Jezusi shkruan: "Kush është pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin" Jezusi shkruan: "Kush është pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin" 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Ungjilli sipas Gjonit-libri i shenjave

Duke shqyrtuar Ungjillin sipas Gjonit, në emisionin e kaluar u ndalëm tek Prologu e misioni i shën Gjon Pagëzuesit (Gjn 1). Sot do t’ju flasim për Librin e shenjave (Gjn 2-12), pjesa e dytë e Ungjillit, gjithnjë, duke ndjekur vëllimin e meshtarit italian, don Federico Tartaglia, “Është ora e leximit të Biblës”.

R.SH. - Vatikan

Ai, që e quajmë “Libri i shenjave”, fillon nga kapitulli i dytë e shtjellohet përmes këtyre ngjarjeve:

-         Në Kanë, Jezusi jep shenjat e para të natyrës së Tij hyjnore.

-         Shenja e dytë është spastrimi i tempullit, që, në ndryshim  nga Ungjijtë sinoptikë, gjendet në fillim e jo në fund të tekstit ungjillor.

-         Pastaj, Jezusi shkon sërish në Galile e jep një shenjë tjetër në Kanë.

-         Më pas, në Jeruzalem, shëron paralitikun.

-         Këto shenja alternohen me dy takime të rëndësishme: ai me Nikodemin dhe ai me Samaritanen.

-         Në Jeruzalem, Jezusi shëron një person të gjymtuar, gjë që na kujton shërimin e treguar në Ungjijtë sinoptikë, të cilët, gjithsesi, nuk e vendosin ngjarjen në Jeruzalem.

-         Arrijmë pastaj, në mrekullinë e madhe të shumëfishimit të bukëve, që në Ungjillin sipas Gjonit shënon një krizë të vërtetë, pasi, siç thotë ungjilltari, “nga ai çast, shumë prej dishepujve nuk shkuan më me Jezusin”; nga ai çast e më tej, ndeshja me e për Jezusin bëhet më e fuqishme.

-         Më tej…janë pikërisht vëllezërit e vet të parët, që nuk besojnë në Të!

-         Judenjtë e quajnë “të djallëzuar” Jezusin  dhe përpiqen ta arrestojnë.

-         E nuk duhet gjë as mrekullia e shërimit të njeriut, që kishte lindur i verbër. Drita shndrit në errësirë, por bariu i mirë është i rrethuar tashmë nga ujqërit e mercenarët.

-         As shenja e fundit e Jezusit nuk ia ndryshon fatin, madje, ngjallja e Lazrit prej së vdekurish ia afron vdekjen.

Kur mbërrin në kapitullin e 12-të ungjilltari ngre duart e dishepulli vendos: “Edhe pse Jezusi kishte bërë aq shumë mrekulli para syve të tyre, ata s’besonin në të” (Gjn 12,37).

Pjesa e parë e Ungjillit përfundon kështu; ungjilltari jo vetëm tregon historinë e hidhur të pabesisë që e rrethon Jezusin, por edhe dëshmon gjithë dritën, që armiqtë e Krishtit vijojnë ta refuzojnë. Një dritë, që asnjë Ungjill tjetër, nuk e tregon me gjithë këtë shkëlqim.

Për ta sqaruar mirë këtë, ungjilltari e hap librin me dëshminë e shën Gjon Pagëzuesit, që, jo rastësisht, shprehet me fjalë negative: “Unë nuk jam Krishti”. Nga ai çast, Ungjilli na e zbulon gjithnjë e më shumë Krishtin përmes fjalëve të Tij, përmes atyre “Unë jam”, deri në çastin vendimtar, para rojeve që kishin ardhur për ta arrestuar e, para Pilatit, ardhur për ta gjykuar:

“Unë jam Mesia, unë që po flas me ty!” (Gjn 4,26)

“Unë jam buka e jetës… që zbriti prej qiellit” (Gjn 6,35.41)

“Unë jam drita e botës” (Gjn 8,12)

“Përpara se të ishte Abrahami, UNË JAM!” (Gjn 8,58)

“Unë jam Bariu i mirë” (Gjn 10,11)

“Unë jam dera e dhenve” (Gjn 10,7)

“Unë jam Ringjallja dhe Jeta” (Gjn 11,25)

“Unë jam hardhia e vërtetë” (Gjn 15,1)

“Unë jam” (Gjn 6,20)

“Mirë thua; unë jam mbret” (Gjn 18,37).

         A e keni vënë re se Mbretëria e Zotit nuk përmendet në këtë Ungjill? S’ka shëmbëlltyra për Mbretërinë, as ndonjë lajmërim për të. Në vend të Mbretërisë, flitet për mbretin! A e dini kush e ka kritikuar më ashpër këtë konceptim? Në musical-in “Jesus Christ Superstar”, Tim Rice, autori i teksteve, i vë në gojë Judës këtë pohim “Ti fillove të jesh më i rëndësishëm se gjërat që thua” (You’ve begun to matter more than the things you say). Pa e ditur as vetë, Tim Rice ngre çështjen, që përbën problemin e vërtetë të fesë: kush është Jezusi? Tellall, lajmëtar, dëshmitar, i dërguar, ndërmjetësues? Shën Gjoni ungjilltar mendon pikërisht se Jezusi është më i rëndësishëm se fjalët që thotë. Ai është Fjala, që kumton!

         E kështu, ky Ungjill është quajtur edhe Ungjilli i “Unë jam”-eve e kuptohet qartë se kjo frazë i referohet fjalëve të Zotit në Librin e Daljes: “Unë jam ai që jam”. E shën Gjoni e ka shtuar këtë element edhe në çastin e arrestimit të Jezusit, në kopshtin e ullinjve. Në Ungjijtë sinoptikë, skena është dramatike dhe e trishtuar, ndërsa në Ungjillin e katërt, rojet mbërrijnë plot kërcënim e pyesin kush është Jezusi i Nazaretit, por bien përdhe sapo Jezusi bën një hap përpara dhe kumton: “Unë jam!”

22 gusht 2019, 13:00