Kërko

 Toka Shenjte; Gjetsemani Toka Shenjte; Gjetsemani 

Toka Shenjte. Ipeshkvijtë: “Kur do të jetojmë në një vend ku askush nuk sulmon askënd?”

Në Tokën Shenjte, zemërim e pakënaqësi për krimet, shkaktarët e të cilëve nuk i dorëzohen drejtësisë.

R. SH. - Vatikan

“Zemërim, pakënaqësi, shqetësim për krimet e vazhdueshme, por më shumë për faktin se në shumicën e rasteve, fajtorët, në vend që të dënohen, mbrohen nga drejtësia!”. Kështu shkruhet në një notë të asamblesë së ipeshkvijve katolikë të Tokës Shenjte, lidhur me “krimin e ri” buruar nga urrejtja, kryer sot paradite në fshatin Jish, ku shumë auto u dëmtuan, ndërsa mbi disa vetura e furgone, u shkruan parulla në hebraisht. Asambleja e ipeshkvijve katolikë kujton edhe ngjarjen, që ndodhi pak ditë më parë, kur besimtarët katolikë të fshatit Naveh Yaacov, gjatë një festivali, organizuar në fushën e sportit të Kishës së Shën Jakut, në Beit Hanina (Jeruzalem) u gjuajtën me kos e domate:

“Përveç dënimit të krimeve të këtij tipi, që burojnë nga urrejtja, u kërkojmë funksionarëve shtetërorë dhe sigurimit të mos i harrojnë përgjegjësitë e tyre, si në fushën e edukimit, ashtu edhe në atë të sigurimit, në mënyrë që këto krime të mos përsëriten më në të ardhmen” - lexohet në notë.

Ipeshkvijtë katolikë i shprehin edhe solidaritetin e tyre popullsisë së Jish e Beit Hanina.

“Lusim të Gjithëpushteshmin që t’i përballojnë me guxim sfidat e të luten për ata, që i sulmojnë, e jo më pak, edhe për ata, që i mbështesin, duke u kërkuar të pendohen për veprimet e tyre të këqija, që të mund të jetojmë të gjithë së bashku, në një vend ku askush nuk e sulmon askënd!”.

19 korrik 2019, 18:13