Kërko

Vatican News
 Kisha  e Marisë mbi Malin e Ullinjve Kisha e Marisë mbi Malin e Ullinjve 

Gjetsemani kremton "Të Ngjiturit të Marisë në Qiell"

Në Jeruzalem, Vëllazëria Françeskane e Gjetsemanit kremton Solemnitetin e Të Ngjiturit të Marisë në Qiell: kremtimi nisi më 14 gusht, me mbrëmësoren e lutjes dhe procesionin marian me qirinj ndezur. Më 15, kremtimi i parë, në gjuhën arabe: i dyti, Mesha Pontifikale e kryesuar nga Rojtari i Tokës Shenjte. Së fundi, pas mbrëmësoreve, shtegtimi drejt varrit të Marisë.

R. SH. - Vatikan

Në këto troje gjithnjë të persekutuara, ku njerëzia vuan shumë, një gjë të vetme i kërkojmë Zotit e Zojës së Bekuar: paqe për Tokën Shenjte, posaçërisht për gjithë të krishterët, që jetojnë në këto vise. Kjo, lutja  e lartuar drejt qiellit, në prag të Solemnitetit të të Ngjiturit të Zojës në Qiell, nga Vëllazëritë Françeskane të Gjetsemanit e edhe nga shtegtarët e shumtë, që mbushin përplot Jeruzalemin këto ditë gushti. Më 14 e 15 të muajit, si çdo vit, Vëllazëria Françeskane e Gjetsemanit organizon kremtime prekëse, për të kujtuar “frytin e parë të Pashkëve të Krishtit, Ringjalljen dhe Ngjitjen në qiell të Nënës së Tij” – shpjegon për Vatican News, Benito José Choque, ati guardian i Gjetsemanit.

Maria dhe Krishti i munduar

Sipas Programit, natën e festës, më 14 gusht, u kremtua mbrëmësorja, pasuar nga procesioni me qirinj ndezur në ato vise, që na kujtojnë ngjarjet më të jashtëzakonshme të besimit të krishterë. Me pjesëmarrjen e një mori shtegtarësh të cilët - na kujton françeskani - janë gjithnjë më të shumtë në Tokën Shenjte. “Përmbi Shpellën e Apostujve – vijon të kujtojë fra Benito – është një kopsht, fare pranë varrit të Zojës së Bekuar. Mbrëmjen e 14 gushtit, në orën 20.30 bashkësia e krishterë dhe të gjithë shtegtarët e pranishëm në Tokën Shenjte morën pjesë në mbrëmësoren mariane të lutjes. Pastaj kremtimi vijoi me procesionin drejt Bazilikës së Agonisë,  duke mbartur shtatoren e Zojës e duke lexuar kalimin e Marisë në jetën e pasosur, ashtu si tregohet në ungjijtë  apokrifë.

Dogma

Më 1 nëntor 1950, Papa Piu XII shpalli solemnisht dogmën  e Të Ngjiturit të Marisë në Qiell, duke saktësuar se Nëna “auguste” - “e shuguruar” e Zotit, nxori hirin e ruajtes nga kalbëzimi i varrit e, si e mundi vdekjen, siç kishte bërë edhe i Biri, u ngjit me korp e shpirt në lavdinë e Qiellit”. Me kushtetutën apostolike Munificentissimus Deus, Papa Pacelli i jepte forcë dogmatike traditës së popullit të krishterë. Traditë, që nisi qysh në  shekullin V në Jeruzalem me kalendarin Gerosolimitan, në të cilin festa mariane shënohej më 15 gusht. Kjo festë liturgjike, nga kujtim i përgjithshëm i Marisë, u shndërrua në kremtimin e Ngjitjes së Nënës së Zotit në Qiell.

Lavdi, gëzim, nderim për Nënën e Zotit

Në ditën e Solemnitetit, në Gjetseman, mëngjesin e 15 gushtit - nënvizon ati guardian - në orën 07.30 u kremtua Mesha në gjuhën arabe, në Shpellën e Tradhtisë, fare pranë varrit të Zojës. Në orën 10.00, pastaj, në Bazilikën e Agonisë u kremtua Mesha Pontifikale, e kryesuar nga Rojtari i Tokës Shenjte, atë Francesco Patton. “Çast shumë i rëndësishëm ky - shton françeskani - sepse është Kisha vendase, Kisha nënë e Jeruzalemit që, e mbledhur rreth Atit Rojtar, e kremton këtë Meshë lavdije e nderimi për Zojen. Me këtë rast mund t’i thuash, çka na kujton Bibla: “Ti, lavdia e Jeruzalemit, ti, gazmendi i Izraelit,  ti nderi i popullit tonë!”.

Shtegtimi tek varri i Marisë

Pasditen e 15 gushtit, pas mbrëmësoreve solemne, programi i Vëllazërisë françeskane parashikon shtegtimin te Varri i Marisë. “Është rasti i vetëm në të cilin ne, të krishterët e ritit latin - saktëson atë Benito - mund të zbresim me procesion e të nderojmë Varrin e Zojës. Në hyrje është një përfaqësi e Patriarkanës greke dhe asaj armene, siç u vendos nga status quo: bazilika, në të cilën ndodhet Varri i Marisë, me stilin e kryqtarëve, i është besuar ortodoksëve, pikërisht grekëve e armenëve. Kjo është e vetmja liturgji, që mund të kremtojmë, si rit latin, pikërisht në ditën e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell. Rojtari zbret dhe e nderon i pari varrin e Zojës, e pas tij, të gjithë të krishterët e ritit latin shkojnë ta puthin këtë vend shenjt. Çasti i shtegtimit përfundon me lutjen dhe bekimin nga ana e Rojtarit.

Tradita ortodokse

Ky shtegtinm në Viset Shenjte - vijon ati guardian - tregon “sigurisht se Zoti është gjallë, është i pranishëm, se ecën  në historinë e njerëzimit  e se, sidomos, kërkon nga ne, njerëzit, dhuratën e paqes”. Devocioni për Nënën e Zotit - vëren – është shumë i dashur për gjithë të krishterët, si për latinët, ashtu edhe për besimtarët e ritit ortodoks: pesëmbëdhjetë ditë pas kremtimit tonë, më 29 gusht, është kremtimi i madh i ritit ortodoks. Edhe në këto ditë, njerëz nga të katër anët e Tokës Shenjte e shtegtarë nga të katër anët e botës, vijnë për të kremtuar Të Ngjiturën në Qiell, sipas ritit ortodoks. Është gjë shumë e bukur - tregon - t’i shikosh shkallët e Kishës kryqtare, që zbresin deri te varri i Zojës, gati njëqind këmbë shkalle, shumë të gjera, të ndriçuara nga qindra qirinj. Dritë vetëtitëse! Besoj se në secilën prej këtyre flakëzave, është një lutje, një shprehje e dashurisë për Nënën e Zotit!

14 gusht 2019, 16:54