Kërko

  Protestat e opozitës në Venezuelë Protestat e opozitës në Venezuelë 

Venezuela ka nevojë për ndryshime të thella: sidomos, për fundin paqësor të konfliktit

Vijon, deri më 12 korrik, në Venezuelë, Asambleja CXII-të plenare e zakonshme e episkopatit. Ndërmjet temave, në qendër të takimit, analiza e realitetit të ndërlikuar vendas, veprimtaria baritore, në përkim me situatën, Sinodi i ardhshëm për Amazonën dhe formimi i meshtarëve të rinj.

R. SH. - Vatikan

Vijon, në Karakas, Asambleja 112-të plenare e zakonshme e Konferencës ipeshkvnore venezuelane (CEV), me synimin që ta shoqërojë popullin e vuajtur e ta konsolidojë rolin e Kishës si ndërmjetëse e paqëtuese, në situatën tejet të vështirë, që po kalon vendi karaibik. Ndërkaq  delegacionet  përkatëse të qeverisë dhe të opozitës u takuan në Bridgetown të Barbados. Janë të njëjtat delegacione, që ishin të pranishme në dy takimet e para,  mbajtur në Oslo, me ftesën e Norvegjisë.

Në një komunikatë të delegacionit qeveritar, njoftohet  se “qeveria, ashtu si populli, dëshiron ta mbrojë pavarësinë dhe sovranitetin e vendit dhe t’i zgjidhë problemet shoqërore e politike, duke respektuar rreptësisht normat demokratike e kushtetuese”.

Kisha, ndërmjetësuese e paqësuese

Ndërkaq Kisha vijon ta shoqërojë popullsinë në udhën e kërkimit të zgjidhjes së krizës - thekson kardinali Baltazar Porras Cardozo, kryipeshkëv i Méridas dhe administrator apostolik i krydioqezës së Karakasit, në një intervistë dhënë Renato Martinez. Prelati i fton palët kundështare të heqin dorë nga fanatizmi dhe thekson se duhet punuar për të mbrojtur interesat e popullit, jo të grupeve të veçanta, që pengojnë  zgjidhjen reale të konfliktit në interes të të gjithë venezuelanëve.  

Venezuela ka nevojë për ndryshme të thella

të njëjtën mënyrë, duke kujtuar relacionin paraqitur Komisari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet, kushtuar realitetit në vend, kardinali Porras thekson se Venezuela ndodhet  në një situatë, të cilën specialistët e quajnë “të dështuar”, sepse çdo qeveri, që dëshiron të vijojë të jetë e tillë, duhet  të punojë për mirëqenien e gjithë popullsisë, në gjirin e një demokracie, që mbron lirinë e barazinë e çdo shtetasi. Në rast të kundërt quhet “qeveri e dështuar” dhe roli i saj ka si pasojë humbjen e plotë të lirisë e të mirëqenies.

Popullsia dëshiron zgjidhje paqësore

Gjatë 20 vjetëve të fundit, në Venezuelë vërehet shkatërrimi i thellë i indit institucional e shoqëror, gjë që vijon të thellojë edhe krizën, jo vetëm politike dhe ekonomike, por edhe morale e kulturore. Bisedimet, në vijim, në Barbados, synojnë arritjen e një rrugëzgjidhjeje paqësore, elektorale e  të kushtëzuar. Lidhur me këtë propozim, kryeipeshkvi i Meridës nënvizon  se kjo rrugëzgjidhje lind nga bisedimet, prandaj ka shumë rëndësi të saktësohet se shumica e popullsisë venezuelane dëshiron zgjidhjen paqësore të konfliktit, i cili kalon, doemos, nëpër rrugën elektorale. Në këtë mënyrë populli mund ta shprehë lirisht - urohet - çka ndjen e ç’ka për të thënë.

Asambleja, në atmosferë vëllazërore

Punimet e asamblesë së ipeshkvijve venezuelanë, nisur më 7 korrik,  vijojnë në një atmoferë vëllazërore, në kërkim të rrugëzgjidhjeve të dobishme për mbarë shoqërinë e Venezuelës. Po flitet edhe për rrugët e reja në formimin e meshtarëve, pa e harruar hapësirën e duhur të  reflektimit lidhur me Instrumentum laboris të Sinodit për Amazonën.

10 korrik 2019, 16:25