Ndeshje e demonstruesve me policinë në Hong Kong Ndeshje e demonstruesve me policinë në Hong Kong 

Hong Kong: kardinali Tong Hon bën thirrje për lutje. “Situata është shumë kritike”.

Ndërsa në Hong Kong situata duket se do të shndërrohet në konflikt nga çasti në çast, me një shkallëzim shqetësues dhune e fantazmën e ndërhyrjes ushtarake të Kinës, fare pranë, kardinali John Tong Hon, administrator apostolik i dioqezës, i fton të gjithë katolikët e qytetit të luten “për mirëqenien e Hong Kongut”

R. SH. - Vatikan

Me një lajmërim, drejtuar të gjitha famullive, instituteve rregulltare  mashkullore e femërore si dhe bashkësive katolike të Hong Kongut, kardinali flet për “një situatë që ka arritur në nivel kritik”, e prej këndej, bën thirrje për lutje. Në letër, Kisha katolike e Hong Kongut u kërkon besimtarëve të luten me gjithë shpirt, çdo të premte, duke e shoqëruar lutjen edhe me nisma agjërimi, meshë, adhurime eukaristike, udhë kryqi e vepra dashurie të krishterë në favor të të varfërve e të nevojtarëve”.

Kardinali i fton të gjithë katolikët për të marrë pjesë edhe në kremtimin solemn eukaristik “për mirëqenien e Hong Kongut”, që do të mbahet të premten, më 28 gusht, në orën 20.00, në Kishën e Shën Françeskut të Asizit, Shek Kip Mei, Kowloon e do të kryesohet nga vetë kardinali, në bashkëkremtim  me të gjithë meshtarët e qytetit.

Nisma u mor ndërsa, që të shtunën, manifestuesit po bllokojnë  aeroportin, që u detyrua disa herë t’i anulojë fluturimet në nisje e në arritje. E kjo, sepse vijojnë ndeshjet e dhunshme me policinë, “me figura video, marrë në kulmin e brutalitetit e transmetuar tashmë rrotull botës”.

Kina, ndërkaq, dërgoi në vend policinë, duke u nisur, kështu, demonstruesve mesazhin e ndërhyrjes ushtarake, nga i cili tremben të gjithë. Atmosfera në ish-koloninë britanike po bëhet gjithnjë më e nxehtë, aq sa edhe vetë presidenti i SHBA, Donald Trump, kërkoi, përmes një tweet-i, që të gjithë “të rrinë të qetë e në siguri”, duke folur për një situatë, të cilën e quan “të vështirë”, por që do të zgjidhet. E shqetësimi arrin edhe nga OKB-ja, që kërkon hetime mbi veprimet e policisë.

Kërkesë kjo, që hidhet menjëherë poshtë nga Pekini: “Nuk duam ndërhyrje, janë punët tona të brendshme”. Guvernatorja Lam, ndërkaq, bën me lot në sy, thirrje për qetësi, duke u përpjekur ta shmangë “greminën”, drejt së cilës po shkohet. Qysh nga qershori - njoftojnë forcat e rendit - u arrestuan 700 manifestues në protesta - duke kujtuar se manifestuesit mund të marrin dënime që arrijnë deri në dhjetë vjet burgim. Mediat e pranishme në vend flasin për tragjedi, e cila pritej, pasi policia shkoi në aeroport e u ndesh me pjesëmarrësit e protestës, që ngritën barrikada në hyrje, për të penguar policët.

Manifestuesit hodhën çka mundën kundër policëve. Ata iu përgjigjen me spray përvëlues piperi. Një nga policët, që u rrethua dhe u kërcënua nga turma, nxori pistoletën dhe ua drejtoi manifestuesve, duke krijuar një situatë, që të bën të mendosh për më të keqen e mundshme.

14 gusht 2019, 15:18