Në Muzeun Papnor të Loretos, një hapësirë e re për disa kryevepra
R. SH. - Vatikan
Një vit pas hapjes, pas një riorganizimi të pjesshëm në qershor 2018, Muzeu Papnor i Shtëpisë së Shenjtë të Loretos është vizituar nga më se 30.000 dashamirë arti. Që sot mund të soditet edhe hapësira e re, ku janë ekspozuar disa kryevepra. Njoftimi jepet përmes një komunikate të Delegacionit Papnor. Mund të shijohen kryevepra si Shën Gjon Pagëzuesi i Fra Carnevales; Krishti i skalitur në argjend i Giambologna-s; Shën Gjon Pagëzuesi dhe Jezus Krishti i Guido Renit; Shën Nikolla i Tolentinos, që mendohet të jetë vepër e Guercinos, si dhe kardinali Antonio Maria Gallo, vepër e Pomarancios.
Hapje e jashtëzakonshme
Më 13 gusht deri më 11 shtator, Muzeu Papnor do të ketë edhe një hapje të jashtëzakonshme: çdo të martë, nga ora 21.00, deri në orën 23.00.
Hyrja është e lirë - kujtohet në Komunikatë - e Muzeu do të jetë i hapur edhe më 15 gusht, festa e Zojës të Ngjitur në Qiell.
Ndonjë lajm për muzeun
Muzeu Papnor i Shtëpisë së Shenjtë ekspozon vepra arti, që dëshmojnë devocionin e besimtarëve ndaj Shenjtërores mariane si dhe interesimin për të bukurën, që e shoqëroi në rrjedhë shekujsh kultin e krishterë. Kryeveprat nisën të mblidhen nga fundi i shekullit XIX, gjatë periudhës së restaurimit të Bazilikës, në vitet 1884-1905. Janë piktura, objekte arti, orendi ardhur nga Shenjtërorja e, posaçërisht, majolika edhe disa afreske të shkëputura nga vendet ku u krijuan. Këtyre u shtohen objektet kushtore me një farë vlere artistike, të shpëtuara nga grabitja napoleonike, në vitin 1797 si dhe nga grabitja e vitit 1974. Të shumta, edhe veprat e blera kohët e fundit për të pasuruar koleksionet, posaçërisht një mori pllakëzash kushtore si dhe shtatore për Shpellat e Betlehemit të shekujve XVII-XX.