Kërko

Vatican News

Madagaskar, misionarët pranë të varfërve, në pritje të Papës

Pas një muaji Papa do të vizitojë Madagaskarin. Një nga viset më të varfëra të botës, Ishulli është vend misioni. Një numër i madh misionarësh angazhohen këtu në vepra të ndryshme ndihme. Ndërmjet tyre, po kujtojmë Lëvizjen Kundruese Misionare Charles De Foucaud, lindur nga gjysma e shekullit të kaluar, nën kujdesin e meshtarit kunez, Andrea Gasparini. Aktualisht është e përhapur në të gjitha viset e Afrikës, Brazilit, Azisë, Evropës Lindore.

R. SH. - Vatikan

Gjatë javës, që njihet me emrin “Shkretëtira e bashkësisë” – përvojë lutjeje të heshtur e meditimi të përbashkët të Ungjillit, që mbledh çdo vit  në “Qytetin e të Rinjve” të Kuneos, zemra e lëvizjes, qindra njerëz, posaçërisht të rinj, takuam tri motra. Janë tri rregulltare, që e njohin mirëfilli Madagaskarin. E para quhet Motër Luçia, ose Suor Lucy, siç i pëlqen ta thërrasin. Kremton 60 vjetorin në gjirin e bashkësisë. E, kur kujton se ka kaluar 25 vjet në trojet malgashe, i shndrisin sytë nga gëzimi.

Papën e pret një popull bujar e mikpritës

“E di se kanë nisur që kur përgatitjet për pritjen e Papës – këto fjalët e para, që na thotë - Jam e sigurt se do të jetë një festë e mrekullueshme! Populli malgash është shumë mikpritës e, sidomos, shpirtmirë. Më kujtohet se kur shërbeja në mensën e fëmijëve, ata më donin në mënyrë të jashtëzakonshme. Më prekte thellë dashuria e tyre. U dhashë shumë dashuri, por ata më dhanë edhe më shumë. Më pushtonin këmbët e m’i shtrëngonin fort, fort, nga frika se mund t’u ikja. Prandaj më merr shumë malli. E natyrisht këto ditë e ndjej shumë dëshirën të jem mes tyre, për ta pritur së bashku arritjen e Papës.

Rregulltarja e dytë, që takojmë, është motër Lalla. Një e re e kushtuar malgashe, krenare për vendin e vet. Bën pjesë në një grup motrash të lëvizjes që, të formuara me stilin e Don Gasparinos, vijojnë veprën misionare pranë motrave italiane. “Pikërisht falë  varfërisë së tij, ky popull e ka në adn-në karizmën tonë: e ndan bashkërisht varfërinë! Ndokush mendon se mund të ndahet vetëm pasuria. Jo! Shumë më tepër mund të ndahet varfëria. Një kafshatë bukë mund  të ndahet përgjysëm me atë, që ka uri!”. Rregulltarja flet me krenari edhe për familjen e saj, me pak e gjë! Prej këndej, është thellësisht e kënaqur, që jeton me pak, ashtu si në shtëpinë e lindjes, edhe në shtëpinë e re, atë rregulltare. “Uroj - thotë - që Papa t’u sjellë njerëzve të mi shpresë,  si në jetën e përditshme, ashtu edhe në jetën kishtare. Posaçërisht të rinjve - e Kisha jonë, në Madagaskar, është  kryesisht e të rinjve - sepse kanë shumë nevojë për forcë, atë forcë që  mund t’ua japë vetëm Zoti”.

Madagaskari

Kujtojmë se Papa do të jetë në Madagaskar më 6 shtator, në orën 16:30 lokale. Më 7, në orën 10.15, do të takohet me autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin Diplomatik. Ndër ngjarjet, që priten më me padurim, kujtojmë takimin e datës 18 me të rinjtë, në fushën dioqezane të Soamandrakizay dhe kremtimin eukaristik, paraditen e së nesërmes, në orën 10. Pastaj vjen vizita në Qytetin e Miqësisë, në orën 15.10 dhe lutja për punëtorët në kantierin e ndërtimit Mahatazana, në orën 16. Së fundi, një fjalë vëllazërore për meshtarët, rregulltarët, laikët e shuguruar dhe seminaristët, në kolegjin e shën Mëhillit  - dhe nisja për Mauricius.

08 gusht 2019, 14:49