Kërko

 Pyjet në Islandë Pyjet në Islandë 

Koha e Krijimit: Kek e Ccee bëjnë thirrje për lutje dhe impenjim

Të krishterët e mbarë botës do të kremtojnë së bashku “Kohën e Krijimit”. Shpresohet se në këtë “Kohë” do të kenë mundësi të flasin njëzëri në mbrojtje të shtëpisë së përbashkët.

R. SH. - Vatikan

Pas pak javësh, katolikët, anglikanët, luteranët e ungjillorët e mbarë botës,  do të kremtojnë së bashku “Kohën e Krijimit”, nismë ekumenike, që synon t’i sensibilizojë të krishterët për mbrojtjen e shtëpisë së përbashkët. Tema e zgjedhur është “Rrjet jete”, me vëmendje të posaçme mbi biodiversitetin, në një kohë kur vijon me shpejtësi shqetësuese zhdukja e specieve të ndryshme të gjalla. Sipas një raporti të kohëve të fundit të Kombeve të Bashkuara, nga çdo tetë specie, që jetojnë sot mbi tokë, një është në rrezik të zhduket.

Me këtë rast, bëhen të njohura Mesazhet e të nderuarit Christian Krieger dhe kardinalit Angelo Bagnasco për të krishterët e Evropës. Janë ftesë për ta vrojtuar Kohën e Krijimit e për t’u përgatitur për lutjen ekumenike të Asizit, duke fituar vetëdijen dhe përgjegjësinë ndaj njeriut e krijimit e duke e respektuar jetën nga zënia, në perëndimin e natyrshëm.

“Koha e Krijimit”, do të vijojë nga 1 shtatori, ditë botërore e lutjes për kujdesin ndaj krijimit, shpallur nga Patriku i Kostandinopojës Dimitrios, në vitin 1989, për ortodoksët, të cilën Papa Françesku e bëri të vetën më 2015-tën, e deri më 4 tetor, festa e Shën Françeskut  të Asizit, që njihet si pajtor i ekologjisë nga tradita të ndryshme të krishtera. Tema e lutjes ekumenike të Asizit,  që do të mbahet më 31 gusht e 1 shtator 2019, është: “Të ecim së bashku drejt Cop24”.

Konferenca e Kishave Evropiane (Kek) dhe e Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (Ccee), përmes mesazheve të kryetarit të Kek, të nderuarit Christian Krieger, pastor i Kishës protestante të reformuar të Alsasës e Lorenës, dhe kryetarit të Ccee, kardinalit Bagnasco, u kërkojnë të krishterëve, dhe bashkësive të tyre të luten e të kujdesen për ambientin,

Kek: të dëshmohet Zoti si krijues

“Ndërsa kriza ambientale thellohet e me të, edhe pasojat - shkruan i nderuari Krieger, në mesazhin e Kek - të krishterët janë të thirrur ta dëshmojnë “me fjalë, me vepra e me lutje”, besimin e tyre në Zotin. Koha e krijimit, për familjen e krishterë, larg çdo prirjeje për të sunduar, është mundësi për ta kremtuar së bashku Zotin si Krijues”, duke i shprehur mirënjohjen për dhuratën e jetës, duke i kërkuar falje për shpërdorimin e ambientit e të burimeve të tij natyrore e duke u angazhuar të veprojnë. Kryetari i Kek u kërkon besimtarëve ta forcojnë lidhjen me Zotin, me njëri-tjetrin e me gjithë Krijimin!

Ccee: ekologji  e gjithanshme

Ndërsa Kardinali Baganasco, në mesazhin e tij, shpjegon se ekologjia ambientale duhet të jetë e gjithanshme, domethënë, edhe ekologji njerëzore, që respekton dinjitetin e çdo njeriu e sidomos, jetën, nga lindja, në vdekjen e natyrshme. Kërkon, prandaj, të tregohet kujdes plot dashuri për njerëzit, popujt, kombet, parë në kontekstin ekologjik universal, ndaj të cilit ka përgjegjësi mbarë njerëzimi.

Një doracak on line

Ndërmjet organizatorëve të nismës, janë Bashkimi Anglikan, Federata Botërore Luterane, Këshilli Botëror i Kishave dhe Aleanca Ungjillore Botërore, por edhe dikasteri për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm  të Njeriut. Për ta jetuar sa më mirë këtë muaj, mund të lexohet doracaku on line,  i cili shpjegon domethënien teologjike të biodiversitetit të tokës, që ushqen ciklin e jetës. Dokumenti propozon edhe një liturgji për një takim ekumenik lutjeje, lexime me temë ekologjike, link me komente eko-teologjike e himne. Në doracak gjinden edhe këshilla për bashkësitë, të cilat dëshirojnë të organizojnë fushata e të marrin pjesë në nisma lokale e globale, për të mbrojtur ekosistemin.

“Ankohemi se shumë krijesa të Zotit po zhduken nga toka me një ritëm, që nuk arrijmë dot as ta kuptojmë” -  komentojnë në hyrje të doracakut liderët e Kishave të ndryshme, që u bashkuan me nismën, duke nisur nga insektet e vogla, tek gjitarët; nga bimët mikroskopike, tek pemët vigane: bimë e krijesa  po shuhen njëra pas tjetrës e rrezikohen të zhduken përgjithmonë. E kjo është humbje tragjike - theksojnë autorët e doracakut - të cilët u kërkojnë të krishterëve “ta kremtojnë bukurinë e dhuratës hyjnore të krijimit me lutje, psalme e shkrime të tjera”; “Të reflektojnë për mënyrën me të cilën po e rrënojmë krijimin”; “Të thellojnë njohuritë e bashkësive të krishtera mbi natyrën dhe ekologjinë dhe ta mbrojnë natyrën, duke u nisur nga shtëpitë e veta, për të vijuar në shkolla, kisha e mjedise të tjera, ku krijimi takohet me gjithë larushinë e vet”.

Shpresohet se në këtë “Kohë krijimi” të krishterët do të kenë mundësi të flasin njëzëri. U krijohen plot mundësi, si në këtë takim, ashtu edhe në samititn  e OKB-së për klimën, në shtator; në Sinodin për Amazonën,  në tetor e në Kongresin botëror mbi natyrën, në qershor. Është një mundësi për ta dashur fytyrën e Zotit, ashtu si duket në Amazonë e në vende të tjera të botës, nga më të njohurat, tek më të harruarat!

Kuptimi i fjalës Biodiversiteti

Kujtojmë se Biodiversiteti është diversitet gjenetik i llojeve dhe eko-sistemeve.  Biodiversiteti nënkupton tërësinë e llojeve dhe ekosistemeve në një rajon apo në gjithë globin, ose, shprehur ndryshe, paraqet shumëllojshmërinë e jetës mbi tokë. Jeta e gjallë në tokë ka nivele të ndryshme duke filluar nga ADN-ja, llojet dhe ekosistemi.

Sipas të dhënave shkencore në tërë botën deri tani janë identifikuar 1,75 milion lloje. Por sipas vlerësimeve të shkencës, ekzistojnë edhe miliona  të tjera, të paidentifikuara, shumica e të cilave gjinden në vendet tropikale (vlerësohet se numri i llojeve mund të jetë mbi 5 milion).

02 gusht 2019, 13:39