Arbëreshët e Eparkise se Ungres me imzot  Donato Oliverio ne audience te Papa Françesku ne Vatikan me 25 maj 2019 Arbëreshët e Eparkise se Ungres me imzot Donato Oliverio ne audience te Papa Françesku ne Vatikan me 25 maj 2019 

Në njëqidvjetorin e dioqezës së Ungrës, katolikët arbëreshë të ritit bizantin do të mblidhen në Asamble.

Më 30 e 31 gusht, në Frascineto do të mblidhet Asambleja XXXII dioqezane e Eparkisë së Ungrës, që këtë vit përfshihet në kornizën jubilare të themelimit të saj, me dëshirën e Papës Benedikti XV, në vitin 1919.

R. SH. - Vatikan

Më 30 e 31 gusht, në Frascineto, do të mblidhet Asambleja XXXII dioqezane arbëreshe e Eparkisë së Ungrës, që këtë vit përfshihet në kornizën jubilare të themelimit të saj, me dëshirën e Papës Benedikti XV, në vitin 1919. Nga dioqeza arbëreshe e ritit bizantin në Ungër të Kalabrisë, e drejtuar nga Eparku, imzot Donato Oliveri, varet kanonikisht edhe famullia leçeze e Shën Nikollës së Mirës,  e njohur me emrin “kisha greke”.

Më 25 majin e kaluar, e gjithë dioqeza e ritit lindor e kremtoi këtë jubile duke u takuar me Papën Françesku. E pikërisht një nga nxitjet kryesore, që u drejtoi Ati i Shenjtë 6 mijë besimtarëve arbëreshë, është edhe titulli i udhës teologjike  të Asamblesë së këtij vitit: “Ecni së bashku drejt ardhmërisë, që don t’ju japë Zoti”.

Do të jetë rast për t’u thelluar në njohjen e historisë të Eparkisë në të kaluarën, për ta kujtuar me mirënjohje e për t’u nisur me hov të ri gazmor drejt së ardhmes. Kisha arbëreshe e Ungrës, që mbrojti parimin e larmisë së ligjshme të traditës, në unitet me fenë, jep një ndihmesë të madhe në udhën e rikrijimit të unitetit të të krishterëve. Pikërisht në prag të udhës për unitetin, arrin një shenjë tjetër bekimi për dioqezën kalabreze, në vitin jubilar. Do të jetë vizita historike e Patrikut ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeu I, më 18 shtatorin e ardhshëm.

Takimi i Patrikut Bartolomeu me Kishën e Ungrës

Patriku pati ardhur edhe në Lecce, më 2 dhjetor 2016, për të marrë laurën honoris causa nga Universiteti i Salentos. U prit në peshkopatë dhe mori pjesë, në katedrale dhe pranë manastirit të benediktineve, në disa çaste të paharrueshme lutjeje ekumenike.

Në ecje, së bashku

Me vizitën e ardhshme, në Ungër, Patriku Bartolomeu dëshiron të njohë besnikërinë e kësaj kishe të veçantë arbëreshe, me traditë të madhe të Lindjes së krishterë, që Selia e Shenjtë e përkujdesi gjithnjë, duke promovuar trashëgiminë bizantine, të jetuar lirisht në gjirin e Kishës Katolike. Një shembull, ky, që i shikon duke ecur krah për krah, karakteristikat identitare të Lindjes, me ato të perëndimit, si pasuri e anasjelltë e profetike për unitetin!

 

 

19 gusht 2019, 11:11