Kërko

Gesù Cristo benedicente - Vangelo domenica XX - C Gesù Cristo benedicente - Vangelo domenica XX - C 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 20-të gjatë vitit kishtar "C"

Në Ungjillin e kësaj së diele Jezusi flet për paqen e për përçarjen: na thotë se nuk ka ardhur për të sjell paqen, por ndarjen, do të thotë kundërshti, armiqësi. Jezusi ka ardhur për të sjell ‘zjarrin’ e dashurisë. Po, Jezu Krishti e ka ofruar jetën në ‘flakën’ e dashurisë për Atin Qiellor, dhe na e ofron edhe ne ‘flakën’ transformuese të Ungjillit.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Liturgjinë e Fjalës së Zotit të së dielës. Kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 20-të gjatë vitit kishtar,ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 20-të gjatë vitit kishtar "C"

Leximet biblike të kësaj së diele, na ftojnë të reflektojmë mbi domosdoshmërinë e luftimit shpirtëror kundër mëkatit, kundër së keqes, kundër padrejtësive e çdo gjëje që i kundërvihet planit Hyjnor të dashurisë, e në fund të kësaj beteje, të arrijmë gëzimin e Pashkëve të amshuara, në Mbretërinë Hyjnore. 

Leximi i parë ( Jer 38,4-6.8-10) përshkruan Jereminë profet të persekutuar sepse ishte kumtues besnik i Fjalës së Zotit. I dënuar padrejtësisht prej bashkëqytetarëve të vet, Jeremia shpëtohet prej vdekjes nga kujdesi e ndërmjetësimi i një të huaji, i një etiopi, i cili arriti të fitonte prej mbretit mundësinë për t’i dhënë akoma kohë për të jetuar.

Leximi dytë nga Letra e Hebrenjve (Heb 12,1-4) na paraqet të krishterin të gatshëm për të hyrë në garë në një stadium, mbushur përplot me dëshmitarë e rrëfyestarë të fesë. Prandaj i krishteri zhvishet nga gjithçka që e pengon gjatë vrapimit e duke vështruar, shikuar shembullin e madhërishëm të Jezusit të kryqëzuar e të ngjallur, nuk e humbë shpresën, nuk dorëzohet në garën e në betejën kundër mëkatit, po është përherë i gatshëm të japi edhe gjakun. Letra drejtuar Hebrenjve na fton “të vrapojmë me qëndresë...me shikimin të drejtuar mbi Autorin dhe përkryesin e fesë, Jezusin, i cili, në vend të gëzimit që i takonte, pësoi e duroi kryqin”.

Letra drejtuar Hebrenjve pra na fton të rezistojmë, të qëndrojmë deri në fund të fundit, madje, në është nevoja edhe deri “në derdhjen e gjakut”, për të dëshmuar flakën e dashurisë së Krishtit në botën e mëkatarëve. Edhe ne duhet të vijojmë betejën e përditshme për ta liruar botën nga padrejtësia e çdo llojit të së keqes e për ndërtuar qytetërimin e vëllazërimit. Për këtë, duhet të pajisemi me armë të përshtatshme feje, dashurie, qëndrese…E sidomos ta mbajmë vështrimin përherë të ngulur mbi Jezu Krishtin. Prej Tij do nxjerrim jo vetëm mësime dashurie e guximi, por edhe bindjen se kryqi nuk është fjala e fundit mbi fatin e njerëzimit, por Ngjallja.

Pjesa e Ungjillit nga Luka (Lk 12,49-57) na flet për dëshirën e flaktë të Jezusit për të përballuar mundimet e veta, në mënyrë që të ndezi flakën e Shpirtit pastrues e përtëritës. Ungjilli i së dielës pohon se vepra e Jezusit nxit ndër njerëz ndarje e diskriminim në mesin e atyre që janë pro e kundër Tij.

Kështu, Ungjilli i së dielës së 20-të, të ciklit të tretë, ndalet posaçërisht tek simboli i zjarrit, përdorur nga Jezusi për t’u treguar dishepujve qëllimin  e misionit: “Erdha - u thotë Ai atyre - të ndez zjarrin mbi tokë, e sa do të dëshiroja të ishte tashmë i ndezur!”. Është zjarri i Shpirtit Shenjt që vepron në ne që nga Sakramenti i Pagëzimit, forcë krijuese, që pastron, rinon e djeg çdo mjerim njerëzor, çdo egoizëm, çdo mëkat, na shndërron shpirtërisht, na rilind e na bën të aftë të duam.

E zjarri i dashurisë hyjnore mund të kallet flakë e ta bëjë të lulëzojë Mbretërinë e Zotit, vetëm duke u nisur nga zemra hyjnore. Nuk niset nga koka, niset nga zemra!. Prej këndej, ftesa për t’ia hapur plotësisht zemrën veprimit të Shpirtit Shenjt Zot, që Ai të na japë guximin dhe zellin për t’ua kumtuar të  gjithëve Jezusin e mesazhin e Tij ngushëllues të mëshirës e të shëlbimit, duke lundruar në detin e hapur, pa frikë. Kisha, ka nevojë për ndihmën e Shpirtit Shenjt që të mos lejojë ta frenojnë frika dhe llogaritë e të mos e bëjë zakon të ecë në kufij të sigurt. Këto dy sjellje e bëjnë Kishën funksionale,  ia presin gjithnjë rrezikun.

Mos të harrojmë se është zjarri i Shpirtit  Shenjt Zot ai, që e ndez zellin apostolik. Na ndihmon të kapërcejmë mure e kufij, na bën krijues e na nxit të vihemi në lëvizje, të ecim në rrugë të pashkelura a të parehatshme, duke u dhënë shpresë të gjithë atyre, që i takojmë në udhën tonë.

Kështu, Fjala e Zotit e kësaj së diele na thërret të bëhemi gjithnjë më shumë bashkësi njerëzish plot mirëkuptim, njerëz me zemër të gjerë e me fytyrë gazmore, sepse sot, më shumë se kurrë, ndjehet nevoja për meshtarë, rregulltarë e besimtarë laikë, me sytë të ngulur tek apostullimi, njerëz që preken e ndalohen para fatkeqësive e varfërive materiale dhe shpirtërore. E nuk mund të mos i kujtojmë të gjithë ata që i kushtohen kumtimit të Ungjillit në mbarë botën, posaçërisht meshtarët, rregulltarët dhe besimtarët e shumtë. Dëshmia e tyre shembullore na kujton se Kisha ka nevojë për misionarë të pasionuar, të përvëluar nga dëshira për ta çuar kudo Fjalën ngushëlluese të Jezusit dhe hirin e Tij.

Ky është zjarri i Shpirtit Shenjt. Prandaj, nëse Kisha nuk  e merr këtë zjarr e nuk e lë ta përshkojë, bëhet Kishë e ftohtë ose vetëm e vakët, e paaftë për të dhënë jetë, sepse e përbërë nga të krishterë të ftohtë a të fishkur. Fjala e Zotit e kësaj së diele është një porosi për të gjithë e t’i lusim Martirët e Lumë të Kishës katolike shqiptare, martirë të dashurisë së krishterë, që të na mësojnë ta jetojmë zjarrin e dashurisë për Zotin e për të afërmin!.

                                                    Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë: Jer 38,4-6.8-10
Lexim prej Librit të Jeremisë profet
Atëherë paria i thane mbretit: “Kërkojmë që të vritet ky njeri: me qëllim po ua tret guximin luftëtarëve që qëndrojnë në këtë qytet dhe mbarë popullit duke u thënë fjalë të tilla, sepse ky njeri nuk e kërkon të mirën e këtij populli, por të zezën.”
Mbreti Sedeci tha: “Ja, ai është në duar tuaja; mbreti s`ka sesi t`ju mohojë ndonjë send, sepse edhe ashtu s`ka kurrfarë pushteti në dorë!” Kështu, pra, e morën Jereminë dhe e hodhën në një sternë të Malkisë, birit të Mbretit, që ishte në oborr të burgut. Në sternë Jereminë e lëshuan me litar. Në ubël nuk kishte ujë, por baltë. Kështu Jeremia u zhyt në baltë.
Abdemeleku doli nga pallati mbretëror dhe foli me mbretin. I tha: “Imzot, o mbret, kanë vepruar keq ata njerëz gjithçka që kanë bërë kundër profetit Jeremi: e kanë hedhur në ubël që të vdesë aty prej urisë, sepse në qytet nuk ka më bukë!” Atëherë mbreti i dha Abdemelekut etiopas këtë urdhër: “Merri me vete prej këtu tre burra dhe nxirre profetin Jeremi nga ubla para se të vdesë!” Fjala e Zotit!

Psalmi 40
Ref Eja, shpejt, o Zot, e më shpëto

------------------------------------------------
Me shpresë të gjallë shpresova në Zotin
Dhe ai u prir drejt meje,
e vështroi britmën time.
-----------------------------------------------
Ai më nxori nga gropa e mjerimit,
nga gropa plot baltë,
këmbët m`i qiti mbi shkëmb,
dhe m`i bëri të fortë hapat.
------------------------------------------------
Në gojë më vuri një këngë të re,
Himnin e Zotit, Hyjit tonë.
Shumë do të shohin e do të druajnë
Dhe do të shpresojnë në Zotin.
------------------------------------------------

Leximi i dytë: Heb 12,1-4
Lexim prej Letrës së Hebrenjve
Vëllezër, të rrethuar me një mori kaq të madhe dëshmitarësh, ta flakim tej çdo barrë dhe mëkatin që na pengon dhe të vrapojmë me qëndrese në luftim që na u caktua, me shikim të drejtuar mbi Autorin dhe Përkryesin e fesë, Jezusin, i cili, në vend të gëzimit që i takonte, duroi kryqin duke e përbuzur turpin dhe ndenj në të djathtën e fronit të Hyjit. Mendoni, pra, atë, që duroi nga ana e mëkatarëve një kundërshtim aq të madh kundër vetes, në mënyrë që ju të mos moliseni dhe të mos ju lëshojë zemra. Ju ende, duke luftuar kundër mëkatit, nuk bêtë qëndresë deri në derdhje të gjakut. Fjala e Zotit!

Aleluja!
Hape, o Zot, zemrën tonë
Që t`i pranojmë fjalët e Birit tënd.
Aleluja!

Ungjilli Lk 12,49-57
Lexim i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënëseve të vet: “Erdha të sjell zjarrin mbi tokë e sa dëshiroj të ishte tashmë i ndezur flake! E po, më duhet të pagëzohem me pagëzim, e sa ngushtë jam derisa të kryhet! A kujtoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo, po ju them por përçarjen!
Qysh tash, për të vërtetë, pesë anëtarë në një shtëpi, do të jenë të ndarë: tre kundër dyve e dy kundër treve: Babai do të zihet me djalë, e djali me babanë, nëna me të bijën, e bija me
t`ëmën, vjehrra me të renë e reja me vjehrrën.” Mandej iu drejtua turmës: „kur shihni renë se çohet në perëndim, përnjëherë thoni: `Do të bjerë shi, dhe ndodh ashtu. Kur shihni se fryn shiroku, thoni: `Do të bëj vapë` dhe bën vapë. Shtiracakë. Dukën e tokës e të qiellit dini ta çmoni, por këtë kohë nuk dini? Përse ju vetë nuk gjykoni vetvetiu ç`është e drejtë? Fjala e Zotit!

 

16 gusht 2019, 15:40