Kërko

Vatican News
Lindja e Mesme Lindja e Mesme 

Atë Patton: problemi i refugjatëve është dramatik

Gjendja e të krishterëve në Jordani dhe Liban është mjaft e mirë, ndërsa në Siri, ku më parë kishte integrim, sot ka probleme. Atë Françesk Patton, rojtari i Tokës Shenjte, flet për këtë në një intervistë për Radio Vatikanin.

R.SH. - Vatikan

Çfarë ndodhi 800 vjet më parë, atë ditë në Damietta, kur Shën Françesku u takua me Sulltanin al-Maliki al-Kamil? Mbi këtë pyetje bazohet ekspozita qendrore e këtij viti në Mitingun e Riminit, me titull “Françesku dhe Sulltani, 1219-2019”, promovuar nga organizatorët, në bashkëpunim me Rojtarinë e Tokës Shenjte dhe me ojq-në “ATS Pro Terra Sancta”. Në të mund të shihen video, materiale historike dhe arkeologjike, që nxisin reflektimin mbi mundësinë dhe vlerën e dialogut katoliko-mysliman. I pranishëm në Rimini të Italisë, edhe atë Françesk Patton, rojtari i Tokës Shenjte, i cili dha një intervistë për Radio Vatikanin, ku përqendrohet mbi gjendjen në Lindjen e Mesme, mbi emigracionin në zonë dhe mbi jetën e të krishterëve.

         Në këtë çast, do të thosha se ndihet një lloj lodhjeje, sidomos në botën palestineze. Shihet se pritej shumë, që prej dhjetëra vitesh, por gradualisht, shpresat u venitën, ose në thelb, nuk u realizuan.

Prandaj ka shumë njerëz që shpërngulen, edhe brenda Sirisë, Jordanisë, Libanit, apo jo?

         Në Siri, më se gjysma e popullsisë nuk jeton më atje, ku jetonte para fillimit të konfliktit. Shumica e të krishterëve janë larguar nga vendi: nga dy milion e 200 mijë që ishin para luftës, kanë mbetur ndoshta 700 mijë. Është e vërtetë që tani disa familje po kthehen, por është po aq e vërtetë se familjet vazhdojnë të largohen. Në Jordani ka një numër të madh refugjatësh, tani sirianë, që u shtohen irakianëve, rreth dy milion vetë; në Liban gjejmë pak a shumë të njëjtat shifra, por më të përhapura në territor. Natyrisht, ka refugjatë edhe në Turqi, madje i gjejmë - për shembull - në ishullin e Rodit, që është pak a shumë si Lampeduza(Itali), një pikë zbarkimi; prej andej, refugjatët çohen diku tjetër. Gjendja e refugjatëve është me të vërtetë dramatike. Ne e kuptojmë vetëm kur jetojmë edhe vetë si refugjatë: do të thotë të jesh krejtësisht i çrrënjosur dhe të mos kesh mundësi pune, të mos kesh siguri për të ardhmen për veten dhe për familjen; në shumë raste, do të thotë të mos kesh mundësi, për shembull, të dërgosh rregullisht fëmijët në shkollë... Refugjati duket sikur jeton në një lloj limbi, ku nuk e di sa kohë do t’i duhet të rezistojë dhe të shpresojë.

A vazhdojnë shtegtimet në Tokën Shenjte?

         Vazhdojnë… madje, do të thosha se gjatë tre viteve të fundit janë shtuar vazhdimisht: nga viti 2016 deri në vitin 2019 mund të themi se shtegtarët, që vijnë në Tokën Shenjte, praktikisht, janë dyfishuar. Natyrisht, për ne kjo nënkupton një përpjekje më të madhe për mikrpitjen, një punë shtesë edhe për përshtatjen e strukturave, që të jemi në gjendje të presim grupe me kërkesa të veçanta. Por kjo do të thotë edhe përfitime të mëdha për popullsinë e krishterë vendase, e cila sheh që të krishterët nga e gjithë bota vijnë në këtë tokë, nga ku, shpesh, të krishterët priren të largohen. Gjithashtu, është edhe përfitim ekonomik, sepse shumë të krishterë punojnë, në të vërtetë, në gjithçka lidhet me shtegtimet.

Si është jeta e të krishterëve, gjithnjë e ndërlikuar?

         Do të thosha se në Jordani dhe në Liban, jeta e të krishterëve është mjaft e mirë. Nuk ka probleme persekutimi, ose të tjera. Jeta e të krishterëve në Siri është problematike, për shkak të luftës, sepse, në fakt, më parë, Siria ishte vendi i Lindjes së Mesme ku të krishterët pranoheshin më lehtë dhe ku kishte edhe integrim më të madh ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve, si edhe ndërmjet vetë myslimanëve të përkatësive të ndryshme fetare.

21 gusht 2019, 10:47