Kërko

 Bibla për fëmijë Bibla për fëmijë 

Bibla për Fëmijë e Fondacionit Papnor “Ndihmë për Kishën që Vuan” mbush 40 vjet

Ndihmë për Kishën që Vuan(Acs), kremton sivjet 40-vjetorin e Biblës për Fëmijë (Zoti u flet bijve të vet), nismë e lindur nga ideja e themeluesit, atë Werenfried Van Straaten, paraqitur për herë të parë në Puebla, në vitin 1979. Sot Bibla e Fëmijës është përkthyer në 189 gjuhë, edhe në shqip.

R. SH. - Vatikan

51 milionë kopje, përkthyer në 189 gjuhë. Në shqip, nga dom David Gjugja. Tashmë e përhapur në të pesë kontinentet. Këto, numrat e jashtëzakonshëm të Biblës për Fëmijë “Zoti u flet bijve të vet”, nismë e 40 vjetëve më parë. Ishte viti 1979, Vit ndërkombëtar i fëmijëve, kur themeluesi i “Ndihmë për Kishën që Vuan”, atë Werenfried Van Straaten, e paraqiti Biblën e Fëmijës në Konferencën e tretë të përgjithshme të Këshillit ipeshkvnor latinoamerikan(Celam) në Puebla të Meksikës. Ishte i pranishëm edhe Papa Gjon Pali II, në shtegtimin e tij të parë apostolik ndërkombëtar.

Zanafilla e nismës

Çka e frymëzoi murgun premostratens holandez, Atin Werenfried, vdekur më 2003, ishte konstatimi se Kishat vendase shpesh nuk kishin mjete për t’u siguruar fëmijëve një Bibël, të shkruar në gjuhën amë, ose se Bibla nuk mund të botohej në vendet, ku Kisha ishte e persekutuar. Veç kësaj, shumë fëmijë të varfër nuk mund ta blinin Librin e librave. Prej këndej, ideja e Biblës për fëmijët. “Fëmijët - thoshte atë Werenfried – kanë nevojë për diçka si Kinderbibel, që figura e Jezusit të jetojë në zemrat e tyre”.

Suksesi

Nisma pati menjëherë sukses të madh: ipeshkvijtë latino-amerikanë, të mbledhur në Puebla, porositën 1,2 milion kopje në spanjisht. Pasuan menjëherë variantet në anglisht, frëngjisht, portugalisht e gjuhë të tjera. Edhe në shqip. Botimi u bë i mundshëm përmes donacioneve. Atë   Werenfried donte ta përhapte Biblën kudo: në shtëpi, në dhoma fëmijësh e të rriturish, në trena, në autobusë, në hotele. Kudo! Me bindjen se ku lexohet Shkrimi Shenjt – atje mbretëron paqja e dashuria e Krishtit!

18 gusht 2019, 16:02