Papa Françesku para shtatores së Nënë Terezës në Shkup Papa Françesku para shtatores së Nënë Terezës në Shkup 

Nënë Tereza: “Jo fjalë abstrakte, por fakte!”.

Fjalë ari, shkëputur nga thesari, që na la trashëgim Nënë Tereza, në sa afrohet 26 gushti, ditëlindja e Shenjtores më pranë njerëzve të kohëve të reja.

R. SH. - Vatikan

Duhet të veprojmë: “Mos u besoni ideve abstrakte! Fjalimeve abstrakte! Synimet e mira dëshmohen me fakte”. Duhet të veprojmë, kundër padrejtësive, në të gjitha shprehjet e tyre. Posaçërisht kundër varfërisë.

Pa harruar se është më vështirë të luftosh e të fitosh kundër varfërisë  shpirtërore, se asaj materiale. Kur e nis betejën kundër mjerimit, lufto pa   shpërblim. Pa kushte. E mos prit as të vijnë  prijësit të të shpëtojnë, ty e njerëzit, për të cilët lufton. Mos prit asgjë të mirë, nga idetë abstrakte: dashuria dëshmohet me fakte. Gërbula e botës përendimore, është fjala pa fakte! Në botë njerëzit mund të të duken të ndryshëm, mund të kenë fe, arsim a pozitë të ndryshme, por në fund të fundit janë të gjithë të ngjashëm. Përpiqu, prandaj, për të mirën e secilit, sepse të gjithë u krijuam në ngjasim të Zotit. E kur vuan, mos harro se pa mjerimin, nuk mund të kuptohet lumturia, pa dyshimin, e vërteta, pa vdekjen, jeta! Mos u shqetëso për problemet e mëdha të botës: puno për t’iu përgjigjur kërkesave të njerëzve, që ke pranë. E mos prit, të vijnë liderët të të shpëtojnë. Në do të shpëtosh, veten e të tjerët, vepro! E në veprim, ji shprehje e gjallë e mirësisë së Zotit!

02 gusht 2019, 13:48