Kërko

 Zjarret në Brazil Zjarret në Brazil 

Amazona, thirrjet e ipeshkvijve brazilianë, meksikanë e paraguaianë

Pas thirrjes së Këshillit ipeshkvnor latinoamerikan, edhe konferencat kombëtare të Amerikës Latine lëshojnë britmën e alarmit për Amazonën, temë që tani është në qendër të debatit politik ndërkombëtar, edhe të G7 të Biarritz.

R. SH. - Vatikan

Po i zihet fryma botës! Flakët pushtojnë hapësira të reja e, pas Brazilit dhe Bolivisë, vendet më të dëmtuara, arritën edhe në Paraguai, ku po bëhen shkrumb e hi mbi 40 mijë hektarë pyje e kullota në zonën e Chaco-s. Konferencat ipeshkvnore të Brazilit, Meksikës, Paraguait bëjnë thirrje  për marrjen e masave urgjente në mbrojtje të pyllit lumor. Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, dha urdhër për ndërhyrjen e ushtrisë, duke premtuar se nuk do të ketë mëshirë për piromanët. Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, i ofroi ndihmë Brazilit për ta ndaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit në Amazonë, por presidenti Bolsonaro u kritikua rëndë për qëndrimin ndaj emergjencës, nga krerët e tjerë të shtetit, pjesëmarrës në G7, që nisi sot në Biarritz e, në veçanti, nga presidenti i Republikës franceze, Emmanuel Macron. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, kërkon që nga G7 të niset një mesazh i qartë, për t’i dhënë fund zjarrit në Amazonë!

Nota e Konferencës ipeshkvnore braziliane

“Zjarret absurde dhe grabitjet kriminale kërkojnë tani mbajtje qëndrimesh të përshtatshme e masa urgjente” - lexohet në një notë të ipeshkvijve brazilianë, që të kujton Enciklikën “Lëvduar qofsh”, të Papës Françesku. “Ka ardhur koha për të folur, për të zgjedhur e për të vepruar me drejtpeshim e përgjegjësi, që të gjithë ta marrin mbi vete misionin e mbrojtjes së Amazonës, duke respektuar ambientin, popujt tradicionalë, indigjenët, që janë vëllezërit tanë. Pa këtë angazhim, të gjithë do të pësojnë humbje të pandreqshme - lexohet akoma në notën - ku prelatët pohojnë se shohin “një shenjë shprese” e “një burim këshillash” në Sinodin e ipeshkvijve kushtuar Amazonës. Ipeshkvijtë kërkojnë, më pas, edhe aksione politike efikase: “Është urgjente që qeveritë e vendeve amazonike, posaçërisht qeveria e Brazilit, të marrin masa serioze për ta shpëtuar këtë zonë vendimtare për ekuilibrin ekologjik të Planetit: Amazonën. Nuk është çasti për të folur pa e peshuar mirë fjalën e as për gjykime të pamenduara!”.

Edhe në një thirrje video, kryetari i Konferencës kombëtare të ipeshkvijve të Brazilit, CNBB, kryeipeshkvi Walmor Olibeira de Azevedo, fton të ngrihet zëri, përmes një Lëvizjeje, që titullohet pikërisht “Levante a voz”! - “Të ngrihet zëri”.

Letra e ipeshkvijve meksikanë

Komisioni për baritorinë shoqërore i Konferencës ipeshkvnore meksikane, shpreh shqetësimin e tij të thellë për situatën: “Ta ngremë zërin tonë e ta bashkojmë me atë të shumë vëllezërve e motrave, që ndjejnë në zemra dhimbje e mort, për “Shtëpinë tonë, altarin njerëzor të ndarjes së përbashkët të ajrit, që thithim, pa të cilin nuk ka jetë!” - lexohet në letër. Ipeshkvijtë kërkojnë ndërhyrjen e politikës e të qeverive për t’i dhënë fund, me urgjencë, zjarreve, duke i bashkuar të gjitha forcat.

Thirrja e Konferencës ipeshkvnore të Paraguait

Ipeshkvijtë e Paraguait marrin pjesë në debat, duke mbështetur qëndrimin që mban Këshilli ipeshkvnor latinoamerikan (Celam) e duke i shprehur popullsive fqinje, më të dëmtuara se trojet paraguaiane nga zjarret që - kujtojnë prelatët - po shkaktojnë dëme në përmasa planetare. Në notë citohet Instrumentum laboris i Sinodit për Amazonën dhe kujtohet pesha që ka mbi Planetin tonë “kultura e hedhurinës”. Lexohet edhe: “Besojmë, si autoritete të Celam, se qeveritë e vendeve amazonike, posaçërisht ajo e Brazilit dhe e Bolivisë, si dhe Kombet e Bashkuara e Bashkësia Ndërkombëtare, do të marrin një zëri masa urgjente për të shpëtuar mushkërinë e botës”. Ipeshkvijtë kujtojnë, në përfundim, fjalët e Papës Françesku, shqiptuar në homelinë e Meshës për fillimin e Papnisë:

“Dua t’u kërkoj, e t’u lutem, të gjithë atyre, që kanë role përgjegjësie në fushën ekonomike, politike e shoqërore, të gjithë burrave e grave vullnetmira: të jemi ‘rojtarë të krijimit, të planit, që Zoti e shkruan në natyrë, kujdestarë të tjetrit, të ambientit; të mos lejojmë që shenjat shkatërrimit e të vdekjes ta shoqërojnë ecjen në këtë botën tonë’”.

24 gusht 2019, 17:26