Kërko

 Zgjedhjet e përgjithshme në Greqi Zgjedhjet e përgjithshme në Greqi 

Votimet në Greqi. kryeipeshkvi i Athinës: qytetarët, të këputur nga varfëria, taksat e dhuna

Votohet nesër në Greqinë e varfëruar nga të paaftësia e qeveritarëve e nga kufizimet e rrepta, imponuar nga Brukseli, për të rimbëkëmbur vendin mbi kurrizin e qytetarëve. Padija e kryeipeshkvit të Athinës, Sevastianos Rossolatos: “Populli nuk mund të durojë më!”.

R. SH. - Vatikan

Të shumta, të panjohurat, në prag të zgjedhjeve politike në Greqi për forminin e qeverisë së re. Votim i parakohshëm, i kërkuar nga kryeministri Alexis Tsipras, pas disfatës të pësuar në Strasburg, majin e kaluar.

Sfidat e votimit, sipas imzot Rossolatos

Populli grek pret shumë nga këto zgjedhje. Është e shtata herë, që thirret të shkojë tek kutitë e votimit, në 10 vjetët e fundit, të ngarkuara me trazira politike e shoqërore, pasuar, më 2009, nga fillimi i krizës ekonomike, siç e dëshmon imzot Sevastianos Rossolatos, kryeipeshkëv metropolit i  Athinës e kryetar i Konferencës Ipeshkvnore greke:

“Shpresohet kryesisht se do të ulen taksat e se do të krijohen vende të reja pune, sepse ka ende një mori të papunësh, gati 18%. Shpresohet edhe se do të pakësohen atentatet, që bëjnë anarkistët, sepse këtu, në Athinë, situata është tepër e rëndë: shkatërrojnë ku munden, edhe në universitete; nuk ka kontroll. Prej këndej, partia e së djathtës premton t’ia heqë të drejtën e  azilit universiteteve, në mënyrë që policia të mund të hyjë në rast rebelimesh të anarkistëve, që shpërndajnë drogë e kryejnë akte vandalizmi”.

Ju po skiconi një kuadër dramatik: ishin dhjetë vjet vërtet të vështira për popullin grek, të varfëruar deri në kockë…

“Po, natyrisht, të gjithë qytetarët, por edhe institucionet, vuajnë: nën peshën e varfërisë nga njëra anë, e nga ana tjetër, të taksave; edhe ne, në kisha e dioqeze vuajmë shumë. Këto ditë prisja që Ministria e Financave,  zyrat e së cilës ndodhen në një pjesë të ndërtesës sonë, të më paguante qiranë. Po prita kot. Nuk kanë para, sepse u kanë dhënë shumë ndihma të varfërve, pak para votimeve. Aq sa nuk kanë më para as të paguajnë qiranë!”.

Ju nuk mendoni se kjo krizë, këto vuajtje të një populli, shkaktohen nga nënvleftësimi i bashkësisë ndërkombëtare….?

“Më duket se po, vërtet, posaçërisht nga Bashkimi Evropan, që ka qenë tepër i rreptë. Nga njëra anë kishte të drejtë, sepse qeveritarët tanë nuk i trajtuan seriozisht problemet ekonomike, gjë që pastaj rëndoi me tërë peshën e vet mbi shpatullat e popullit, që jeton me mungesa të mëdha: kemi 600 mijë të rinj, posaçërisht universitarë, që janë larguar nga vendi, kanë emigruar në Evropë, për të gjetur punë. E si t’ia bëjmë për t’i rikhyer në vend? Janë të rinjtë më të fortë, më të ditur, më të përgatitur. Ata, që mund të ishin shpresa e vendit!”.

Sipas jush masat e ashpra që janë marrë, nuk e kanë përmirësuar gjendjen e me sa duket - sipas sondazheve -  kjo po e shtyn popullin të orientohet nga partia Demokracia e Re, e cila në të kaluarën u akuzua për qeverisje të keqe? Nga e keqja, tek e keqja…..?

“Po, sepse Demokracia e Re premton se do t’i ndihmojë këta të rinj, për t’u rikthyer në atdhe. Premtime! Ka shumë premtime, sepse partitë e kanë kuptuar që populli nuk mund të durojë më. Pret shumë, kërkon ndryshime, por nuk di nga të orientohet e rikthehet ku nuk do të dëshironte. Ndoshta sepse nuk ka kujt t’ia vërë gishtin!”.

A shpresohet se Evropa e re, e dalë nga zgjedhjet e fundit, do të dijë ta ndihmojë si duhet këtë vend vëlla?

“Tani për tani nuk po e shohim këtë mbështeje, sepse qëndrimi i shumë Shteteve të Bashkimit Evropian ndaj refugjatëve është shumë negativ, e refugjatët mbeten në Greqi. Ne, e edhe Karitasi, me ndihmën e Komisariatit të Lartë e edhe të BE-së, përpiqemi t’i ndihmojmë, t’i mbështesim e t’i bëjmë të hyjnë në indin shoqëror, ku për fat të keq ka shumë grekë e imigrantë të papunë. Të gjithë e vërejnë se jemi shumë të zhgënjyer nga Bashkimi Evropian!”.

06 korrik 2019, 16:34