Kërko

 Katedralja e Milanos Katedralja e Milanos  

Tri, nga pesë Bazilikat më të mëdha katolike në botë!

A e dini cilat janë bazilikat më të mëdha katolike në botë? Vështirë, sepse janë shumë. Folëm, në emisionet e kaluara, për dy të parat, Bazilikën e Bregut të Fildishtë dhe atë të Romës. Sot, për tri të tjerat, plus një, anglikane!

R. SH. - Vatikan

Duke i dhënë përgjigje pyetjes: “A e dini cilat janë bazilikat më të mëdha katolike në botë?”, kujtuam, në emisionet e kaluara, dy të parat, Bazilikën e Bregut të Fildishtë dhe atë të Romës. Sot, tri të tjera katolike e edhe një anglikane.

Vendin e tretë në botë e zë Bazilika e Zojës së Aparesidës, në San Paolo të Brazilit.

U përfundua së ndërtuari ndërmjet viteve 1946-1980 (kujtojmë se për ndërtimin e bazilikave dhe kishave të mëdha shpesh duhet të kalojnë  qindra vjet, derisa të përfundohen. Për shembull, në njërën nga më të bukurat e më modernet, Sagrada Familia, krijesë e arkitektit të famshëm Antonio Gaudì, në Barcelonë, vijojnë punimet, që nga vitit 1882, pa arritur ende tek përfundimi).

Me stil ndërtimi neo-romantik, Bazilika e Zojës së Aparesidës u kushtua nga Gjon Pali II, në vitin 1980.

Vendi më i shenjtë për brazilianët, thellësisht katolikë, Bazilika e Zojës  së Aparecidës është caku më i madh i shtegtimit në botë. Kjo shenjtore pret e përcjell më se 10 milionë vizita në vit. Është edhe kisha më e madhe e krishterë në Kontinentin amerikan.

Nga Brazili - kalojmë në Spanjë.

Kisha e katërt e madhe në botë, është ajo që i kushtohet Shën Marisë, në Sevilje të Spanjës.

Me shtrirje prej 11.520 mk. Me stil gotik, u përfundua në shekullin XVI.

Si çdo  bazilikë a katedrale, ka edhe ajo kuriozitetet e saj.  Një  kapelë, që duhet vizituar pa tjetër nga shtegtari, i cili ka fatin të shkelë në brendinë e saj, është varri i njërit nga lundërtarët më të famshëm në botë. Këtu është “limani i mbramë”, shpresojmë larg çdo tallazi, i Cristofor Kolombi-t.

Katedralja e Shën Marisë njihet nga të gjithë me emrin Katedralja e Seviljes! Mos u çuditni, prandaj, nëse edhe banorët vendas nuk ia dinë emrin e pagëzimit!

Pas shumë diskutimesh, kjo katedrale, më në fund, bën pjesë në pasuritë e Unesco-s, duke u njohur si Pasuri Botërore e Njerëzimit.

Së pesti, Katedralja e Milanos, në Itali

Me shtrirje prej 10.186 mk e stil gotik, u deshën gjashtë shekuj, që të përfundohej.

Krahu i majtë i ndërtesës mund të shihet vetëm kalimthi, për shkak të ndërtesave të tjera, ngritur tepër pranë saj,

Është Kisha gotike më e famshme në Evropë e më në zë, në mbarë botën. Pikë referimi për qytetin e Milanos, vizitohet nga miliona besimtarë, shtegtarë e turistë nga të katër anët. Kjo katedrale madhështore, simbol i Italisë, është edhe selia e kryedioqezës së Milanos.

Këtu, duke përfunduar me pesë bazilikat e katedralet katolike, nuk mund të lëmë pa përmendë, edhe një, të famshme, anglikane.

Katedralja e Shën Gjonit, në New York

Me shtrirje prej 11.200 mk. e stil romanik dhe bizantin, u ndërtua në vitin 1892 e u shkatërrua në vitin 2001 nga rënia e një zjarri, si katedralja e Shën Marisë së Parisit.

Kjo katedrale anglikane është një nga më të famshmet e SHBA-ve, edhe për faktin se vijon të ndërtohet vazhdimisht, pa u kryer kurrë plotësisht….

Këto, për kureshtje, katedralet më të famshme. Po ka edhe më! Mjafton të kemi kureshtje, për t’i njohur e, tani, edhe për t’i vizituar…

30 korrik 2019, 11:30