Takimi botëror i të rinjve në Meksikë, organizuar nga Scholas Occurrentes, 2019.06.17 Takimi botëror i të rinjve në Meksikë, organizuar nga Scholas Occurrentes, 2019.06.17 

Katolikët e Meksikës kërkojnë “dialog të vërtetë ndërmjet qeverisë e shoqërisë”

“Nuk mund të dorëzohemi, si qytetarë të veçantë dhe aq më pak si shoqëri civile e organizuar, që të kemi një qeveri, e cila i administron në mënyrë të njëanshme dhe personale problemet e mëdha të këtij vendi”: kështu shkruhet në editorialin e periodikut katolik të Qytetit të Meksikos, “Desde la fe”, në numrin e 18 gushtit.

R.SH. - Vatikan

Revista katolike shpjegon: “Jemi befasuar nga synimi i shprehur kohët e fundit në Dhomën e Deputetëve, sipas të cilit forca mazhoritare duhet të marrë në dorë kontrollin absolut. Pohohet se qytetarët e kanë vendosur këtë me votën e tyre dhe se grupet politike të pakicave nuk duhen marrë parasysh. Në këtë mënyrë, harrohet një parim themelor i çdo parlamenti demokratik: ai është hapësira e përfaqësimit të shumicave dhe të pakicave, për të ruajtur ekuilibrin e nevojshëm shoqëror në çdo demokraci”.

         Teksti, që i është dërguar agjencisë katolike të lajmeve Fides vijon: “është e qartë se, me këto masa, synohet të shndërrohet vendi me dinamizëm më demokratik në gjithë shtetin, në një pasqyrë të totalitarizmit të afërt, që shkakton kaq shumë dëme në çdo shoqëri”.

         “Dialog do të thotë të dish të dëgjosh. Është e nevojshme të dëgjohen fshatarët, që nuk kanë marrë subvencionet. Është e nevojshme të dëgjohen nënat, që punojnë e që kanë nevojë për mbështetje profesionale në kujdesin për fëmijët. Është e nevojshme të dëgjohen mjekët, që flasin për mungesën e ilaçeve dhe të mirëmbajtjes së pajisjeve të specializuara. Është e nevojshme të dëgjohen ekspertët, të cilët analizojnë zbatueshmërinë e projekteve dhe kujdesin për ambientin. Është e nevojshme të dëgjohet Komisioni Kombëtar për të Drejtat e Njeriut dhe organizatat e tjera autonome. Është e nevojshme të dëgjohen agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit për trajektoren ekonomike të vendit. Është e nevojshme të dëgjohen njerëzit e përfshirë në edukimin e fëmijëve dhe të të rinjve. Duhen dëgjuar investuesit, që të krijohet besim. Duhen dëgjuar edhe viktimat e korrupsionit dhe të dhunës së krimit të organizuar. Përpjekja vullnetare e një njeriu nuk është e mjaftueshme, një vend si Meksika kërkon përgjegjësi më të madhe dhe dialog të vërtetë shoqëror. Për të mirën e të gjithëve, le të mësojmë të dialogojmë, qeveri e shoqëri”, përfundon teksti.

19 gusht 2019, 16:00