Kërko

 Siria,  pas luftës Siria, pas luftës 

Toka Shenjte: Frontit të luftës, françeskanët po i përgjigjen me “frontin e paqes”

Angazhim 360 gradësh, ky i Françeskanëve të Rojtarisë së Tokës Shenjte, që përpiqen ditë për ditë ta rindërtojnë Sirinë e rrënuar nga tetë vjet të pandërprera lufte, vdekjeje, shkatërrimi. Të ringjallin një vend me plagë ende të hapura e një popullsi të raskapitur nga mortet.

R. SH. - Vatikan

Angazhim 360 gradësh, ky i Françeskanëve të Rojtarisë  së Tokës Shenjte, që përpiqen ditë për ditë ta rindërtojnë Sirinë e rrënuar nga tetë vjet të pandërprera lufte, vdekjeje, shkatërrimi. Të ringjallin një vend me plagë ende të hapura e një popullsi të raskapitur nga mortet.

Para se të fillonte lufta - kujton atë Raimondo Girgis, Epror i Memorialit të Shën Palit në Damask - në Siri vinin me qindra-mijëra shtegtarë. Shumë prej tyre ndaleshin këtu, po tani gjithçka ka ndryshuar. Në vend të shtegtarëve, presim familje të shpërngulura, të varfra e njerëz të sëmurë, me familjarët e tyre, që vijnë në Damask për t’u mjekuar. Nuk bëjmë asnjë lloj dallimi: kujdesohemi për të gjithë, pavarësisht nga feja a etnia. Konflikti ia  ndryshoi krejtësisht fytyrën Sirisë, por jo françeskanëve, që i gjeti gati, si gjithmonë, për mision - për të njëjtin mision, që e kryejnë që prej 800-vjetësh në Tokën Shenjte - simbol i të cilit është Kryqi i Shën Damianit, prej nga Krishti i pati bërë Shën Françeskut- e i bën bijve të tij - thirrjen, që  jehon shekujsh e visesh: “Shkoni e meremetojeni shtëpinë time!”.

Për atë Raimondin, për atë Bahjat Elia Karakach, guardian i kuvendit të Kthimit të Shën Palit, e për atë Ibrahim Alsabagh, famullitar latin i Halebit, të gjithë françeskanë të Rojtarisë së Tokës Shenjte, sot “shtëpia”  quhet Siri. E kështu për të gjithë sivëllezërit e tyre. “Por nuk janë vetëm muret e shtëpive që duhen rindërtuar - deklaron për agjencinë Sir, atë Raimondo - duhen rindërtuar së pari zemrat e shpirtrat e njerëzve.

Duam ta ndalojmë luftën, atje ku vijon të luftohet! Duam t’i jetojmë jetët tona,  pa  i kaluar ditët duke numëruar ndihmat, që na vijnë nga jashtë! Për fat të keq - shton frati - vijojmë të jetojmë në kohë krize të rëndë ekonomike, që rëndohet edhe më shumë nga embargoja. E vështirë ta ngresh kokën lart, në një situatë të tillë. Duhen dhjetra vite për ta bërë këtë!

“Njerëzit janë të lodhur, të shqetësuar, të zhgënjyer. Shumë - pohon françeskani, mbëkëmbës apostolik i Halebit të Latinëve, imzot Georges Abou Khazen - na thonë se gabuam që vijuam të qëndrojmë këtu. Vuajmë nga mungesa e ilaçeve, e gazit në kuzhinë, e benzinës dhe e gazolit, për shkak të masave ndëshkimore”.

Mundimet e sirianëve kanë fytyrën e të shpërngulurve, të refugjatëve, të të gjymtuarve, të fëmijëve të tmerruar nga bombat, të të papunëve, të pleqve mbetur qyq, të familjeve të copëtuara, të grave të shpërdoruara! “Prandaj - pohon atë Raimondo - sirianët kanë nevojë për gjeste konkrete rindërtimi, që ngjallin shpresa të sigurta se edhe për ta do të vijnë ditë më të mira.  Të vetëm nuk mund ta rindërtojmë kurrë vendin tonë. Na duhet ndihma ndërkombëtare!”.

Në famullitë e Damaskut e në atë të Halebit, është tejet e gjatë lista  e programeve të solidaritetit, që kanë nisur të vihen në jetë nga Rojtaria e Tokës Shenjte, me ndihmën,  e ojq “Shoqëria e Tokës Shenjte” (Ats) dhe të bamirësve të tjerë, ndërmjet të cilëve, Konferenca ipeshkvnore italiane. Ipeshkvijtë italianë po i kushtojnë vëmendje të madhe mbështetjes së popullsisë, me dërgimin e pakove ushqimore, ilaçeve, ndihmave për  nënat në pritje të foshnjave. Por këtyre njerëzve të dëmtuar nuk u duhet vetëm kafshata e bukës së përditshme! E përditshmja vjen gjithnjë e ngarkuar me një mori këkesash. Ndërmjet tyre, më e rëndësishmja, është afërsia. Solidariteti - kujton atë Ibrahimi - bëhet kështu “akt liturgjik”. Lufta  ka krijuar emergjenca të reja, të cilat duhen përballuar. Françeskani kujton posaçërisht  shumë nga ushtarakët e dalë në lirim pa këmbë a pa krahë, pas tetë vjetësh lufte. Dalin nga zjarri i luftës, të paaftë për të ndezur zjarr në vatrat e tyre. U mungon gjithçka. Për ta menduam një zyrë asistence ligjore. Mendojmë edhe për çiftet e reja, që nuk mund  të martohen, sepse nuk kanë strehë. Si dhuratë martese u japim një shtëpi me qira për një vit,  mjetet elektroshtëpiake ose i ndihmojmë për meremetimin e shtëpisë së vjetër, edhe ajo e dalë plot plagë nga lufta!

Frontit të luftës, françeskanët po i përgjigjen me “frontin e paqes”,  ngarkuar me gjeste e shenja solidariteti,  që vihen në jetë nga vullnetarët dhe bamirësit. “E kjo - përfundon atë Ibrahimi - është shpresa, që nuk të zhgënjen, që ta forcon korpin e shpirtin!”.  

11 korrik 2019, 10:01