Kërko

Kardinali Cláudio Hummes Kardinali Cláudio Hummes 

Repam: të kërkohen shpejt rrugëzgjidhje paqësore për Amazonën

Në emergjencën ambientale të Amazonës së shkatërruar nga zjarret, REPAM prononcohet, duke u kërkuar të gjithëve të ndërgjegjësohen për kërcënimet serioze, që vijnë nga kjo gjendje dhe të impenjohen konrektisht e me vendosmëri për ta ruajtur Shtëpinë e Përbashkët.

R.SH. - Vatikan

Flakët, që kanë përfshirë Amazonën, vazhdojnë ta shqetësojnë botën. Pas thirrjes së fuqishme të Papës Françesku, dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, për të shpëtuar zonën, që konsiderohet mushkëria e planetit, edhe REPAM - Rrjeti Kishtar Panamazonik - ngre zërin për të ndërhyrë sa më shpejt që të jetë e mundur. Në një notë - nënshkruar nga kryetari i këtij organizmi, kardinali Claudio Hummes – falënderohen ata, që gjatë këtyre ditëve kanë shprehur shqetësimin e tyre për gjendjen kritike të pyjeve, veçanërisht në Brazil e Bolivi, ndër zonat më të prekura nga zjarret: që nga Këshilli Ipeshkvnor i Amerikës Latine (CELAM), deri në Konfederatën latinoamerikane të rregulltarëve dhe në ipeshkvijtë e vendeve të tjera, në prag të Sinodit të ardhshëm kushtuar Amazonës, në tryezën e të cilit nuk mund të mungojnë çështjet ambientale dhe shqetësimi për popujt indigjenë.

Ndërgjegjësim për kërcënimin e rëndë kundër ambientit

         REPAM - thuhet në tekst - është i vetëdijshëm se në kohën e sotme, ndryshimi i klimës dhe shtimi i ndërhyrjes së njeriut në natyrë (ndër të cilat, shpyllëzimet, zjarret, përmbytjet dhe ndryshimi i mënyrës së përdorimit të tokës) po e sjellin Amazonën në një pikë pa kthim. Për këtë arsye, shkruhet, “bashkohemi me deklaratat e ndryshme që, në përputhje me magjisterin e Papës Françesku, i bëjnë thirrje gjithë njerëzimit të vetëdijësohet për kërcënimet serioze, që sjell kjo gjendje dhe t’i kushtohet kujdesit për Shtëpinë tonë të Përbashkët, duke e ngritur zërin e duke kërkuar rrugë konkrete për të ndërhyrë paqësisht, por me vendosmëri, që kjo situatë të marrë fund”. Rrjeti Kishtar Panamazonik falënderon edhe organet e shtypit, ndër të cilat revista e jezuitëve “La civiltà cattolica” dhe Radio Vatikani e Vatican Neës, që ndjekin dhe njoftojnë çdo ditë për faktet, falenderojnë njëkohësisht edhe ata, që po protestojnë paqësisht, si Lëvizja Katolike Botërore për Klimën. Komunikata mbyllet me një lutje drejtuar Virgjërës Mari, marrë nga enciklika “Laudato Si’” e Papës Françesku:

“O Zojë, o nënë që u kujdese për Jezusin, kujdesu tani për këtë botë të plagosur, me dashurinë dhe dhimbjen e nënës. Ashtu siç derdhe lot, me zemrën e shporuar nga vdekja e Krishtit, ashtu shikoji me dhembshuri vuajtjet e të varfërve të kryqëzuar dhe të të gjithë krijesave të kësaj bote, shkatërruar nga pushteti njerëzor”.

26 gusht 2019, 15:11