Kisha e rindërtuar e shenjtorëve Beniamini e Sara në Qaraqosh të Irakut Kisha e rindërtuar e shenjtorëve Beniamini e Sara në Qaraqosh të Irakut 

Irak, atë Jahola: nga rrënojat lind e ardhmja

Dje, në festën e të Ngjiturit të Zojës në Qiell, në Qaraqosh të Irakut, u përurua një kishë, që ishte shkatërruar nga xhihadistët e Shtetit Islamik, në vitin 2014.

R.SH. - Vatikan

Shpresuan përtej çdo shprese, duke besuar në fjalët e Ungjillit: “Portat e ferrit nuk do të ngadhnjejnë”. Kjo është bashkësia e krishterë e Qaraqosh-it, në Irak, që pas ikjes tragjike, për t’i shpëtuar dhunës së tërbuar të Isisit, u mblodh dje në kishën e rindërtuar të shenjtorëve Beniamini e Sara, për të festuar rilindjen e saj. Famullia qe shkatërruar në vitin 2014 nga Shteti Islamik.

Kanë kaluar pesë vite nga dëbimi i bashkësive të krishtera nga Pllaja e Ninives. “Por kurrë”, thekson në mikrofonin tonë atë George Jahola, “nuk kemi reshtur së imagjinuari sa e bukur do të ishte kisha jonë, pasi të sistemohej”.

Në ditën e Zojës së Madhe, rilindi edhe bashkësia e krishterë e kësaj zone të Irakut, e cila tashmë, numëron vetëm 800 familje, gjysma e atyre që banonin më parë këtu. “Duam të jetojmë në paqe”, thotë famullitari, atë Georges Jahola, duke u bërë jehonë fjalëve të shqiptuara nga kardinali Fernando Filoni, gjatë homelisë së 3 gushtit, kur ndodhej për vizitë në këtë vend: “Pashë fenë e jo urrejtjen në sytë e të krishterëve të persekutuar në Irak”. Por të dëgjojmë atë Jahola-n:

Në vitin 2014, i lamë kishat dhe shtëpitë. Qyteti kishte rreth 50 mijë banorë të krishterë. Tani jemi gjysma, rreth 26 mijë. E filluam ta mendonim rindërtimin që para çlirimit të qytetit, në Pllajën e Ninives, ku ishim refugjatë. Si mund të rikthehemi? Në ç’mënyrë? Jemi marrë me këtë si Kishë, sepse qeveria nuk është kurrë e pranishme, kur duhet. Kemi punuar për të rindërtuar shtëpitë dhe bashkësitë si besimtarë, sepse kjo është ndjenja jonë e përkatësisë si në famullinë, ashtu edhe në bashkësinë, që dikur kremtonte meshë e funksione të tjera, e tani kujdeset sërish për vendin e vet.

Nga arritën fondet e përdorura në rindërtim? Kush u kujdes për ju?

Kemi marrë fonde nga organizatat e krishtera dhe nga bashkësi katolike e jo-katolike. Kardinali Filoni, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kur ishte këtu më 3 gusht, tha se nuk pa urrejtje në sytë e të krishterëve të persekutuar të Irakut. Kjo ka shijen e mrekullisë… Ne i japim dorën paqes dhe duam të jetojmë në paqe me të tjerët. Kështu na ka mësuar Ungjilli e Zoti, pra, duhet të jemi mjete të paqes e të jetojmë në paqe. Përpiqemi me çdo mënyrë ta realizojmë këtë, pikërisht këtu, ku shumica është myslimane, ku akoma ndokush mund të mbartë urrejtje. E besojmë vërtet këtë, besojmë në faljen dhe në lënien e së kaluarës pas shpine për të shkuar drejt së ardhmes.

Si e festuat të kremten e djeshme?

U mblodhëm së bashku me ipeshkvin, meshtarët e famullisë, besimtarët, por edhe me miqtë e shumtë, që na kanë ndihmuar. Të gjithë këta njerëz nuk e shohin bashkësinë të rilindë vetëm si gurë kishe, por si fe rreth Krishtit, që kremton Ringjalljen. Pra, Ngjallja e Krishtit është ringjallja e vetë bashkësisë, që ecën përpara. Jemi rreth 800 familje. Kisha, që ishte krejt e zezë, e shkatërruar, një ditë do të kthehet si më parë. E do të dalë mbi ujë edhe thesari i madh, që njerëzit kanë në shpirt. Jeta lind nga hiri e kjo është jetë e re për ne.

16 gusht 2019, 12:54