Ungjilli së dielës -  shëmbëlltyra e derës së ngushtë Ungjilli së dielës - shëmbëlltyra e derës së ngushtë 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 21 gjatë vitit kishtar ‘C’

Ungjilli i kësaj së diele, përmes shëmbëlltyrës së derës së ngushtë, na kujton cilat janë kushtet për të hyrë në mbretërinë e Hyjit. Nuk mjafton Mesha e së dielës apo një praktikë e përshpirtshme e përgjithshme fetare: lypet përcaktimi për të jetuar në përkim me mësimin e sipas shembullit të Krishtit, Shpëtimtarit të njerëzimit.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Liturgjinë e Fjalës Hyjnore të së dielës. Kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 21 gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 21 gjatë vitit ‘C’

Në Ungjillin e së dielës ( 21 gjatë vitit ‘C’), Jezusi, duke folur për shpëtimin e amshuar, na fton të hyjmë nëpër portën e ngushtë.  “Përpiquni të hyni nëpër portën e ngushtë”: kjo është përgjigjja e Jezusit, dhënë njeriut, i cili e pyet nëse janë shumë apo pak, ata që shëlbohen. Zoti, na tregon, kështu, rrugën e shëlbimit. Por, cila është porta, ku duhet të hyjmë? Kjo portë është vetë Jezusi (cfr Gjn 10,9). Ai është porta, shtegu, nëpër të cilin duhet shkelur, për të hyrë në amshim. Ai na prin kah Ati.

E kjo portë, Jezusi, nuk mbyllet kurrë, është e hapur gjithnjë, për të gjithë, pa asnjë dallim, pa asnjë përjashtim, pa asnjë privilegj. Sepse, siç e dimë mirë, Jezusi nuk përjashton askënd. Ndokush edhe mund të thotë: ‘Po, unë sigurisht jam i përjashtuar, sepse jam mëkatar i madh: kam bërë vepra e gjithë të zezat në jetë...’. Jo, askush nuk përjashtohet! Pikërisht për këtë, çdo person është i preferuar, sepse Jezusi e parapëlqen mëkatarin, gjithnjë. Për ta falur, për ta dashur! Jezusi po na pret për të na përqafuar, për të na dashur, për të na falur. Mos të kemi frikë: Ai na pret. Të nxitojmë, të marrim zemër të hyrë nëpër portën e Tij. Pra, nuk është çështje numrash, sa e bëjnë dhe sa nuk e bëjnë. E as çështje menteshash, që rrotullohen vetëm një herë e kush mbetet jashtë, është i dënuar. Mos të harrojmë se për ta kuptuar faqen e sotme të Ungjillit - hyrjen nëpër portën e ngushtë - duhet ta lexosh me sytë e mëshirës. Aty është kyçi,  që na çon tek kuptimi i plotë i kësaj figure, përdorur nga Jezusi.

Në Ungjillin e kësaj së diele, Krishti i përgjigjet pyetjes, që ia drejton njëri, nësa ishte përudhë drejt Jerusalemit: “Zotëri, a janë pak ata që shëlbohen?” (Lk 13.23). E Zoti Jezus nuk përgjigjet drejtpërdrejt, por e zhvendos bisedën në një plan tjetër, duke folur gjithnjë me një gjuhë figurative. “ Përpiquni të hyni nëpër portën e ngushtë" - i kujton bashkudhëtarit - sepse shumë, po ju them, do të mundohen të hyjnë, por nuk do të mundin. Nuk do të mundin, sepse është portë, që nuk kapërcehet lehtë.

Por, mos të harrojmë se Porta është e ngushtë, jo sepse është ndrydhëse, jo; por sepse kërkon ta tkurrim e ta frenojmë krenarinë tonë, frikën tonë, për t’ia hapur zemrën Atij, përvujtërisht e plot me besim në Të, duke pranuar se jemi mëkatarë,  se kemi gjithnjë nevojë për ndjesën e Tij. Prandaj është e ngushtë: për ta tkurrur krenarinë tonë, që na bën të krekosemi. Porta e mëshirës së Zotit është e ngushtë, por gjithnjë e hapur në dy kanatat, e hapur për të gjithë! Zoti nuk zgjedh. Zoti i mikpret e mirëpret të gjithë, pa bërë kurrfarë dallimi. Mos të harrojmë edhe gjë tjetër, se si besimtarë, jemi arkitrau jo vetëm i Kishës, por i gjithë shërbesës së saj amnore. Jezusi e pret secilin nga ne, pavarësisht nga mëkatet, që kemi bërë, për të na përqafuar, për të na dhuruar faljen e Tij, me një rrymë të pandërprerë mëshire. Zoti na fton vazhdimisht të shkojmë tek Ai, ta kapërcejmë portën e jetës së përkryer, të  pajtuar e të lum.

Duke hyrë përmes Portës së Jezusit, portës së fesë, të dashurisë e të Ungjillit, ne mund të dalim nga sjelljet e botës, nga zakonet e këqija, nga egoizmi, nga mbylljet. Ku është lidhja me dashurinë dhe mëshirën e Zotit, aty është edhe ndryshimi i vërtetë i ekzistencës. E jeta jonë ndriçohet nga drita e Shpirtit Shenjt Zot, dritë e pashuar. Fjala e Zotit e kësaj së diele, pra, na fton të reflektojmë edhe rreth pengesave që fillojnë nga egoizmi personal, mëkatet - që na vështirësojnë kalimin e portës së shpëtimit - njëherësh me faktin se kjo portë është gjithnjë e hapur në kapak nga falja e Zotit. Prej këndej, mos t’i harrojmë fjalët  e Jezusit, që na kujtojnë se në një farë pike nuk do të mund të hyjmë më nëpër këtë portë.

Kjo portë është rast, që nuk duhet humbur, nuk duhet të mbajmë fjalime akademike mbi shëlbimin e shpirtit etj. Sepse në një farë kohe ‘i zoti i shtëpisë do të ngrihet e do ta mbyllë këtë portë', siç na e kujton edhe Ungjilli. Por nëse Zoti është i mirë, nëse na do, pse e mbyll këtë portë në një shenjë kohe? Sepse jeta jonë nuk është videolojë, as telenovelë: jeta jonë është diçka serioze e synimi që duhet arritur, është shumë i rëndësishëm: shpëtimi i amshuar.

T’i lutemi Virgjërës Mari, të na ndihmojë ta shfrytëzojmë rastin që na dhuron Zoti për ta kapërcyer portën e fesë e për të hyrë në udhën e gjerë, në udhën e shëlbimit. Kjo udhë i zë të gjithë ata të cilët dinë të duan me dashurinë vëllazërore. Kjo dashuri bëhet, ende mbi tokë, burim lumturie për ata që, me butësi, durim e drejtësi e harrojnë krejt vetveten dhe u dhurohen tërësisht të tjerëve, posaçërisht njerëzve më të ligshtë.

                                              Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Is 66, 18-21
Hyji nuk e ka fshehur kurrë planin e tij të shpëtimit: të bashkojë njerëzimin e shpërndarë në një popull të vetëm në paqe. Hyji do të dërgojë një shenjë në të cilën të gjithë njerëzit mund të njihen. Tani ne që kemi njohur këtë shenjë, që është vetë Jezusi, kemi për detyrë të ftojmë të tjerët të njohin në Jezusin shenjën e dashurisë së Hyjit.

Lexim prej Librit të Isaisë profet
Kështu thotë Zoti: “E unë, që i njoh veprat e tyre dhe synimet e tyre, do të vij për t’i bashkuar të gjitha fiset e të gjitha gjuhët; do të vijnë dhe do ta shohin lavdinë time. Unë do t’u jap një shenjë dhe do t’i dërgoj ata që prej tyre do të shpëtojnë, te popujt në Tarsis, Put, Lud, Mosok, Ros, Tubal dhe në Javan – në ishuj të largët tek ata që nuk kanë dëgjuar për mua as nuk e kanë parë lavdinë time – dhe këta do t’ua shpallin lavdinë time popujve. Do t’i riatdhesojnë të gjithë vëllezërit tuaj nga të gjithë popujt porsi kusht Zotit – në kuaj, karroca, bartore, në mushq e gamile njëgungëshe e do t’i sjellin në malin tim të shenjtë, në Jerusalem – thotë Zoti – po ashtu sikurse bijtë e Izraelit kushtojnë flinë e paraqitjes në enë të pastër në Shtëpinë e Zotit. Edhe prej tyre do të zgjedh priftërinj e levitë.”Fjala e Zotit.

Psalmi 117
Të adhurojnë, o Zot, popujt e mbarë botës

----- ----- -----
Lavdërojeni Zotin, o kombe të gjitha,
madhërojeni së bashku, o popuj të gjithë!
----- ----- -----
Sepse e madhe është dashuria e tij
ndaj nesh, besnikëria e Zotit qëndron për amshim.
----- ----- -----

Leximi i dytë Heb 12, 5-7.11-13
Siguria e besimtarit është se Hyji na trajton gjithmonë si bij, edhe kur lejon provën e shkretëtirës, mërgimit dhe të persekutimit. Edhe bashkësitë e krishtera përballë kontraditave dhe dështimeve nuk duhet të dyshojnë për qëllimet e Atit, që udhëheq ngjarjet tona me dashuri, që të formohet në ne imazhi i Birit të Tij.

Lexim prej drejtuar Hebrenjve
Vëllezër, e harruat qortimin që ju drejtohet si bijve: “Biri im, mos e përbuz qortimin e Zotit, as të mos lëshojë zemra kur ai të qorton, sepse atë që e do Zoti, e edukon me disiplinë, e rreh me thupër atë që e pranon për bir.”
Hiqni keq për edukimin tuaj! Hyji sillet me ju si me bij. Dhe, a ka djalë të cilin i ati nuk e edukon me disiplinë? Dhe njëmend, çdo qortim njëherë për njëherë, nuk duket se sjell gëzim, por trishtim, porse më vonë të ushtruarve në të u sjell fryt paqe dhe drejtësie.
Prandaj çoni lart duart e lodhura dhe gjunjët e molisur, dhe rrafshoni udhët për këmbët tuaja që e çala të mos gjymtohet, por me mirë të shërohet. Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.
Do të vijnë nga lindja e nga perëndimi,
nga veriu e nga jugu, e do të ulen në tryezë në Mbretërinë e Hyjit. Aleluja, aleluja.

Ungjilli Lk 13, 22-30
Jezusi i fton të gjithë në tryezën e shpëtimit, por normat e jashtme dhe praktikat fetare vënë në gjumë ndërgjegjen e mësuesve të popullit, të cilët janë përjashtuar nga shpëtimi. Edhe shumë të krishterë përgjumen, duke menduar se zotërojnë të vërtetën dhe shpëtimin, por do të paraprihen në tryezën e shpëtimit nga njerëzit vullnetmirë që kërkojnë të vërtetën.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, në udhëtim për Jerusalem Jezusi kalonte duke mësuar nëpër qytete e fshatra. Një njeri e pyeti: “Zotëri, a janë pak ata që shëlbohen?” Ai u tha: “Mundohuni të hyni nëpër derë të ngushtë, sepse, unë po ju them: shumë do të kërkojnë të hyjnë, por nuk do të munden. Kur i zoti i shtëpisë do të çohet e do ta mbyllë derën, ju, po mbetët përjashta, do të filloni të trokitni në derë e të thoni: ‘Zotëri, na e hap derën!’ e ai do t’ju përgjigjë: ‘S’di nga jeni!’ Atëherë do të vijoni të thoni: ‘Po ne hëngrëm e pimë me ty e ti mësove ndër sheshe tona!’ Por ai do të përgjigjë: ‘Unë nuk di nga jeni ju! M’u hiquni sysh të gjithë ju që bëni paudhësi!’
Atje do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh, kur t’i shihni Abrahamin, Izakun, Jakobin dhe të gjithë profetët në Mbretërinë e Hyjit e veten të hedhur përjashta. E do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu e nga jugu, dhe do të ulen në tryezë në Mbretërinë e Hyjit. Po se, ka të fundit që do të jenë të parët, e të parë që do të jenë të fundit!” Fjala e Zotit.

23 gusht 2019, 12:41