Të krishterë pakistanezë në lutje Të krishterë pakistanezë në lutje 

Bisedë me avokatin Gill, që mbron të krishterët e persekutuar në Pakistan

“Jeta për pakicat fetare në Pakistan karakterizohet nga dhuna, diskriminimi, abuzimi me të drejtat themelore të njeriut. Është çështje e lashtë dhe problem sistematik, që ka rrënjë historike dhe prek mendësinë e kulturën vendase. Qeveria duhet të ndërgjegjësohet për këtë dhe të marrë masa për të mbrojtur qytetarët pakistanezë jo myslimanë dhe për të promovuar sundimin e ligjit, drejtësinë e lirinë”: kjo është thirrja e zjarrtë, që botohet sot në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”.

R.SH. - Vatikan

Paolo Affatato interviston avokatin e krishterë Sardar Mushtaq Gill, aktivist 38-vjeçar për të drejtat e njeriut dhe mbrojtës i shumë të krishterëve, që, pavarësisht se të pafajshëm, akuzohen më kot para gjykatave pakistaneze. Gill e ngre zërin vetëm pak para Ditës Kombëtare kushtuar pakicave fetare në Pakistan, që kremtohet më 11 gusht të çdo viti. Avokati i drejtohet ekzekutivit të udhëhequr nga Imran Khan, kryeministër që prej një viti.

Pakistani përgatitet për Ditën kushtuar Pakicave

         Si njeri i impenjuar dhe aktiv në sistemin gjyqësor, por edhe si drejtues i Ojq-së “Shoqata Ungjillore për Zhvillimin Ligjor”, avokati, i cili vepron kryesisht në Lahore, kryeqyteti i Punjab-it pakistanez, vëren se “nuk është fjala për raste të izoluara: statistikat thonë se dhuna kundër të krishterëve dhe episodet e intolerancës janë në rritje. Mjafton të shikoni lajmet… Shumë familje sot vuajnë vetëm për shkak të besimit të tyre të krishterë”.

         Dita kushtuar pakicave, “shërben pikërisht si kujtesë për të thënë se qytetarët e krishterë, hinduistë apo të tjerë nuk janë të dorës së dytë, nuk duhet të diskriminohen ose, në rastin më të keq, të persekutohen më kot – nënvizon Gill në ‘L’Osservatore Romano’ - por kanë të njëjtat të drejta dhe detyra, duhet të gëzojnë mundësi të barabarta dhe të jetojnë të qetë në Pakistan, në liri, drejtësi dhe mirëqenie”. E ndërsa qeveria e Imran Khan-it mund të mburret se në vitin e parë të ekzekutivit ka arritur disa suksese në këtë drejtim (le të mendojmë, për shembull, për përfundimin pozitiv të çështjes së Asia Bibit, e krishterë që u lirua përfundimisht nga burgu për akuzën e blasfemisë, pavarësisht se u detyrua të mërgonte), “emergjenca për mbrojtjen e pakicave – pohon avokati - nuk ka reshtur”. Gill kërkon ndihmën e organizatave ndërkombëtare, si edhe një hetim të OKB-së, që mund të hedhë dritë mbi situatën.

200 të krishterë pakistanezë, të dënuar padrejtësisht me vdekje

         Por lista e ankesave është e gjatë dhe fillon nga kujtimi i “jetës së të pafajshmëve, që mbahen në krahun e vdekjes së burgjeve pakistaneze”, ose të atyre që, të akuzuar më kot, “po kalojnë një kalvar të gjatë gjyqësor, i cili do t’ua ndryshojë jetën përgjithmonë” me burgim, me humbjen e punës dhe të shtëpisë, ose do t’i detyrojë të jetojnë të fshehur për t’i shpëtuar linçimit. Duke përmendur burimet statikore të ojq-ve, Gill flet për 200 të krishterë, të dënuar padrejtësisht me vdekje (40 prej të cilëve në krahun e vdekjes, në pritje të ekzekutimit), mbi bazën e ligjit të mirënjohur për blasfemi, i cili ndëshkon fyerjen kundër fesë islame dhe profetit Muhamet. Kjo normë e Kodit Penal pakistanez përdoret shpesh në mënyrë instrumentale për të hequr qafe kundërshtarët, në mosmarrëveshje që s’kanë asnjë lidhje me fenë. Avokati i krishterë pakistanez jep një sërë shembujsh, duke përmendur emrin e viktimave, të cilat, nganjëherë, janë familje me fëmijë. Jeta e një të krishteri, ose e një hinduisti duket se vlen shumë pak në Pakistan, denoncon avokati, duke kërkuar që shteti të ndërhyjë për ta ndryshuar këtë mendësi.

Rrëmbimi dhe kthimi me forcë në fenë myslimane

         Një çështje tjetër e dhimbshme në shoqërinë pakistaneze është rrëmbimi dhe kthimi me forcë në fenë myslimane. Sipas të dhënave të agjencisë katolike të lajmeve Fides, fenomeni i kthimit të detyruar në fenë islame në Pakistan prek mbi një mijë vajza hinduiste dhe të krishtera çdo vit, por kjo është vetëm maja e ajsbergut, ajo zyrtare. Javët e fundit, Parlamenti i provincës së Sindh miratoi një rezolutë, ku kërkohet ndalja e kësaj praktike dhe dënimi i fajtorëve, por, sipas avokatit Gill, “duhet miratuar një ligj federal kundër kthimit me forcë në fe të tjera, që mbron qartësisht lirinë e ndërgjegjes e të besimit dhe ndëshkon çdo abuzim”. Edhe sepse, vëren avokati, shpesh, kur është fjala për një vajzë të rrëmbyer e të kthyer me forcë në fenë islame, gjykata vendos në favor të rrëmbyesve, duke mos u dhënë asnjë shpresë prindërve për ta riparë sërish bijën e tyre. Avokati denoncon edhe “trafikun e njerëzve, ku përfshihen vajza të krishtera, të cilat, të joshura me mashtrim, përfundojnë në Kinë për të plotësuar qejfet e afaristëve të pasur të Lindjes”, praktikë kjo, e provuar dhe e dokumentuar gjatë muajve të kaluar e që ka të bëjë sidomos me vajzat e krishtera. Nesër, më 8 gusht, në Karaçi të Pakistanit, Fondacioni papnor “Ndihmë për Kishën që vuan” do të mbajë një konferencë, pikërisht për të denoncuar këtë fenomen.

Ipeshkvijtë katolikë kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme

         Në këtë kuadër, e ngre zërin edhe Komisioni për Drejtësinë e Paqen i ipeshkvijve katolikë të Pakistanit, të cilët kërkojnë “masa urgjente për të garantuar sigurinë e pakicave fetare, sipas Kushtetutës së Pakistanit”, si edhe zbatimin e vendimit të Gjykatës së Lartë, në vitin 2014, me të cilin qeveria urdhërohet të “promovojë dhe të mbrojë të drejtat e ligjishme të pakicave fetare”, në zbatim të Planit Kombëtar të Veprimit për të Drejtat e Njeriut. Në përfundim të intervistës për gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, avokati Gill kujton fjalët e myftiut Syed Ashiq Hyssain, lider i njohur mysliman, që profetikisht, pati thënë: “Nuk dua të flas për vendin, duke e ndarë në shumicë e pakicë. Jemi një komb i vetëm e jemi të gjithë pakistanezë. Shoqëria është si familja”.

07 gusht 2019, 15:30