Kërko

Cattura.JPG

Fillon të dielën “Koha e Gjithësisë”: të krishterët, njëzëri për Shtëpinë e Përbashkët

Më 1 shtator, ditën e diel, me Ditën Botërore të Lutjes për mbrojtjen e Gjithësisë, hapet Koha ekumenike vjetore, gjatë së cilës të gjithë të krishterët ftohen, me lutje e veprime, të mendojnë si ta shpëtojnë ambientin nga shfrytëzimi pa kriter i njeriut. Ditët kushtuar këtij synimi përfundojnë më 4 tetor, në festën e shën Françeskut.

R.SH. - Vatikan

Më se një muaj për të menduar si të mbrohet Gjithësia e kërcënuar gjithnjë e më shpesh nga dora e njeriut. Të gjithë të krishterët, duke filluar nga 1 shtatori, fillojnë periudhën e lutjes e të veprimit, që tashmë njihet si “Koha e Gjithësisë”. Tema e këtij viti është “Rrjeti i jetës” dhe vë theksin mbi zhdukjen e disa specieve, që kohët e fundit, po përshpejtohet. Një nga raportet e OKB-së vë në dukje se stili i sotëm i jetesës vë në rrezik rreth 1 milion lloje të ndryshme bimësh e kafshësh.

Në gjurmët e enciklikës “Laudato si’”

         Në një letër, Dikasteri për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor fton ipeshkvijtë katolikë nëpër botë të bashkohen me këtë nismë ekumenike. Dokumenti, që mban datën 23 maj - Dita Botërore e Biolarmisë - u publikua me rastin e 4-vjetorit të Enciklikës së Papës Françesku “Laudato si’”. Nisma u mbështet edhe nga Lëvizja Katolike Botërore për Klimën dhe nga Rrjeti Kishtar Panamazonik (Repam). “Koha e Gjithësisë” merr më shumë rëndësi në prag të Asamblesë së veçantë të Sinodit të Ipeshkvijve për Rajonin Panamazonik, që do të mbahet nga 6 deri më 27 tetor, me temën: “Amazona: udhë të reja për Kishën dhe për ekologjinë e gjithanshme”.

Zëri i familjes njerëzore

         Kremtimi i muajit kushtuar Gjithësisë filloi me nismën e Kishës Ortodokse dhe menjëherë, u mirëprit nga katolikët, anglikanët, luteranët, ungjillorët dhe anëtarët e tjerë të familjes së krishterë, në të gjithë botën. Në faqen e internetit “SeasonOfCreation.org” jepen ide dhe mënyra për të kontribuar në kremtime, që nga lutjet dhe adhurimi i të Shenjtnueshmit Sakrament e deri tek mbledhja e mbeturinave e tek kërkesat për ndryshime politike që të kufizohet ngrohja globale në 1.5 gradë Celsius. Ndër nismat e planifikuara, përmendim: meshën e kryesuar nga kardinali Luis Antonio Tagle, për mbjelljen e pemëve të sjella nga zonat autoktone të qytetit, në Quezon City të Filipineve; projektin e brazilianëve të Amazonës për të pyllëzuar një vendbanim urban në Altamira; diskutimin e Lidhjes së Grave Katolike mbi ambientin, në Lukasa të Zambies, etj..

Ka një alternativë ndaj logjikës së fitimit

“Çështja ekologjike nxjerr në pah se bota është një e vetme, se problemet janë globale dhe të përbashkëta. Prandaj, për të përballuar rreziqet, nevojitet mobilizim shumëpalësh, konvergjencë, bashkëpunim, bashkëveprim”. Kështu shkruan edhe Patriku i Kostandinopojës, Bartolomeu, në mesazhin e tij, me rastin e Ditës së Lutjes për Mbrojtjen e Gjithësisë. “Është e pakonceptueshme – lexohet në të - që njerëzimi të jetë i vetëdijshëm për këtë problem serioz e të vazhdojë të sillet sikur të mos e dinte”. Patriku denoncon qëndrimin pasiv të atyre, që vijojnë t’u japin më tepër rëndësi treguesve ekonomikë dhe fitimit, duke menduar se nuk ka alternativë tjetër. Por, nënvizon ai, ekzistojnë forma të ndryshme zhvillimi, që vijojnë të injorohen, pavarësisht se përmbajnë në vetvete një forcë të jashtëzakonshme solidariteti shoqëror e drejtësie. Është e nevojshme ajo “kthesë ekologjike”, që kërkonte shën Gjon Pali II e që Papa Françesku e trajton edhe më gjerë në enciklikën “Laudato si’”.

30 gusht 2019, 13:18