Laikët në Kishë Laikët në Kishë 

Nga SHBA-të, deklaratë e re e Konsultës katoliko-ortodokse

Në qendër të dokumentit, thirrja dhe misioni i Popullit të Zotit dhe roli i laikëve në të dyja traditat. Kryeipeshkvi Marco Gnavi, funksionar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve: “është dokument shumë i rëndësishëm, qasje e re për dialogun ekumenik”.

R.SH. - Vatikan

Një risi e rëndësishme në frontin e dialogut ekumenik mbërriti dje nga Konsulta Katoliko-Ortodokse e Amerikës së Veriut, kryesuar bashkërisht nga kardinali Joseph W. Tobin, kryeipeshkvi metropolit i Njuarkut, dhe nga Mitropoliti greko-ortodoks, Methodios i Bostonit. Është fjala për një deklaratë të përbashkët me titullin: “Thirrja dhe misioni i popullit të Zotit. Racë e zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë”, me të cilën synohet t’i jepet më shumë rëndësi “misionit të laikëve dhe ndikimit të kësaj ekleziologjie në praktikën e sinodalitetit në të gjitha nivelet”.

Qasje e re për dialogun ekumenik

Deklarata katoliko-ortodokse, fryt i punës së Konsultës, që përfundoi majin e kaluar, dëshmon edhe për një qasje të ndryshme dhe të re në fushën e dialogut ekumenik. Vetë Konsulta shpjegon se “në vend që të trajtojmë së bashku një problem, i cili e ka penguar bashkimin e plotë ndërmjet kishave, këtu teologët katolikë dhe ortodoksë shqyrtojnë së bashku sfidat e të dyja kishave, në këtë rast, rolin e laikëve në të dyja traditat dhe problemin e klerikalizmit”. Gjithçka, duke vazhduar reflektimin ekleziologjik, që “e konsideron Sakramentin e Pagëzimit si themelin e thirrjes dhe të shërbimit të çdo të krishteri, qoftë klerik, qoftë laik”.

Të dëgjohen laikët

         “Dokumenti fillon të hedhë poshtë kundërvënien ndërmjet laikëve dhe klerit” shpjegon funksionari i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve, imzot Marco Gnavi, njëkohësisht, drejtor i Zyrës për Ekumenizmin dhe Dialogun Ndërfetar në dioqezën e Romës. “Në thelb - shton ai – këshillon të dëgjohen laikët, megjithëse rithekson se në praktikën sinodale, në nivelin lokal, u takon ipeshkvijve të thonë fjalën e fundit. Deklarata flet për laikët si ‘Popull i Zotit’, që merr dhuratë karizma, të cilat janë në dispozicion të të gjithëve, për të mirën e përbashkët”.

Risitë në dialogun katoliko-ortodoks

         Risi tjetër në deklaratën katoliko-ortodokse të Amerikës së Veriut është edhe pranimi se në të kaluarën, gjatë debatit teologjik, çështja e laikëve ka mbetur në hije. “Janë përballuar shumë tema themeltare në marrëdhëniet ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve, - saktëson imzot Gnavi - por tema e laikëve ka mbetur gjithnjë e fshehur. Kjo deklaratë e përbashkët besoj se ndjek idetë e Papës Françesku, i cili flet shpesh për intuitën e fesë së Popullit të Zotit, të ashtuquajturin ‘sensus fidei’. Në sinodalitet, duhet respektuar kjo intuitë feje, që u përket laikëve”.

T’i dëshmohet rinisë, uniteti i Popullit të Zotit

         Në pjesën e fundit të tekstit, dokumenti u kushton vëmendje të veçantë të rinjve, duke pohuar se “atyre, që kërkojnë një identitet fetar në besimet ultra-tradicionaliste, ose në ndonjë univers individualist pseudo-fetar, duhet t’u dëshmojmë bashkimin e vërtetë me laikët, duke u ofruar një alternativë të besueshme”. “Nëse nuk do të bëhet kjo – komenton imzot Gnavi - të rinjtë do t’i humbasim. Të rinjtë kanë nevojë ta shohin unitetin e Popullit të Zotit, me laikët protagonistë e jo në plan të dytë”.

09 gusht 2019, 13:19