Kërko

00193-M.Teresa n.5526 Sinodo 1994.jpg

109 vjet më parë, lindte Ganxhe Bojaxhiu – Nëna e të padashurve

“Nëna - kujton eprorja e sotme e Motrave të Dashurisë, Mary Prema - nuk shqetësohej për suksesin. Nuk kërkonte pasuri. Nuk ëndërronte lavdi. Nuk kishte etje për pushtet! Ajo e dinte se thirrja i vinte nga Zoti, e se Zoti është gjithnjë besnik: nuk e lë kurrë vetëm, atë, të cilin e thërret! Kultura shqiptare e kishte mësuar ta mbante fjalën e dhënë, edhe me çmimin e jetës. I qëndroi, prandaj, gjithnjë besnike mësimeve, që i kish dhënë e ëma".

R. SH. - Vatikan

Ishte dita e 26-të e gushtit të vitit 1910, që i fali botës Gangje Bojaxhijen - Nënë Terezën. E lindur në Shkup - me shtat të vogël, por me dashuri të madhe, e bamirësi edhe më të madhe, do të quhej Nëna e bamirësisë e simbol i dashurisë së krishterë. Duke iu përgjigjur britmës së Jezusit “Kam etje!”, themeloi, më 1950, Kongregatën e Misionareve të Bamirësisë, që sot numëron 6 mijë motra,  aktive në 130 vende të botës. E zgjedhur nga Papa Françesku si model i shenjtërisë e pajtore e vullnetariatit, Nënë Tereza vijon t’i flasë botës e t’i kujtojë se shenjtëria nuk është privilegj për pak njerëz!

Sot, në Kalkutë

Sot paradite, në Kalkutë, kryeipeshkvi i qytetit, imzot Thomas D’Souza, kremtoi një Meshë falënderimi, në praninë e një turme besimtarësh. Më pas ndezi një qiri mbi varrin  e Nënës Terezës, duke e falënderuar Zotin  që i dhuroi botës, e posaçërisht të varfërve, një Nënë universale!

Motër Prema, sot, për Nënë Terezën

Motër Mary Prema, eprorja e sotme e përgjithshme e Kongregatës së Motrave të Bamirësisë, me rastin e përvjetorit të ditëlindjes së Shenjtores, nuk mund të mos reflektonte për figurën e saj:

“Nëna - kujtoi - nuk shqetësohej për suksesin. Nuk kërkonte pasuri. Nuk ëndërronte lavdi. Nuk kishte etje për pushtet! Ajo e dinte se thirrja i vinte nga Zoti, e se Zoti është gjithnjë besnik: nuk e lë kurrë vetëm, atë, të cilin e thërret! Kultura shqiptare e kishte mësuar ta mbante fjalën e dhënë, edhe me çmimin e jetës. I qëndroi, prandaj, gjithnjë besnike mësimeve, që i kish dhënë e ëma. Besnike - premtimit që kish bërë në gurrën e pagëzimit, për t’i shërbyer besnikërisht Kishës katolike! Besnike, thirrjes për t’i përkitur vetëm Jezusit. Besnike, udhës rregulltare. Besnike, shërbimit të të varfërve, në Indi e në mbarë botën. U bë, kështu, mbrojtëse e së drejtës për jetë e fëmijëve të abortuar, të braktisur, të gjymtë. U bë nënë e dashur, për të padashurit, për ata që shikoheshin si barrë për shoqërinë! U bë ikona  e dashurisë së ëmbël aq, sa në vitin 1985 sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Perez de Cuellar e quajti – me të drejtë – Gruaja më e pushtetshme e botës! E Papa Gjon Pali II, më 19 tetor 2003, e lartoi në nderimin më të madh, atë të altarit! Tashti ajo është Shenjtore! E lutet për ne të gjithë!

1 Emrin, që i dhuruan prindërit vajzës të sapolindur, e shkruam ashtu si është në dëshminë e pagëzimit, datuar 27 gusht 1910.

26 gusht 2019, 16:47