Ungjilli i dielës së 18-të gjatë vitit kishtar “C” Ungjilli i dielës së 18-të gjatë vitit kishtar “C” 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 18-të gjatë vitit kishtar “C”

Në fragmentin e Ungjillit, Jezusi kërkon prej nesh të ruhemi prej lakmisë së pasurisë, të zgjedhim ndërmjet pasurive të vërteta e pasurive të përkohshme, madje pasurive të rreme. Jezusi na tregon një prioritet: gjëja të cilën duhet ta kemi më së shumti përzemër është pasurimi para Zotit. Gjithçka tjetër vjen pas.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe meditojmë leximet biblike të Dielës së 18-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendari liturgjik. Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së 18-të gjatë vitit na flet për pasurinë e vërtetë.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 18-të gjatë vitit kishtar “C”

Jezusi në udhën e tij drejt Jerusalemit,  vazhdon me leksionet e edukimit të krishterë; në pjesën e Ungjillit, për shembull, trajton argumentin të cilin mund ta quajmë me fjalorin modern “shkalla e vlerave të të mirave përkohshme, kalimtare”, do të thotë tokësore. Kështu, në fragmentin e Ungjillit, Jezusi kërkon prej nesh  të ruhemi prej lakmisë së pasurisë, të zgjedhim ndërmjet pasurive të vërteta e pasurive të përkohshme, madje pasurive të rreme. Ai na mëson se jeta jonë nuk vjen e as nuk varet nga pasuritë kalimtare e lëndore, prandaj na kërkon të përcaktohemi në mënyrë të qartë e të prerë, duke na treguar udhën dhe mënyrën e përdorimit të të mirave tokësore për shpëtimin tonë.

Jezusi na tregon një prioritet: gjëja të cilën duhet ta kemi më së shumti përzemër është pasurimi para Zotit. Gjithçka tjetër vjen pas. E të pasurohesh para Zotit duhet të bëhet kaq e rëndësishme për ne, sa që gjithçka tjetër të  kalon në rend të dytë. Jezusi na zbulon dhe na mëson, këtë diele, se thesari i vërtetë është ai i zemrës. Më tej na thotë se ky thesar nuk përkon me thesaret e tokës.

Nuk është lehtë ta zbatojmë këtë porosi ungjillore në jetën e përditshme, sepse jemi të rrethuar e të zhytur në mendësinë bashkëkohore, e cila ka si themel lumturinë që mbështetët mbi pasjen dhe disponimin e shumë të mirave tokësore. Liturgjia na kujton dashurinë ndaj Zotit e ndaj vëllezërve, si udhën autentike që na shpie në zbulimin e thesarit ungjillor.

Lumturia e jetës gjendet në të mirat shpirtërore, që janë dashuria e mirësia. Ne shqetësohemi shumë për atë që të tjerët thonë për ne, çfarë mendojnë për ne. Një gjë që thonë për ne mund të na shqetësojë....por nuk shqetësohemi për atë që është me të vërtetë e rëndësishme. E në fragmentin e Ungjillit të kësaj së diele, Jezusi na tregon çështje të ndryshme mbi trashëgiminë, mbi pasurinë ose të mirat tjera materiale, nuk i interesojnë aspak.

Pastaj na tregon një shëmbëlltyrë. Njeriu i shëmbëlltyrës sillet si njeri pa fe, pa besim në Hyjin. Toka i jepte shumë fryte, e prandaj i tha vetes: “Ç’të bëj? Nuk kam më vend ku t’i mbledh të lashtat e mia...Kështu po bëj: do t’i rrëzoj grunarët e do t’i punoj më të mëdhenj...dhe do t’i mbledh....” Por Zoti e quajti: “I marrë!”. Kjo fjalë duket tepër e fortë, por do të thotë se në fakt pasaniku nuk ishte i urtë, sepse duke menduar për të ardhmen e kësaj jete tokësore e kalimtare, nuk mendonte fare për jetën që vazhdon pas vdekjes, për jetën e Pasosur në Hyjin.

Të mendosh për të mirën personale, të familjes dhe të njerëzve, për progresin personal e shoqëror, nuk është kundër vullnetin të Zotit. Po e gjithë kjo mund të jetë “kotësi mbi kotësi” nëse harrojmë atë të mirë e atë thesar që marrin në Mbretërinë e amshuar të Hyjit, në jetën tonë me Zotin. Pra, do të ishte një gabim të kërkosh vetëm e vetëm të mirën materiale, e të mos mendosh si të pasurohesh në Hyjin. Me pak fjalë, e mira e vërtetë, pasuria e vërtetë do të jetë kur ne të jemi të pasur, të drejtë e të mëdhenj në sytë e Hyjit, si na porosit shën Pali në Leximin e dytë: “Kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti... Dëshironi gjërat që janë lartë e jo këto përmbi tokë”. E ky vështrim do të na ndihmojë për t’ia arritur thesarit të përjetshëm.

Jezusi eshte Bariu mire
Jezusi eshte Bariu mire

                                                      Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Kish 1, 2; 2, 21-23

Lexim prej Librit të Kishtarit
Kotësi mbi kotësi, thotë Kishtari, kotësi mbi kotësi e gjithçka është kotësi! E njëmend ka njeri që punon me urti, me dije e me kujdes dhe gjithçka do t’ia lërë për trashëgim njërit që aspak për të s’është munduar. Ja, pra, edhe kjo është një kotësi e keqe e madhe! Sepse çka fiton ai prej të gjithë mundit të vet e prej tërë përpjekjes personale që e bëri nën diell? Të gjitha ditët e jetës së tij kaluan në dhimbje, mund e kujdesim, dhe as natën nuk mundi ta kalojë në qetësi. Edhe kjo gjithashtu është kotësi! Fjala e Zotit.

Psalmi 95
O Zot, bëj që ta dëgjojmë zërin tënd

______________
Ejani t’i këndojmë Zotit,
t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje,
t’i këndojmë këngë hareje!
______________

Ejani ta adhurojmë,
të biem përmbys para tij,
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullotës së tij,
grigja që ai e ruan.
______________

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:
Mos e bëni zemrën tuaj gur
porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
kur etërit tuaj më vunë në sprovë:
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
______________

Leximi i dytë Kol 3, 1-5.9-11

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve
Vëllezër, nëse u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit. Dëshironi gjërat që janë lart e jo këto përmbi tokë! Sepse vdiqët dhe jeta juaj është e fshehur me Krishtin në Hyjin. U kur të duket Krishti, jeta juaj, atëherë edhe ju bashkë me Të do të shfaqeni plot lavdi. Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja, ato tokësoret: fëlligështia, papastria, epshet, dëshirat e këqija, lakmimi i tepruar i pasurisë, ajo idhujtari. Mos rreni njëri-tjetrin! Ju e zhveshët njeriun e vjetër me veprat e tija dhe veshët njeriun e ri që përtërihet në njohurinë e drejtë në përngjasim të Krijuesit të vet. Aty nuk ka më: grek – hebre, rrethprerje – parrethprerje, barbar – skit, skllav – të lirë, por Krishti është gjithçka dhe në të gjithë. Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.
Është afër Mbretëria qiellore: kthehuni e besoni Ungjillit.
Aleluja.

Ungjilli Lk 12, 13-21

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Atëherë dikush prej turmës i tha: “Mësues, thuaj vëllait tim ta ndajë me mua trashëgimin tonë.” “Or mik – i përgjigji Jezusi – kush më vuri mua gjykatës ose ndarës mbi ju?” Atëherë u tha: “Vëniani mendjen: ruajuni fort prej lakmisë së pasurisë, sepse sado i pasur që ndokush të jetë, jeta e tij nuk varet nga pasuria që ka.”
Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë: “Tokat e një pasaniku i dhanë fryt të madh. Ai mendonte në vete e thoshte: ‘Ç’të bëj? Nuk kam më vend ku të mbledh të lashtat e mia.’ Dhe tha: ‘Kështu po bëj: do t’i rrëzoj grunarët e do t’i punoj më të mëdhenj dhe do t’i mbledh në ta të gjitha: grurin dhe të gjitha të lashtat e mia. Atëherë do t’i them shpirtit tim: Shpirti im, ke pasuri me shumicë për shumë vjet: pusho, ha, pi, gëzo!’ Porse Hyji i tha: ‘I marrë! Shi sonte, në këtë natë, do të kërkohet shpirti yt prej teje, e ç’grumbullove kujt do t’i mbesë?’ Kështu i ndodh atij që grumbullon pasuri për vete e nuk kujdeset të bëhet i pasur në Hyjin.” Fjala e Zotit.

02 gusht 2019, 17:28