Kërko

 15 gusht: Të Ngjiturit e Zojës në Qiell 15 gusht: Të Ngjiturit e Zojës në Qiell 

Devocioni i vërtetë ndaj Zojës

Bota e madhe është plot me të devoçëm të Zojës. Mjafton të shkosh në Kishat që i kushtohen, për ta prekur me dorë këtë devocion, posaçërisht këto ditë të vala gushti, kur vijon përgatitja për Festën e Saj të madhe, Ngjitjen në Qiell. Flitet shumë për të devoçëm të Zojës. E edhe për devocionin ndaj Nënës së Krishtit. Po cili është devocioni i vërtetë? Si i shërben i devoçmi i vërtetë Marisë?

R. SH. - Vatikan

Devocioni i vërtetë për Virgjërën e Shenjtë është pa kurrëfarë interesi!

E frymëzon shpirtin të mos kërkojë vetveten, por vetëm Hyjin, në Nënën e Tij të shenjtë.

Një i devotshëm i vërtetë i Marisë nuk i shërben kësaj Mbretëreshe auguste me frymën e fitimit a të interesit, as për të mirën e përkohshme a të amshuar, por vetëm e vetëm sepse ajo meriton të shërbehet, e Hyji, vetëm në të!

Nuk e do Marinë, sepse  merr a pret prej saj të mira, por pse ajo është për t’u dashur.

E do e i shërben besnikërisht me gjithë shpirt, si kur ndjehet i trazuar e i zbrazët, ashtu edhe kur zemra i mbushet me ëmbëlsi e zjarr feje;

e do, si në Kalvar, ashtu edhe në Dasmën e Kanës.

Oh! Sa i çmuar është para syve të Hyjit e të Nënës së Tij të shenjtë, një i devotshëm kësisoji, që nuk kërkon asgjë për vete, kur i shërben asaj.

Po sa i rrallë është sot, edhe pse në gjirin e një devocioni, të ndjekur nga turmat!

E që të mos jetë më i rrallë, ta ftojmë Marinë të na marrë për dore, ta kemi prijëse në udhën, që të çon kah Krishti e, me Krishtin, kah Ati qiellor, në Shpirtin Shenjt.

Ndoshta rruga do të të duket e vështirë, po do të të tregojë, më në fund, pikërisht atë, që po e kërkon prej shumë kohe.

Në qoftë se këto fjalë nuk do të t’i flasin zemrës, mos i mbyll sytë, as veshët, as radion. Shumë të tjerëve, si ti, u ka ndodhur ta zbulojnë vetëm më vonë margaritarin e çmuar, sekretin e devocionit të vërtetë ndaj Zojës!  

Duke gjetur, kështu, paqen për vete, e duke përhapur gëzim e paqe kudo!

12 gusht 2019, 14:22