Lindja e shën Gjon Pagëzuesit Lindja e shën Gjon Pagëzuesit 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Ungjilli sipas Gjonit-prologu

Në emisionin e kaluar, ju thamë se Ungjilli sipas Gjonit ndahet në Prologun e shërbimin e shën Gjon Pagëzuesit (Gjn 1); në Librin e shenjave (Gjn 2-12); në Librin e lavdisë dhe përfundimin e parë (Gjn 13-20); në Epilogun dhe përfundimin e dytë (Gjn 21). Gjithnjë duke ndjekur vëllimin e meshtarit italian, don Federico Tartaglia, “Është ora e leximit të Biblës”, sot do t’ju flasim për Prologun.

R.SH. - Vatikan

Le të marrim kapitullin e parë. Nëse ju kujtohet, kur shpjeguam Ungjillin sipas Mateut folëm për izotropinë. Kur themi se universi është izotrop, pohojmë se ai nuk ka ndonjë qendër, nga e cila, po të largohemi, kemi ndryshime të materies. Universi është po ai në të gjitha anët e, në çdo pikë të tij, mund të perceptojmë të tërën. Ungjilli e zotëron këtë veti e nuk lexohet në shtrirjen e tij, pasi çdo pjesë është e barabartë me të tërën, e pasqyron dhe e zbulon atë. Ungjilli lexohet në thellësi. Duke u ndalur pa nxitim, siç bën shkencëtari, i cili, në një fije bari sheh e ndjen krejt universin.

Lufta e dritës me errësirën

Kapitulli i parë i Ungjillit sipas Gjonit është shembull i mirë për këtë. Në Prolog gjendemi para versionit simbolik të Krishtlindjes, në të cilin zhduken shtatore e betlehem, magji e mrekulli dhe e ndiejmë veten si në një tempull; çdo fjalë është me autoritet e ngulet si shtyllë e rëndë:

“Në fillim ishte Fjala e Fjala ishte në Hyjin, Fjala ishte Hyj. Kjo ishte në fillim në Hyjin. Prej saj u bë çdo gjë e pa Të nuk u bë asgjë. E çdo gjë që u bë e pati në Të jetën e Jeta është drita e njerëzve; e Drita shndriti në errësirë e errësira nuk e pushtoi” (Gjn 1,1-5).

Këtu, çdo fjalë absolutizohet. Nuk tregohet ndonjë histori, por i jepen bazat historisë. E dukja e kësaj fjale të vetme, “logos”, bëhet për të bashkuar filozofitë greke e aleksandrine, historinë e universin. Gjithçka! Kështu fillon lufta ndërmjet dritës dhe errësirës, ndërmjet atyre që e refuzojnë Logos-in dhe atyre, që e pranojnë:

“Ishte në botë e bota u krijua prej Saj, e bota nuk e njohu. Erdhi ndër të vetët e të tijtë nuk e pranuan” (Gjn 1,10-11).

Kur lexojmë Prologun shtangemi nga fjalët solemne që parashikojnë një histori të tërë e, nga kjo gjuhë kaq absolute, sa të jetë në gjendje ta kapë misterin e Krishtlindjes me një frazë vetëtimë:

“E Fjala u bë njeri” (Gjn 1,14).

Thjesht, kjo është Krishtlindja!

Shën Gjoni përvuhet, që të shkëlqejë Jezusi

Le të marrim pastaj shën Gjonin, që këtu, nuk quhet Pagëzuesi, thjesht, pasi ai nuk e pagëzon Jezusin (nuk flitet për pagëzim, por për zbritjen e Shpirtit Shenjt). Krejt figura e tij pasqyrohet në këndvështrimin shpirtëror, i cili shkon përtej të dhënave historike, që na japin Ungjijtë sinoptikë. E nëse në ungjillin sipas Mateut, shën Gjoni, nga burgu, dërgon ta pyesin Jezusin: “A je Ti, a duhet të presim dikë tjetër?”, në ungjillin sipas Gjonit, ai është “miku i dhëndrrit”, që duhet të përvuhet për ta lënë Dhëndrrin të shkëlqejë.

Kur mbërrijmë në thirrjen e dishepujve të parë, zbulojmë se këta ishin nxënës të shën Gjonit, që vendosin të ndjekin Jezusin.

“Jezusi, kur i pa se po e ndiqnin, u kthye dhe i pyeti: ‘Çka kërkoni?’ Ata i përgjigjën: ‘Rabbi (që do të thotë Mësues), ku banon?’ ‘Ejani e shihni!’ – iu përgjigj” (Gjn 1,38-39).

Fjalët “banoj, mbetem, qëndroj”

Ky ndryshim nga Ungjijtë e tjerë na thotë se Ungjilli sipas Gjonit është shkruar për ata, që janë tashmë dishepuj dhe e ndjekin Mësuesin prej kohësh. Për të treguar ç’do të thotë të jesh dishepull, ungjilltari përdor folje të reja: jo më “ndjek”, si në Sinoptikët, por “banoj, mbetem, qëndroj”. E ku i gjejmë këto folje? Në kapitullin e 15-të:

Banoni në mua sikurse edhe unë në ju. Sikurse shermendi nuk mund të japë fryt prej vetvetes, i shkëputur prej hardhisë, po ashtu as ju, nëse nuk mbeteni në mua. Unë jam hardhia, ju jeni shermendet. Kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt, sepse pa mua s’mund të bëni asgjë. Nëse ndokush nuk mbetet në mua, hidhet jashtë porsi shermendi i prerë e thahet. Të tillët i bashkojnë, i qesin në zjarr e digjen. Nëse mbeteni në mua, dhe, nëse fjalët e mia qëndrojnë në ju, lypni gjithçka të doni dhe do t’ju jepet… Qëndroni në dashurinë time! Nëse i mbani urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse edhe unë që i mbajta urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në të” (Gjn 15,4-7.9-10).

Në pjesën e dytë të Ungjillit, në qendër të Darkës së Mbrame, këto folje përsëriten për dhjetë herë me radhë në pak rreshta. Të mbetemi në Krishtin, përndryshe do të thahemi e do të na hedhin. Dishepulli mund të jetojë vetëm falë fesë së vet, përndryshe vdes shpirtërisht.

Nëse pjesa e parë e Ungjillit sipas Gjonit shërben që çdo dishepull të kuptojë arsyet e besimit të tij në Krishtin, pjesa e dytë e nxit nxënësin të rrijë me Mësuesin në kryq, derisa të vijë ora e ndritshme e lavdisë së Hyjit. Në emisionin e ardhshëm do të vijojmë të flasim për këtë aspekt.

08 gusht 2019, 14:10