Imzot Pierbatista Pizzaballa Imzot Pierbatista Pizzaballa 

Imzot Pizzaballa tek Papa: të krishterët nuk do të zhduken nga Toka Shenjte

Papa Françesku priti në audiencë Administratorin Apostolik të Patriarkatit latin të Jeruzalemit, imzot Pierbattista Pizzaballa, me të cilin shkëmbeu mendime për sfidat e Tokës Shenjte. Ndërkaq rifillimi i shtegtimeve po u rikthen qetësinë bashkësive të krishtera.

R. SH. - Vatikan

Jeta e Kishës në Palestinë, në Izrael, në Jordani; baritoria për të rinjtë në Tokën Shenjte; formimi i meshtarëve; ikja e masive e të krishterëve dhe dialogu ndërfetar ishin temat, që u prekën gjatë audiencës së imzot Pizzaballës, Administrator Apostolik i Patriarktit latin të Jeruzalemit, tek Papa, në Vatikan.

Në Lindjen e Mesme, ndryshime epokale

Kisha në Lindjen e Mesme vijon të angazhohet për pajtimin dhe paqen në shoqërinë arabe, të tronditur nga konfliktet dhe tensionet – kujtoi, duke folur për Vatican News – imzot Pizzaballa - që u ndalua kryesisht tek problemi i emigrimit të të krishterëve:

“Janë tema, që kanë të bëjnë jo vetëm me jetën e Kishës, me situatën në të cilën ndodhet Kisha në Palestinë, në Izrael, në Jordani… realitete të ndryshme të territorit që, siç e dimë të gjithë, nuk janë të thjeshta në këndvështrimin politik e as në atë fetar”.

Pas disfatës të Shtetit të vetëshpallur Islamik, besojmë se po kërkohet  udha për paqen e pajtimin në Lindjen e Mesme…

“Trojet e dioqezës sonë nuk kanë pasur punë me Shtetin Islamik, por pasojat janë ndjerë edhe ndër ne, me më se tre milionë refugjatë në Jordani. E është e vërtertë edhe se e tërë Lindja e Mesme pësoi ndryshime  epokale, që nuk kanë përfunduar akoma: jemi ende në një fazë të gjatë, të ngadalshme, një tranzicioni tejet të dhimbshëm, që peshon rëndë mbi të gjithë popujt – edhe tonët”.

Posaçërisht në qendër të vëmendjes është çështja e shpërnguljes së të krishterëve dhe njohja e të drejtave të tyre. Mendoni se të krishterët mund të kontribuojnë edhe për ta mbajtur të bashkuar indin shoqëror të Lindjes së Mesme?

“Të krishterët, siç e kujtuat edhe ju, kanë pasur gjithnjë rol shumë të rëndësishëm në jetën e gjithë Lindjes së Mesme, në të gjitha vendet:  ndryshe është situata në Siri e Irak, e ndryshe në Jordani, në Palestinë e në Tokën Shenjte: është e ndryshme, por problemet e lidhura me ekonominë janë shumë të forta - përveç problemeve fetare. Por të krishterët nuk do të zhduken nga Lindja e Mesme: do të ndryshojnë përqindjet, sigurisht, do të kemi sfida të reja…Por jo zhdukje! Tërë Lindja e Mesme është në ndryshim, e ndryshimet nuk janë vetëm të natyrës ushtarake, por edhe kulturore; nuk mungojnë as brenda botës islamike. E këtu të krishterët vijojnë të mbartin mbi shpinë edhe pasojat e trazirave të botës islamike, prandaj duhet të presim: ne, të krishterët do të japim ndihmesën tonë, por pa i lënë mënjanë problemet tona, që janë serioze, posaçërisht ato të emigracionit”.

Bashkëjetesa ndërmjet feve ka rëndësi të veçantë në Jeruzalem. Si është situata?

“Fetë në Jeruzalem, në Tokën Shenjte, në Izrael e Palestinë janë pjesë e identitetit kombëtar. Prej këndej, nuk është fjala thjesht për fenë, por edhe për bashkësinë, identitetin, historinë, traditën…. të gjitha këto përzjehen pastaj edhe me politikën. E kjo i bën marrëdhëniet gjithnjë më të ndërlikuara. Vetëm se ne, të krishterët, jemi pakëz më të lirë, ndonëse jo plotësisht, e kjo na ndihmon të takohemi e të dialogojmë!”.

Me rikthimin e sigurisë në Jeruzalem e në Tokën Shenjte, u rikthyen edhe shtegtarët; domethënë të gjithë besimtarët e botës mund të vijnë lirisht për t’i vizituar Viset e Shenjta?

“Po: e kjo është një nga gjërat më pozitive. Vitet e fundit është shtuar shumë numri i shtegtarëve, që vijnë ndër ne nga mbarë bota. E jo vetëm nga Perëndimi, por kryesisht nga Azia. Na e kanë kthyer buzëqeshjen, sepse sjellin edhe punë për shumë familje, posaçërisht të krishterat:  e kjo i jep identitetin  Kishës sonë, Kishë universale, e hapur për mbarë botën! Që i përket mbarë njerëzimit!”.

31 gusht 2019, 18:31