Shenjtërorja e Medjugorje-s Shenjtërorja e Medjugorje-s 

Në Medjugorje nisi festivali i të rinjve. Gjashtë ditë “Në ndjekje të Krishtit”.

Më se 50 mijë adoleshentë nga mbarë bota, arritën në lokalitetin e Bosnjës, ku po reflektojnë për ftesën ungjillore të Krishtit: “Ndiqmë!”. Kjo është edhe tema e edicionit të 30-të të Festivalit. Parashikohet pjesëmarrja e shumë ipeshkvijve e kardinajve.

R. SH. - Vatikan

Me një Meshë, kryesuar nga kardinali mëkëmbës i Papës për dioqezën e Romës, Angelo de Donatis, u hap mbrëmë, më 1 gusht, “Festivali i 30-të i të rinjve” në Medjugorje të Bosnjë-Hercegovinës. Ngjarja do të përfundojë të martën, më 6 gusht, me një kremtim eukaristik, kryesuar nga imzot Rino Fisichella, kryetar i Këshillit papnor për ungjillëzimin e ri.

“Të ndjekësh Krishtin”, në qendër të katekizmit

Reflektimi i këtij edicioni 2019 i kushtohet thirrjes ungjillore “Ndiqmë!”. Programi parashikon katekizma, dëshmi, procesione, adhurime, që do ta vënë mesazhin e Krishtit  në qendër të jetës  të të rinjve. Priten më se 50 mijë shtegtarë, kryesuar nga 400 meshtarë. Nisma do të transmetohet drejtpërdrejt në internet, në gjuhë të ndryshme, falë gjashtë telekamerave,  dy spidercam e një dron. Festivali do të përkthehet njëherësh në 18 gjuhë, pikërisht për të siguruar pjesëmarrjen e plotë të të rinjve, ardhur nga gjithë bota!

“Slijedi me!” - Follow me - Suis-moi - “Seguimi!”…  Krishti i thërret të rinjtë, në të gjitha gjuhët e botës: “Ndiqmë!”.

02 gusht 2019, 11:57