Kërko

 Kryqi Kryqi 

Irak. Kardinali Filoni: për kthimin e të krishterëve, duhen garanci.

Pesë vjet pas ikjes së të krishterëve nga Rrafshi i Ninives dhe Mosuli, Kisha irakiane kërkon rindërtimin e fshatrave të rrënuara nga Shteti Islamik dhe kushtet e nevojshme për garantimin e sigurisë, të drejtave dhe mirëqenies të bashkësisë së krishterë.

R. SH. - Vatikan

U mbushën pesë vjet nga dita e zezë, kur bashkësitë e krishtera irakiane u dëbuan nga Rrafshi i Ninives. Milicitë e Shtetit të vetëshpallur Islamik  i detyruan 120 mijë të krishterë t’i braktisin shtëpitë dhe gjithë ç’patën, pa marrë asgjë tjetër me vete, veç lotëve të largimit, që dukej pa kthim. Po Zoti po i kthen besnikët e vet përsëri në trojet e të parëve. Në një atmosferë vërtet biblike. Rikthimi nisi që në vitin 2017, pas shpartallimit të Kalifatit e, aktualisht, më se 46% e familjeve të këtij rajoni, u kthyen rishtas në strehët e tyre, ndërsa vijojnë projektet për rindërtimin e fshatrave, që po çohen para nga Fondacioni i së drejtës papnore Ndihmë për Kishën që Vuan, financuar nga qeveritë perëndimore e donatorët ndërkombëtarë.

Në Mosul, rindërtimi është akoma i largët

Situata në Mosul është më e ndërlikuar. Atje po kthehen vetëm disa dhjetra, prej 15 mijë të krishterëve të ikur nga sytë këmbët. Në Mosul,  qyteti i dytë i rëndësishëm irakian, nuk ka nisur ende rindërtimi, sepse mungon qeveria e qëndrueshme. Ojq-të ndërkombëtare, të njëjtat shoqata të lidhura me Kishën, nuk mund ta nisin zbatimin e projekteve, për mungesë sigurie e fondesh - tregon për AziaNews atë Saimir Youssef, famullitar i dioqezës Amadiya, që këto vite u kujdes për mijëra të krishterë, myslimanë e yazidë, të ikur verën e vitit 2014 nga Mosuli e nga Rrafshi i Ninives.

Kardinali Filoni: t’u garantohen të krishterëve të drejtat e plota civile

 I intervistuar nga Vatican News, kardinali Fernando Filoni, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve e ish-nunc apostolik në Irak e Jordani nga viti 2001 deri më 2016, vë theksin mbi nevojën për më shumë garanci ligjore, kombëtare e ndërkombëtare për pakicat fetare, që kanë të drejtë të vijojnë të jetojnë në Irak:

“Më duket se në këtë çast Iraku synon, para së gjithash, sistemim të tipit ligjor, parë si burim i së drejtës për të gjithë. Besoj se Patriarku aktual kaldeas po kërkon një udhë, në të cilën sigurohen të gjitha të drejtat.  Ndonëse kjo nuk është e lehtë, për shkak të kulturës e të mendësisë së këtij vendi. Por kjo dëshirë për t’u garantuar gjithë të krishterëve të drejtat e tyre, është plotësisht e kuptueshme e nuk duhet parë si tolerancë,  as si lëshim, por si kërkesë legjitime. Sepse të gjithë - pakica a shumica - kanë të drejtë të plotë të jetojnë të lirë në vendin e tyre, duke i gëzuar të gjitha liritë, civile e fetare”.

Synimi kryesor, sipas jush?

“Mbi të gjitha, dëshirohet të rivendoset paqja për të gjithë! Në këtë vend, ku të krishterët kanë qenë gjithnjë element moderimi në gjirin e shoqërisë, sepse janë njerëz që dinë të falin, të pajtohen, të jetojnë paqësisht. I praktikojnë prej shekujsh këto virtyte. Prandaj edhe vetë myslimanët u thonë: ‘Ju jeni element i moderimit. Ju lutemi, mos shkoni!’. Po, për fat të keq, atyre iu desh të shkonin. E vijojnë të shkojnë… Prej këndej, sfida i takon mbarë bashkësisë ndërkombëtare, që duhet të shqetësohet seriozisht për pakësimin e numrit të të krishterëve në gjithë Lindjen e Mesme.  Më ka pëlqyer shumë rrëfimi i ipeshkvit kaldeas të Mosulit, atë Najib, që tregon: “Shpëtova shumë libra të çmuar, nuk kanë vlerë tregtare, por kanë rëndësi të pallogaritshme në këndvështrimin historik, kulturor e fetar. Kështu nuk shpëtova librat, po njerëzit, kulturën, bashkësinë”. Kjo më pëlqen shumë, ngaqë tregon se, së pari, duhet rikrijuar atmosfera e jetës së  njerëzve, e më pas, edhe ajo e shoqërisë civile, arkitektonike, kulturore…”.

07 gusht 2019, 14:47