Kërko

Festivali i të rinjve në Medjugorje Festivali i të rinjve në Medjugorje 

Imzot Fisichella në Medjugorje: dashuria e mund vdekjen

Përfundon zyrtarisht nesër edicioni i 30-të i Festivalit të të Rinjve në Medjugorje të Bosnjë-Hercegovinës, ku ata ndodhen që nga 31 gushti. Por sot, në orën 19.00, kryetari i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri, imzot Rino Fisichella, kremtoi meshën për mbylljen e veprimtarisë, që për pesë ditë me radhë i impenjoi të rinjtë nga mbarë bota në lutje, shtegtime në kodrinën e dukjes së Zojës së Medjugorjes, reflektime, adhurime të të Shenjtnueshmit Sakrament e shkëmbim dëshmish.

R.SH. - Vatikan

Kujtojmë se 5 gushti, sipas fjalëve që Zoja i ka thënë njërës prej vegimtareve, Vickës, është ditëlindja e shën Marisë. Më 1 gusht 1984, Zoja kërkoi përgatitjen e një Triditëshe lutjeje për të kremtuar, më 5 gusht, ditëlindjen e saj. Kjo periudhë përkon me Festivalin Rinor, që mbahet çdo vit.

Katekizmi i imzot Fisichella-s

         Vetëm pak orë më parë, gjithnjë sot pasdite, imzot Fisichella mbajti një katekizëm mbi kuptimin e jetës, pyetje e rëndësishme e çdo moshe, por sidomos e moshës rinore, kur çdo i ri përpiqet të gjejë udhën e vet. Imzot Fisichella mori shkas nga Vepra e Apostujve e pikërisht, nga faqja ku tregohet për Filipin, që ungjillëzon eunukun-funksionar të mbretëreshës së Etiopisë, duke i shpjeguar atij historinë e Krishtit, rëndësinë e pagëzimit në Të e duke e kthyer në fenë e krishterë.

         Duke shtruar pyetjen si duhet të jetë ungjillëzuesi, kreu i Dikaterit vatikanas përshkoi, edhe me ndihmën e citimeve nga filozofë të mëdhenj të krishterë, udhën, që duhet të përshkojë çdo i ri për t’i dhënë kuptim jetës së vet e për t’ua transmetuar më pas këtë kuptim edhe bashkëmoshatarëve.

Kriza e sotme e kuptimit të jetës

         “Mund ta kondensojmë çastin shpirtëror, që po kalojmë, në shprehjen ‘krizë kuptimi’ – vërejti imzot Fisichella. - Duket se sot, në fragmentimin e përgjithshëm të jetës dhe të vetë dijes, nuk kemi më një pikë referimi të vërtetë dhe të përbashkët, që na jep mundësi ta vëmë në hulli e ta gjykojmë jetën tonë personale dhe komunitare”. Prandaj, vazhdoi ai në katekizmin për të rinjtë, kur pyesim ç’kuptim ka jeta nuk e bëjmë këtë vetëm për vete, hyjmë në një univers pa barriera individualizmi, pasi kjo pyetje ka të bëjë me njeriun si të tillë. E pikërisht nga përgjigjja, që i japim, e vendosim veten në njërën, apo në anën tjetër të barrikadës, me të cilën ndahet çka sjell përparim, kulturë, humanitet e liri me atë, që sjell copëzim e fragmentarizim.

Dashuria më sublime është ajo e Krishtit

         Imzot Fisichella thirri në ndihmë Apostullin e Popujve. Në Letrën drejtuar Galatasve, shën Pali shkruan se jetën e tij si njeri me mish e gjak, si njeri i kësaj bote, ai e jeton me besim në Birin e Zotit, që e deshi dhe dha jetën për të e për secilin. “Nuk gjejmë shprehje më të mirë se këto fjalë të apostullit për të evokuar udhën, që jemi të thirrur të përshkojmë”, nënvizoi prelati. Është “dashuria”, ajo më sublimja, si ajo e Krishtit, që do ta shpëtojë botën, pavarësisht se kërkon një impenjim të jashtëzakonshëm e sakrifica të mëdha.

         “Ç’do të thotë të duash e të duhesh? – pyet kryeipeshkvi. - Për njeriun e sotëm, i cili shpesh e ngatërron dashurinë me pasionin, ose përjeton dështimet e asaj, që ai e quan dashuri, bëhet e vështirë të shtrosh një pyetje të tillë; megjithatë, vetëm në atë masë me të cilën do të jetë në gjendje t’i përgjigjet dashurisë, do të mund t’i bëjë ballë edhe pyetjes për kuptimin e dhimbjes dhe të vdekjes. Në të kundërt, çështja e kuptimit të jetës do t’i nënshtrohet gjithmonë shantazhit të absurdit dhe nuk do të jetë në gjendje ta prekë njeriun në instancën më personale që është ajo e jetës dhe jo e vdekjes”.

Kënga e Këngëve

         E imzot Fisichella përmendi këtu “Këngën e Këngëve”, tekst biblik i mrekullueshëm poetik, që i thur lavde dashurisë, duke arritur në përfundimin “E fortë si vdekja është dashuria” (8,6). Thelbi i “Këngës së Këngëve”, që nga ky këndvështrim përgatit gjithë teologjinë e shën Gjonit e të shën Palit, është i gjithi këtu: fitorja dhe triumfi i përkasin dashurisë dhe jetës, që mposhtin vdekjen. Me pak fjalë, nëse ekziston diçka (Dikush) që mund të fitojë mbi armikun e vërtetë, unik dhe të fundit të njeriut, kjo është dashuria. E dashuria e plotë shprehet në flijimin e Krishtit për të gjithë njerëzit.

Dashuria e krishterë, përgjigjja që i jep kuptim jetës

Pra, përfundon imzot Fisichella pas një analize të gjatë të tekstit biblik të Këngës, që i thur lavde dashurisë ndërmjet burrit e gruas, dashuria që vjen nga natyra nuk mund të përmbushet duke mbetur në vetvete. Kjo nuk do të thotë se është negative dhe duhet të refuzohet vetëm sepse është e kufizuar, përkundrazi. Të gjitha format e ndryshme të dashurisë njerëzore bëjnë pjesë në një rrugë paraprirëse, e cila, megjithatë, duhet të çojë në dashurinë e krishterë; ajo mbetet përgjigjja e fundit dhe plot kuptim, e aftë të shkojë përtej kufirit të vdekjes”.

05 gusht 2019, 16:48