Kërko

Samaritani i Mirë Samaritani i Mirë 

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës

Në të dielën e 15-të të vitit kishtar, Ungjilli sipas Lukës, në kapitullin e tij të 10-të, na propozon shëmbëlltyrën e Samaritanit të Mirë.

R.SH. - Vatikan

30 Jezusi vazhdoi e tha: ‘Një njeri po zbriste prej Jerusalemit në Jeriho e ra ndër cuba. Këta e plaçkitën, e rrahën dhe ikën dhe e lanë veç gjallë. 31 Rastësisht po asaj rruge po zbriste një prift. E pa, iu shmang e vazhdoi rrugën. 32 Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, e pa, iu shmang dhe vazhdoi udhën. 33 Kurse një samaritanas, duke udhëtuar, kur erdhi tek ai dhe e pa, pati mëshirë për të, 34 iu afrua, ia lidhi plagët duke ia larë me verë e me vaj. Pastaj e vuri mbi shtazën e vet, e çoi në bujtinë dhe u kujdesua për të. 35 Të nesërmen, nxori dy denarë, ia dha bujtinarit dhe i tha: ‘M’u kujdes për të dhe, çka të shpenzosh më shumë, do t’i jap kur të kthehem’… 37 ‘Shko ‑ tha Jezusi ‑ e bëj edhe ti kështu!’” (Lk 10,30-37).

Të lutemi së bashku:

I ke zgjedhur me kujdes, o Jezus

pesonazhet e kësaj shëmbëlltyre.

I le të kalojnë së pari

cubat dhe fatkeqin, që u ra në dorë:

skenë, që përsëritej shpesh

në rrugët e pasigurta të asaj kohe.

Pastaj, mbërritën aty

njerëz të denjë për vlerësim e nderim,

meshtari dhe leviti,

tepër të zënë nga punët e tyre

për t’u ndalur e për t’u ndyer me gjak.

E së fundi, vure në skenë

të huajin, heretikun, të padenjin,

samaritanin, që shihej me dyshim.

 

Çka bëri ai, duhet të ketë qenë e befasishme

dhe të ketë hapur jo pak telashe.

Eh po, sepse vetëm ai, samaritani,

ndien dhembshuri,

humb kohën e vet për të shkretin e gjakosur,

i fashon plagët,

e çon në një vend të sigurtë

e, hollësi jo e paktë,

vë dorën në portofol.

 

Faleminderit, o Jezus, për këtë samaritan

e për të gjithë “samaritanët” e historisë,

për të njohurit e të panjohurit,

pikërisht si ky, të cilit nuk ia dimë

as emrin, as moshën, as fytyrën.

Faleminderit, o Jezus, për të gjithë ata

që s’mendojnë dhe aq për veten,

për sigurinë personale, për emrin e tyre të mirë

por rrezikojnë seriozisht, sepse e marrin për zemër

fatin e çdo njeriu, që e shohin si të afërm.

13 korrik 2019, 10:47