Kërko

 Harta  e Koresë së Veriut e asaj të Jugut si dhe vija e kufirit Harta e Koresë së Veriut e asaj të Jugut si dhe vija e kufirit 

Në shtegtim për paqen ndërmjet dy Koreve

Përfundoi “Shtegtimi për paqen 2019” në zonën e çmilitarizuar ndërmjet Koresë së Veriut e asaj të Jugut. Morën pjesë 90 të rinj, ardhur nga 15 vende të botës. Me ta, edhe tetë misionare, benediktine e saleziane. Në qendër të nismës, në mënyrë të posaçme, dëshira për ribashkimin e dy pjesëve të vendit.

R. SH. - Vatikan

Që prej 70 vjetësh, domethënë që kur gadishulli korean u nda më dysh, në përfundim të luftës, familjet e Veriut e të Jugut të Koresë jetojnë të ndara. Situatë e dhimbshme, së cilës as dy vendet e as  bashkësia  ndërkombëtare nuk kanë mundur deri më sot t’i japin fund. Shkaku: rezistenca e regjimit të Pyongyang, që e përdori këtë situatë të trishtë për qëllime politike e, kryesisht, për t’iu kundërvënë jugut filoamerikan. Po rëndësi ka të shpresosh se situata do të mund të ndryshojë, e për këtë, është themelore të lutesh për paqen në rajon e në botën mbarë - pohon motër Giuliana, koreane, misionare e Bijave të Marisë Ndihmëtare. Ky është edhe qëllimi i Shtegtimit të paqes 2019, që përfundoi sot në zonën e çmilitarizuar ndërmjet dy Koreve. Përmes kësaj nisme, të rinjtë u kërkojnë njerëzve të pushtetshëm të mbarë botës, t’u dëgjohet zëri:

“Ribashkimi i dy Koreve është  dëshirë shumë e madhe, që ne e kemi që prej 70 vjetësh, që kur na ndanë, ndonëse na bashkon gjaku e gjuha!   Bëhet gjithnjë më e zjarrtë dëshira për  të arritur tek ribashkimi”.

Çfarë i shton shtegtimi kësaj dëshire?

“Takova këto ditë motrat pjesëmarrëse në këtë shtegtim: ata e quajtën përvojë jashtëzakonisht e bukur, sepse gjithë të rinjtë e botës, në një farë mënyre, përmes përfaqësuesve të tyre, duhet ta ndjejnë këtë dëshirë për paqen në botë e në Gadishullin korean. Të rinjtë pohuan se ndjehen si vëllezër të një gjaku e se nuk mund e nuk duhet të ketë pengesa të tjera, që e zgjasin këtë ndarje. Më folën edhe për paqen, e cila atyre u duket e afërt, nëse zemrat tona e kanë këtë ndjenjë, nëse rrahin për paqen! Të fillojmë të jetojmë në paqe me më të afërmit, do të thotë ta përhapësh paqen në mbarë botën! E kjo është ëndrra jonë më e bukur. Mund të themi se të rinjtë e ardhur edhe nga vende të tjera, e ndjenë sa e rëndësishme është të ecësh së bashku për paqen, për ta realizuar konkretisht”.

Si mund të çohet ky zë rinor deri në vesh të njerëzve, që qeverisin?

“Shpresojmë se zërat e të rinjve do të dëgjohen më shumë e do t’i bëjnë më të ndjeshëm veshët e atyre, që u prijnë vendeve. Të gjithë e shikojnë se këta të rinj e dëshirojnë paqen,  e shikojnë si dhuratën më të madhe. Paqe, të cilën duam ta jetojmë ditë për ditë. E nëse qeveritë vijojnë ta bëjnë veshin të shurdhër, edhe ne duhet të vijojmë thirrjen tonë për paqe e bashkim. Derisa të na dëgjojnë!”.

Si punojnë Motrat Misionare në këto zona?

“Ne asistojmë të vegjlit e të rinjtë përmes edukimit, parë si udhë për ungjillëzim; ndjekim, pastaj, edhe promovimin e grave e të familjeve. E i japim shumë rëndësi edhe rrugës drejt paqes. Të rinjtë duhet të jenë gjithnjë paraprijës në rrugën e paqes!”.

23 gusht 2019, 12:37