Medjugorje: Festivali i të rinjve Medjugorje: Festivali i të rinjve 

Medjugorje, kardinali De Donatis: të ndjekësh Krishtin, do të thotë të bëhesh njeri i ri.

Me Meshën, kryesuar nga mëkëmbësi i Papës për dioqezën e Romës, kardinali Angelo De Donatis, u hap, në Medjugorje, “Festivali i të rinjve”, sivjet me temën ungjillore: “Ndiqmë!”.

R. SH. - Vatikan

“Ta ndjekim Zotin, sepse besuam se vetëm Ai  jep jetë”. Këtë pohoi, në Medjugorje, kardinali Angelo de Donatis, gjatë Meshës, për hapjen e Festivalit të 30-të të rinjve, me temë thirrjen e Krishtit, që vijon t’i drejtohet mbarë njerëzimit e, sidomos, të rinjve: “Ndiqmë!” “Eja pas meje!”. Kjo thirrje - kujtoi Kardinali - u drejtohet njerëzve të të gjitha moshave. Zoti nuk na pyet as kush jemi e as si jemi! Nuk na kërkon biografinë.  Ati i Mirë na do kështu si jemi: enë balte! Në pritje për t’u bërë njerëz të rinj!

Të mos e harrojmë gjykimin e Zotit

Kardinali kujtoi, në vijim, Besojmën, që e shpallim çdo të diel, duke kujtuar se Ai “Do të vijë të gjykojë të gjallët e të vdekurit”. Gjyqi i mbramë - pohoi - është drita gazmore e së vërtetës, jo dënimi i një tirani; është freski, jo zjarr e tmerr! Për besimtarin, është ngadhënjim i dashurisë hyjnore, takim me Dhëndrin!”. Të jesh i urtë  - pohoi mëkëmbësi i Papës për dioqezën e Romës, do të thotë “të mësohesh të jetosh që në rini në horizontet e së vërtetës, që nuk kalon. E që të bën njeri i ri!”. E këtë të kujton edhe tema e festivalit: “Ndiqmë!”. Domethënë të ndjekësh Zotin, deri tek Gjyqi i Mbramë, për të pasur fatin të takosh atë, që e ndoqe gjithë jetën: Krishtin!

Papa autorizon shtegtimet në Medjugore

Shtegtimet në Medjugorje, me rastin e Festivalit të të rinjve, u organizuan zyrtarisht. Pasojë, kjo, e vendimit të Papës për t’i autorizuar famullitë dhe  dioqezat t’i organizojnë kështu, e jo në mënyrë private shtegtimet te  Zoja, që prej vitesh vizitohet nga mijëra shtegtarë!

02 gusht 2019, 14:31