. E atëherë i përfshimë në kremtim tekstet, bashkë me Psalmet, për t’iu lutur me lutje të përbashkëta, Nënës së  Zotit, që të na ndihmojë.

 Udha shpirtërore, e propozuar nga Kisha  

Para së gjithash, është udha e mëshirës, për të cilën flet Papa Françesku. T’i kërkojmë mëshirë Asaj, që është e mëshirshme, Nënë e të Mëshirshmit: mëshirë për mëkatet, mëshirë për situatat e rënda që kemi- personale, familjare, shoqërore, ndërkombëtare. ËËshtë përgatitje shprese, e edhe ngushëllimi.

04 gusht 2019, 16:37