Kërko

 Në shërbim të Kryqit Në shërbim të Kryqit 

Vritet një rregulltar katolik në Ugandë

“Shërbëtor i Zotit, që gjithë jetën ia kushtoi misionit”. Ky ishte rregulltari Norbert Emmanuel Mugarura, i vrarë në Ugandë.

R. SH. - Vatikan

“Shërbëtor i Zotit, që gjithë jetën ia kushtoi misionit”. Me këto fjalë e përshkruan Urdhëri ugandez i Brothers of St Charles Lwanga (Vëllezërve të Shën Karl Lvangës), vëllain Norbert Emmanuel Mugarura, që humbi jetën më 3 korrikun e kaluar.  

“Ishte shërbëtor i vërtetë i Zotit. Vdekja e gjeti, atje ku e pati gjetur gjithnjë jeta: në vendin e misionit”: kështu e kujton Charles Dominic Kagoye, i Brothers of St Charles Lwanga, sivëllain Norbert Emmanuel Mugarura, që ndërroi jetë tragjikisht më 3 korrikun e kaluar. Lajmin e jep Agjencia Fides.

Hetimet e policisë

Rregulltari u mbyt nga një student universitar, Robert Asiimwe, i cili u arrestua pas padisë së shoferit të një automjeti, marrë me qira për të hedhur plehrat e shtëpisë. Shoferi, që nisi të dyshonte, iu drejtua policisë, e cila zbuloi se “plehrat” ishin një kufomë e mbështjellë me një pëlhurë të madhe. Trupi i të vdekurit kishte shenja të dukshme shtrëngimi në grykë. Studenti e kishte mbytur për t’i vjedhur automobilin.

Urdhëri rregulltar

Vëllai Norbert Emmanuel Mugarura ishte Epror i Përgjithshëm i  Brothers of St Charles Lwanga, Urdhër rregulltar i themeluar në Ugandë, më 1927. U zgjodh epror i Urdhërit, më 27 janar të vitit në vijim. I lindur  më 28 dhjetor 1972, në fshatin Buyanja të dioqezës Kabale, më 1992 qe postulant i Brothers of St Charles Lwanga, ndërsa kushtet e përhershme i bëri më  6 janar 1995. Vdekja e tij është humbje e madhe për Vëllezërit e Shën Karl Lvangës!

10 korrik 2019, 12:45