Kërko

  Rimini Meeting Rimini Meeting 

Në Rimini, edicioni i 40-të i Mitingut për miqësinë ndërmjet popujve.

Nga 18 deri më 24 gusht, Panairi i Riminit: 179 takime, 25 shfaqje, 20 ekspozita, 35 manifestime sportive, 625 relatorë, që do të flasin gjatë takimeve. Shqiptarët e parë të pasdiktaturës, në Miting

R. SH. - Vatikan

Me Meshën e kremtuar nga ipeshkvi i Riminit, imzot Francesco Lambiasi, do të nisë nesër Mitingu për Miqësinë ndërmjet Popujve, me temë: “Emri yt lindi, ku i ngule sytë”, një varg i shkëputur nga poezia e Gjon Palit II, kushtuar Veronikës, që ia ngul sytë fytyrës së përgjakur të Krishtit. Sivjet Mitingu mblidhet për të 40-tën herë. Ishte viti ’70, kur disa miqve nga Rimini, të angazhuar nga përvoja e krishterë, u lindi ideja të takojnë, të njohin e të ftojnë në rivierën adriatike, ç’kish më të mirë e më të bukur kultura e kohës. Kështu nisi Mitingu. Kjo, origjina e këtij takimi të madh për miqësinë ndërmjet popujve 1979!

Dyzet vjet Miting

“Vitet më të vështira - shpjegon në mikrofonet e Radio Vatikanit Italia Sandro Ricci - për 36 vjet, nga viti 1982, deri në vitin 2018 drejtor i Mitingut - ishin vitet ’90, me ndryshimet që solli Tangentopoli e politika. Ishte edhe çast interesant. Duhet të shkonim përpara, por njëkohësisht edhe të kishim një farë sigurie. Për ne kjo siguri themelore ishte përvoja e krishterë. Nga don Giussani mbetet struktura e madhe, që i dha Mitingut. Domethënë, ndjeshmëria ndaj realitetit, me të cilën na edukoi. I gjithë realiteti është i shenjtë, i tëri është për t’u zbuluar, është një pyetje e hapur mbi misterin e krishterë, të cilit duhet e mund t’i japësh përgjigje duke shqyrtuar realitetin. Është për t’u kujtuar, pastaj, detyra e madhe, që i ngarkoi Mitingut Papa Wojtyla, në vitin 1982: “Ndërtoni qytetërimin e së vërtetës e të dashurisë!”. E kjo detyrë bëhet strukturë tjetër e Mitingut të Riminit.

Dy ndër shqiptarët e parë, nga Shqipëria, në Mitingun e Riminit

Shqiptarët e parë nga Shqipëria, që morën pjesë në këtë takim masiv, ku rreh fort zemra e gjithë popujve, atyre që mund e që nuk mund të marrin pjesë, ishin dy meshtarë. Dy njerëz, që hynë në burg në lule të moshës, të akuzuar si armiq të popullit. Madje, të popujve. E dolën pleq. Për t’u nisur, si miq të popujve, drejt Riminit! Drejt një mjedisi, ku fjala miqësi ndërmjet popujve e njerëzve, ishte fjala e ditës! Pjesëmarrësit e parë në Miting ishin Dom Simon Jubani - “autor” i kremtimit të Meshës parë të pas diktaturës në Shqipëri, e françeskani Atë Zef Pllumbi, autori i mirënjohur i veprës “Rrno vetëm për me tregue”. Kishin rrojtur, për të treguar - edhe në Panairin e Riminit - përvojën e panairit të torturave të burgjeve komuniste, ku munden të mbjetojnë vetëm duke ia ngulur sytë Krishtit, si Veronika. Patën çka me tregue! Në atë gusht të vitit 1991…. I hapën, kështu, rrugën,   shqiptarëve, që do të ndiqnin më pas lëvizjen “Bashkim e Çlirim” të don Giussanit, duke e bërë të njohur edhe në Shqipëri.

17 gusht 2019, 17:15