Kërko

 Gruaja qiellore u ngjit në qiell Gruaja qiellore u ngjit në qiell 

Gruaja qiellore, u ngjit në Qiell!

Historia e Ngjitjes së Zojës në qiell, sipas Ungjijve apokrifë.

R. SH. - Vatikan

Mbrëmjen e 14 gushtit, në orën 20.30 bashkësia e krishterë dhe të gjithë shtegtarët e pranishëm në Tokën Shenjte, morën pjesë në mbrëmësoren mariane të lutjes. Pastaj kremtimi  vijoi me procesionin drejt Bazilikës së Agonisë, duke mbartur shtatoren e Zojës. E u lexua edhe kalimi e Marisë në jetën e pasosur, ashtu si tregohet në ungjijtë  apokrifë.

Po si e tregojnë këta Ungjij Ngjitjen e Zojës në Qiell?

Ungjijtë Apokrifë merren pak me Marinë gjatë viteve të predikimit publik të Jezusit e në periudhën pas Rrëshajëve. Ndërsa merren shumë me ngjarjet e fundit të jetës së saj tokësore e me lumnimin qiellor. E kjo është tema e apokrifeve, kushtuar ngjarjes, që njihet me emrin Transit - Kalim!  Përgjumja e Zojës apo Fjetja e Hyjlindëses. Me këtë temë u krijuan një numër i madh shkrimesh apokrife, që tregojnë me shumë hollësi ditët e fundit të jetës së Marisë mbi këtë tokë si edhe kalimin e saj të lumnueshëm në jetën qiellore.

Rrëfimi apokrif i çasteve të fundit të Nënës së Krishtit

Kur një engjëll i kumton Marisë se çasti i shumëdëshiruar për të qenë përsëri pranë të Birit është afër, fytyra e saj shndërrohet nga gëzimi. Zemra i gufon nga shpresa. E kjo shpresë e mbush me gjallëri aq, sa t’i programojë orët e saj të fundit. Orë, që e ndajnë nga kalimi i vijës së kufirit ndërmjet jetës tokësore e asaj qiellore. I lutet të Birit të vijë ai vetë t’ia marrë shpirtin. E sa për korpin, ajo u jep apostujve, që ngarendën rreth saj, porositë e duhura për funeralin. Të duket se Maria e di mirë ç’vlerë kishtare do të kishte ngjarja e Nisjes së saj nga kjo tokë. Dëshiron, prandaj, të japë ndihmesën për zhvillimin e ngjarjeve, në mënyrë që të shprehin gjithë thellësinë e misterit.

Zoja, pasi jep shpirt

Pasi jep shpirtin në duart e të Birit hyjnor e pas procesionit mortor nga Sioni, në Gjetseman – tregojnë apokrifët - korpi i saj pushon tri ditë në varr. Ditën e tretë Shën Toma apostull, gjithnjë i vonuar, shpreh dëshirën ta shikojë edhe një herë Nënën e Zotit. Hapet, prandaj varri – tregohet në apokrifet. - E gjindet bosh! Këtu ndjehet fort analogjia me varrosjen dhe ngjalljen e Krishtit e ideja, që kanë besimtarët për t’i  bërë sa më të ngjashëm Amë e Bir!

Fantazia dhe realiteti në Apokrifet

Përmes leximit të apokrifeve krijohet një figurë e Marisë që, në disa raste, duket reale në personalitetin e saj  historiko-ekzistencial, në rrethanat, në të cilat jeton e vepron. Herë të tjera pikturohet me penelata fantazie, ndoshta për të kënaqur besimtarët e për të ushqyer devocionin për Nënën e Zotit. Prandaj Apokrifet janë tekste problematike. Për ta, Origjeni (historiani i parë i krishterimit, vdekur në vitin 253), shkruan: “Nuk duhet ta përjashtojmë  gjithçka, që mund të jetë e dobishme për të hedhur dritë mbi Shkrimin Shenjt. Është shenjë e mendjes së hapur të dëgjosh e të zbatosh  fjalët e Shkrimit. Por duke shqyrtuar edhe gjithçka na duket e mirë për kuptimin dhe sqarimin e tij” (1 Ts 5,21).

Në këtë këndvështrim vlen edhe përshkrimi i Gruas qiellore, që u ngjit në Qiell, përkrah të Birit, duke lënë këtu poshtë varrin e zbrazur, për meditimin e një fundi, që  mund të jetë edhe për ne, fillim i lumnueshëm! Qiellor!

14 gusht 2019, 17:01