Kërko

Vatican News
  Atë Hamel Atë Hamel 

Tri vjet më parë, vrasja e atë Hamel: para se të vdiste, akuzoi Shejtanin

Në Saint-Étienne-du-Rouvray, tri vjet pas vrasjes së atit Hamel, u kujtua, shoqëruar me lutje, dëshmia e madhe e dashurisë së meshtarit francez për Zotin.

R. SH. - Vatikan

Kaluan tri vjet nga vrasja barbare e atë Jacques Hamel, në Francë. Kisha e Saint-Étienne-du-Rouvray, pranë Rouen, u bë menjëherë cak shtegtimesh,  lidhur pazgjidhshmërisht me një datë: 26 korrik 2016. Po kremtonte Meshën, atë Hamel. Kremtimi po i afrohej fundit, kur meshtarit  85 vjeçar iu vërsulën dy ekstremistë, të lidhur ngushtë me Shtetin Islamik. Para se ta thernin, e detyruan të gjunjëzohej. Fjalët e tij të fundit ishin: “Larg meje, Shejtan!”.

Ik, Shejtan!

Këto fjalë ishin vula e fundit mbi jetën e tij, që po shuhej. Mbi altar. Me martirizim. Në zemër të Evropës. Në shekullin e  XXI! Kur ndokush beson se martirizmi i përket kohëve, që tashmë kanë kaluar. A viseve, larg nga shtëpia jonë! Papa Françesku, gjatë Meshës së kremtuar për shpirt të Martirit të ri, më 14 shtator 2016, pati kujtuar se meshtari francez  “dha jetën  për ne, dha jetën për të mos e mohuar Krishtin!”:

“Atë Jacques Hamel u shporua mbi Kryq, pikërisht ndërsa kremtonte flijimin e Kryqit të Krishtit. Njeri i mirë, i butë, i shoqërueshëm, paqësor, u mbyt si të ishte ndonjë kriminel. Ky është filli satanik i persekutimit. Por është diçka në këtë njeri, që pranoi martirizimin aty, njëheresh me martirizimin e Krishtit, mbi altar; është diçka, që më bën të mendoj shumë: në mes të çastit të vështirë, që jetonte, në mes të tragjedisë, që afrohej, njeriu i mirë, të cilit i pëlqente vëllazërimi, nuk e humbi  dritën e mendjes e arriti të akuzojë e ta shqiptojë qartë emrin e vrasësit. Duke dhënë shpirt shqiptoi qartë: “Ik, Shejtan!” (Papa Françesku)

Përkujtim, me një mori nismash

Për ta kujtuar dëshminë e atë Hamel, sot u organizuan një sërë nismash. Zemra e tyre ishte Kisha e Saint-Étienne-du-Rouvray. Në të gjitha nismat  u kujtua se të krishterët e panë përherë martirizmin si dëshmia më e lartë e fesë. E ndërsa vajtonin martirët e tyre, i kremtuan si njerëz, që na shpërblejnë ne dhe e shpëtojnë mbarë botën, sepse marrin mbi vete vuajtjet  e saj, në emër të Jezusit, e kështu e zbatojnë në jetën e bashkëkohasve, shëlbimin, që solli Krishti.

 Çështje e lumnimit

Papa Françesku, duke kujtuar figurën e atë Hamel gjatë Meshës së 14 shtatorit 2016, deklaroi se meshtari francez “është martir”. E martirët – shtoi – janë të lum! Këto fjalë i hapën menjëherë Kongregatës për çështjen e shenjtorëve rrugën për të nisur çështjen e lumnimit, faza dioqezane e së cilës u mbyll marsin e kaluar. Faza pasuese, ajo procesuale, do të vijojë në dikasterin kompetent vatikanas.

26 korrik 2019, 16:27