Jezusi në shtëpinë e Martës e Marisë Jezusi në shtëpinë e Martës e Marisë 

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së 16-të të vitit kishtar

Edhe e diela e 16-të e vitit kishtar na propozon, ashtu si ajo e kaluara, kapitullin e 10-të të Ungjillit sipas Lukës. Ungjilltari, mjek sirian nga Antiokia, na pikturon tabllonë e Martës dhe Marisë, njëra e zënë me punët e shtëpisë e, tjetra, e vëmendshme ndaj fjalëve të Krishtit, pa u ngritur nga këmbët e Mësuesit Hyjnor, ku ishte ngjeshur, gjithë interes për ta dëgjuar.

R.SH. - Vatikan

“38 Jezusi hyri në një fshat dhe një grua, me emrin Martë, e priti në shtëpi. 39 Ajo kishte një motër që quhej Mari. Kjo iu ul Zotërisë te këmbët dhe dëgjonte fjalën e tij. 40 Marta, e zënë krejtësisht me punët e shërbimit të pritjes, iu afrua e i tha: “Zotëri, a nuk po të duket rëndë që motra ime më la krejt vetëm të shërbej? Thuaji, pra, të më ndihmojë!” 41 “Martë, Martë ‑ iu përgjigj Zotëria ‑ ti po brengosesh dhe po shqetësohesh për shumë gjëra, e pra, 42 e nevojshme është vetëm një. Vërtet, Maria zgjodhi pjesën më të mirën që nuk do t’i merret” (Lk 10,38-42).

Të lutemi së bashku

E kujt s’i ka ndodhur o Jezus,

të hasë në ato zonja shtëpie,

të mira e bujare, që të presin krahëhapur,

por pastaj, të transmetojnë gjatë gjithë drekës

shqetësimin dhe hallin e tyre se mos nuk kënaqesh.

Gra të përsosura, pa dyshim,

që kanë parashikuar një plan

të cilit s’mbetet tjetër, veçse t’i nënshtrohesh.

Nga mezetë tek pija për tretjen e ushqimit

gjithçka me rend, gjithçka e përgatitur si duhet

pa i lënë asgjë rastit,

improvizimit, shijes së të ftuarve.

Gra punëtore, të cilave u lexohet në fytyrë

lodhja e mijëra hollësive të përgatitjes,

shqetësimi për të bërë figurë të mirë,

dëshira për të ta mbushur pjatën me lloj-lloj gjellësh të shijshme.

 

Ndoshta, edhe Marta, o Jezus, i përkiste

kësaj aradheje grash tepër të përsosura e tepër bujare…

Por ti, atë mbrëmje, nuk doje aspak ushqim:

për ty, kishte më tepër rëndësi

të gjeje miq, që të ndanin me ty

mundimin tënd, lodhjen tënde, misionin tënd.

Maria duhet ta ketë kuptuar fluturimthi ç’kërkoje vërtet

dhe t’u shtrëngua tek këmbët, duke lënë çdo gjë tjetër.

 

Jam edhe unë, o Zot, ajo Marta e pafrymë

që e ngatërron mikpritjen me kuzhinën,

e përqendrohet tek pjatat e jo tek të ftuarit.

Jam edhe unë, o Zot, ajo Marta e zënë me punë

që nganjëherë mendon se po ta fiton zemrën

me orët e kaluara duke fshirë e larë e gatuar.

Jam edhe unë, o Zot, ajo Marta pak si e thartë

që do të donte t’ua kallëzonte qejfin të gjithëve

dhe kujton se planet e veta janë ato të Mbretërisë së Hyjit.

Më mëso, o Zot, të ndalem, si Maria.

Më mëso të ulem pranë Teje, vetëm për të dëgjuar Fjalën Tënde.

21 korrik 2019, 10:28