Imzot Gjergj Meta, ipeshkëv i Rrëshenit Imzot Gjergj Meta, ipeshkëv i Rrëshenit 

Imzot Gjergj Meta komenton letrën e Françeskut: Papa nuk flet për meshtarinë, por për meshtarin

Një reflektim i shkurtër i ipeshkvit të Rrëshenit, imzot Gjergj Meta, rreth letrës së Papës Françesku drejtuar meshtarëve: Letra u bë e njohur dje, në festën liturgjike të shën Gjon Maria Vianejt, pajtor i gjithë meshtarëve. Më poshtë, komenti i sekretarit të përgjithshëm të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.

R.SH. - Vatikan

Imzot Gjergj Meta

Është një letër që flet për jetën dhe që i flet jetës së meshtarëve, ajo që Françesku ka shkruar në këto ditë të nxehta vere, pikërisht me rastin e 160 vjetorit të vdekjes së Jean Maria Vianney, Pajtorit të famullitarëve. Po, sepse aktualisht ata, meshtarët, janë në shënjestër. Në disa vende as që merren parasysh. Në shumë vende shihen me dyshim. Sigurisht nuk mungojnë vendet, gjithnjë e më pak, ku ende janë të nderuar e të dashur prej njerëzve.

Nuk e di çfarë ka pasur ndërmend Papa kur ka shkruar këtë letër, por ka bërë mirë. E bukura është se Papa nuk flet për meshtarinë, por për meshtarin, për atë njeri konkret i cili është prej mishit e prej gjakut. Ashtu sikurse Jezusi nuk fliste për tradhëtinë si koncept teorik, por i fliste gruas që ishte zënë në tradhëti, nuk fliste për dashurinë ndaj të varfërit, por për Samaritanin e mirë. Jezusi tregonte, krijonte marrëdhënie me njerëzit, u fliste atyre e prekte plagët e tyre. Ndoshta sepse abstragimi nuk i përket botës së Biblës e as botës hebraike, ku narracioni është më i rëndësishëm se sa konceptet teorike. Ashtu sikurse në Amoris Laetitia Papa Françesku nuk flet për familjen abstrakte, por u flet familjeve të sotshme, atyre të shekullit XXI, po ashtu ai në letrën e tij i flet meshtarit të së sotmes, atij të jetës së përditshme në një tokë të caktuar e në një situatë të caktuar.

Ndoshta do të kisha dashur që letra të niste ndoshta me një tjetër lloj dhimbje, atë fjala bie të martirëve shqiptarë, që ka ndodhur disa dekada më parë, ku meshtarë dhe ipeshkëvinj u pushkatuan, u burgosën e u dënuan me punë të detyruar nga regjimi komunist. Papa mund ta kishte nisur letrën e tij me dhimbjen që u është shkaktuar bashkësive të krishtera në Afrikë apo në Amerikën latine, për shkak të vrasjeve të meshtarëve dhe motrave që punojnë aty për çlirimin e njerëzve nga vargonjtë e shfrytëzimit dhe të skllavërive moderne. Apo nga meshtarët dhe ipeshkvinjtë e Kinës klandestine që kanë dhënë një dëshmi shumë të fortë besimi dhe besnikërie.

Megjithatë, është bërë pothuajse e detyrueshme që, kur flasim për meshtarë, në kohët e sotshme, na vijnë menjëherë në mend e na dridhet zemra për viktimat e abuzimeve seksuale. Para çdo gjëje tjetër flasim për atë përvojë që na bën të gjithëve me turp e na bën të ulim kryet. Kështu është! Nuk mundemi e nuk duhet të fshihemi që të mos përsërisim më të kaluarën.

Por më pas Papa ngrihet e nis fluturimin. Niset nga situatat shpesh të mundimshme të shumë meshtarëve, por edhe të ipeshkëvinjëve. Nga çastet e punës, të zhgënjimeve, të frustrimeve, por duke na kujtuar lartësinë e thirrjes tonë. Është e vërtetë. Sot shumë meshtarë jetojnë situata frustrimi dhe lodhjeje, pak sepse është vetë jeta e tyre e tillë, pak për shkak të situatës së përgjithshme të shoqërisë dhe të Kishës. Shumë meshtarë kanë vështirësi me celibatin, të tjerë ia përtojnë punëve të shërbesës meshtarake, disa sepse jetojnë në situata të paqarta “bashkëpunimi” me pushtetin apo me paratë. Të tjerë sepse kanë gjetur te meshtaria një strehim për problemet e tyre kurrë të zgjidhura ndryshe. Janë shumë situata që krijojnë vetmi nga e cila është e vështirë të dilet nëse nuk gjendet dikush që të jep dorën e të tërheq.

Ja pse Papa jezuit flet për shoqërimin shpirtëror si një mik të cilit i hap zemrën tënde. Më vjen ndër mend një prej etërve të mi shpirtërorë i cili edhe sot e kësaj dite më ndihmon të shoh brenda vetes me kujdes. Edhe pse ai për shumë rrethana nuk e ushtron më shërbesën meshtarake, më jep gjithmonë një shikim të ri rreth gjërave e sidomos kur jam në vështrësi.

Ndoshta shumë prej nesh sot duhet të reflektojnë rreth një sëmundjeje që Papa e përmend, por që vjen nga tradita e Kishës: plogështia (akedia). Është një sëmundje e shpirtit, e quanin demoni i mesditës e ishte sëmundje tipike e botës murgjërore. Por sot ka prekur të gjithë e në terma klinikë sot e quajnë depresion. Është një lloj trishtimi për jetën që të mbyll, të mbyt e gati-gati të paralizon. Është një nga mendimet (loghismoi), sikurse i quanin etërit e shkretëtirës, në mënyrë të veçantë Evagri, që e vret shpirtin, e dobëson, e trishton atë. Lufta ndaj kësaj gjendjeje nuk është e pamundur, madje e domosdoshme. Luftimi i brendshëm, për të cilin fatkeqësisht flasim gjithnjë e më pak, i cili nuk mësohet më as nëpër seminare apo nëpër shtëpi formimi rregulltarësh, është një “luftë për jetën” që sot bëhet gjithnjë e më e vështirë, por jo e pamunudr. Luftimi shpirtëror na hap ndaj shpresës dhe na bën të mprehim shikimin me guxim drejt së ardhmes.

Duhet t’i themi faleminderit Papa Françeskut për këtë letër e cila, e lexuar dhe e medituar nga ana e meshtarëve, është një ndihmë e madhe për jetën tone.

Ne ipeshkëvinjtë e dimë se çfarë ndodh me meshtarët. Jemi edhe ne vetë të tillë. Kam qenë edhe unë deri para dy vjetësh. Jetojmë përditë me to, e sidomos unë që kam vetëm 7 meshtarë në dioqezë e më duhet të jem njëri prej tyre, për shkak të mungesave. Nuk duhet në asnjë mënyrë të anashkalohen meshtarët apo të trajtohen thjesht si “tapabucchi”, thjesht për të mbuluar zonat ku nuk ka meshë, sepse kemi pak meshtarë. Nuk janë meshtarët vetëm ata që duhet të thonë meshën e mjaft. Ex opere operato nuk është një magji, por edhe vepër e një njeriu me mish e me gjak, përveçse vepër e Hyjit i cili është vepruesi kryesor. Mishi e gjaku i meshtarit janë të rëndësishme madje edhe në vetë shugurimin e bukës dhe të verës, sepse ai i jep si ushqim për të gjithë, pasi Krishti bëhet njësh me të. Askush nuk mund të japë çka nuk ka. Përkujdesja ndaj meshtarëve, shpirtit, trupit, psikes së tyre, janë të rëndësishme për një jetë baritore më të frytshme, por që edhe jeta e tyre të ketë një kuptim. Kujdesi për meshtarin është kujdes për njeriun, për kumtimin e Ungjillit. Është kujdes për jetën.

Dëgjo imzot Gjergj Metën...
05 gusht 2019, 16:06